Arbëri

Shala: Ministri i ri i Drejtësisë duhet të rishikojë komplet procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka përsëritur qëndrimin e shoqërisë civile që të ketë anulim të procesit për përzgjedhjen e noterëve të rinj dhe të ketë rishikim të plotë të këtij procesi nga ministri i ri i Drejtësisë.

Në Express Intervistën në KTV, Shala ka thënë se janë dy arsye pse shoqëria civile kërkon anulimin e këtij procesi.

“Që nga rënia e qeverisë, ne dhe organizata tjera kemi kërkuar anulimin sepse s’ka legjitimitet për të kryer proces kaq të rëndësishëm për shkak të dyshimeve që kanë ndodhur. Janë edhe persona të afërt me partitë politike në pushtet. Një qeveri në largim s’ka legjitimitet të kryejë këtë proces sepse profesioni i noterëve është tejet i rëndësishëm”, ka thënë ai duke shtuar se pavarësisht shqetësimeve të ngritura, MD-ja ka përshpejtuar procedurat për të kryer këtë proces.

Sa i përket arsyetimit të MD-së se Agjencia Kundër Korrupsion në opinionin e vet ka thënë se s’ka konflikt interesi në këtë proces, Shala ka thënë se qeveria në largim po përdor standarde të dyfishta.

“Është pikërisht kjo qeveri që me rritjen e pagave ka thënë për opinionin e AKK-së se nuk na obligon dhe s’do të anulojmë vendimin, e tash MD-ja përdor atë për të vazhduar. S’ka seriozitet. Përdoren standarde të dyfishta. Kemi perceptim jashtëzakonisht negativ të publikut mbi konfliktin e interesit që s’po adresohet nga ministri në largim”, ka shtuar ai.

Shala ka thënë se kanë kërkuar edhe nga shtetet e QUINT-it të monitorojnë këtë proces dhe kanë kërkuar reagim edhe të Prokurorit të Shtetit. Sipas tij, edhe ministri i ri i Drejtësisë duhet të rishikojë plotësisht procesin që të mos lejohen “noterë që do të njihen si noterë të PDK-së”.

Krahas rishikimit, duhet që Qeveria e ardhshme të bëjë Ligjin për Qeverinë që të përcaktojë kompetencat e qeverisë në largim, ka shtuar më tej ai duke kritikuar ministrin në largim Abelard Tahiri për mungesë vullneti që të adresojë shqetësimet e shoqërisë civile për këtë proces.