16:04

Thaçi telefonatë me ambasadorin Grenell, e mirëpret rolin e tij në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, njofton se ka realizuar sot një bisedë telefonike me Ambasadorin Richard Grenel të cilin dje Presidenti Donald Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka emëruar të dërguar special për negociatat paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka mirëpritur emërimin e Ambasadorit Grenell si i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi si dhe rolin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

“Emërimi juaj shton konfidencën dhe besimin tonë në këtë proces dhe në mundësinë për të arritur një marrëveshje të paqes, përfundimtare, me Serbinë”, është shprehur presidenti Thaçi në këtë bisedë telefonike.

“Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi presidenti Thaçi

09:17

Thaçi i gëzohet emërimit të Grenellit emisar amerikan në dialogun Prishtinë-Beograd

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mirëpritur emërimin e ambasadorit Richard Grenell si i dërguar i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Për kreun e shtetit ky emërim është një tjetër dëshmi që Presidenti Trump dhe administrata amerikane qëndrojnë pranë nesh në çdo hap të rëndësishëm.

“Tash jemi edhe më konfident në procesin e dialogut dhe në mundësinë që të arrijmë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, dhe kështu ta përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë”, deklaroi Thaçi.

Thaçi shtoi se ky është lajm i mirë edhe për rajonin si dhe të gjithë ata që angazhohen për paqe të qëndrueshme, për zhvillim, për jetë më të mirë për të gjitha shtetet në Evropën Juglindore.

“E kemi thënë gjithmonë dhe besojmë gjithmonë se jemi me fat që kemi përkrah Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Thaçi.