Arbëri

Cakaj thotë se në OKB Shqipëria po punon për njohjen e Kosovës

Gent Cakaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ka thënë se Shqipëria në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara po punon për të siguruar njohje për shtetin e Kosovës.

“Gjatë takimeve të shumta në New York do të punojmë veçanërisht në shërbim të njohjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Teksa ka shkruar në Facebook për hapjen e punimeve të Sesionit të 74-të të Asamblesë së Përgjithshme, ai ka thënë se “Çështja qendrore e punimeve të këtij sesioni do të jetë bashkëpunimi shumëpalësh në funksion të zbatimit të objektivave të platformës për zhvillim të qëndrueshëm 2030”.

“Ndër të tjera, një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet angazhimit të përbashkët kundër varfërisë së skajshme dhe ekstremizmit të dhunshëm, përpjekjeve për arsim më cilësor e zhvillim ekonomik dhe bashkërendimit të qëndrimeve për përballjen me ndryshimet klimatike”, ka shkruar ai.

Ai ka bërë të ditur se përpjekjet e Shqipërisë janë drejtuar kah sigurimi i mbështetjeve të vendeve të ndryshme për kandidaturën e Shqipërisë për vendin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

“Marrë parasysh ambicien e Shqipërisë për të siguruar vendin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023, një pjesë e konsiderueshme e përpjekjeve të delegacionit shqiptar do të drejtohet pikërisht kah sigurimit të mbështetjeve politike të vendeve të ndryshme pjesëmarrëse për kandidaturën tonë! Si bartëse e shumë nismave rajonale, anëtare e NATO-s dhe kryesuese e ardhshme e OSBE-së, Shqipëria jo vetëm ka dëshmuar besueshmërinë e lartë në rrafshin shumëpalësh në përgjithësi por ofron edhe një program pothuajse të pazëvendësueshëm për vendin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në veçanti”, ka shkruar ai.

Cakaj ka thënë se do të bisedojnë edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.