Gent Cakaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ka thënë se Shqipëria në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara po punon për të siguruar njohje për shtetin e Kosovës.
“Gjatë takimeve të shumta në New York do të punojmë veçanërisht në shërbim të njohjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTeksa ka shkruar në Facebook për hapjen e punimeve të Sesionit të 74-të të Asamblesë së Përgjithshme, ai ka thënë se “Çështja qendrore e punimeve të këtij sesioni do të jetë bashkëpunimi shumëpalësh në funksion të zbatimit të objektivave të platformës për zhvillim të qëndrueshëm 2030”.
“Ndër të tjera, një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet angazhimit të përbashkët kundër varfërisë së skajshme dhe ekstremizmit të dhunshëm, përpjekjeve për arsim më cilësor e zhvillim ekonomik dhe bashkërendimit të qëndrimeve për përballjen me ndryshimet klimatike”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë të ditur se përpjekjet e Shqipërisë janë drejtuar kah sigurimi i mbështetjeve të vendeve të ndryshme për kandidaturën e Shqipërisë për vendin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.
“Marrë parasysh ambicien e Shqipërisë për të siguruar vendin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023, një pjesë e konsiderueshme e përpjekjeve të delegacionit shqiptar do të drejtohet pikërisht kah sigurimit të mbështetjeve politike të vendeve të ndryshme pjesëmarrëse për kandidaturën tonë! Si bartëse e shumë nismave rajonale, anëtare e NATO-s dhe kryesuese e ardhshme e OSBE-së, Shqipëria jo vetëm ka dëshmuar besueshmërinë e lartë në rrafshin shumëpalësh në përgjithësi por ofron edhe një program pothuajse të pazëvendësueshëm për vendin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në veçanti”, ka shkruar ai.
Cakaj ka thënë se do të bisedojnë edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.