Arbëri

Tirana ndan një milion dollar për familjet e prekura nga tërmeti

Foto: Reuters

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vendimin për fondin një milion dollarësh për t’u ardhur në ndihmë të gjithë familjeve të prekura nga lëkundjet e tërmetit një ditë më parë.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se 20% e fondit do të shkojë në formë solidariteti për qytetin e Durrësit, i cili po ashtu u prek nga tërmeti.

“Sot po kalojmë një fond prej një milion dollarësh të ndarë 80% për qytetin e Tiranës, por në mënyrë simbolike vendimi i parë është për 20% të këtij fondi, pra 200 milionë lekë, për qytetin e Durrësit, në ndihmë të koleges sonë atje, që ka një sfidë akoma më të madhe. E fillon mandatin me një sfidë të jashtëzakonshme, me tërmet në qytetin e saj, kështu që do të doja shumë që t’i gjendeshim pranë Valbonës dhe vëllezërve e motrave në Durrës”, ka thënë Veliaj, raporton tch.

Po ashtu është miratuar edhe vendimi që pagesat për muajin shtator për të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuar dhe ata që marrin pagesa nga fondi 6% për ndihmën ekonomike ta marrin atë më parë.

“Nga nesër të mundësojmë lëvrimin e fondeve; jo vetëm kaq, por kemi futur në këtë projekt edhe pagesën për personat me aftësi të kufizuar, 1 deri më 30 shtator, dhe ndihmën ekonomike, sepse nuk ja vlen të presim fundin e muajit, le t’i kalojmë ndihmat më shpejt”, ka theksuar i pari i Tiranës.