Arbëri

Tërmetet në Shqipëri lanë shumë banorë pa shtëpi

Gjithsej 105 qytetarë të Tiranës dhe Durrësit kanë marrë trajtim për lëndime të ndryshme, ndërsa 3 prej tyre janë gjendje më serioze nga lëndimet e marra.

Kjo, si pasojë e tërmetit 5.8 shkallësh të rihterit që goditi Shqipërinë gjatë së shtunës, tërmet ky që dëmtoi edhe shumë shtëpi e banesa.

Më shumë se 500 shtëpi janë dëmtuar, derisa pa dëme nuk kanë shpëtuar as ndërtesat kolektive.

Ky tërmet, që preku të gjitha zonat e Shqipërisë, për banorët e qytetit të Tiranës, ka qenë mjaft traumatizues, raporton KTV.

E shumë prej qytetarëve, lëndimet kryesore i pësuan në tentim për t’u larguar nga shtëpitë e tyre pas dridhjeve.

Stadiumi i Durrësit është hapur këtë të diel, për të pranuar qytetarë që kanë mbetur pa strehë.

Kryeministri Edi Rama, i ka vizituar të lënduarit në Spitalin e Traumës në Tiranë, prej nga ka bërë thirrje që të mos bëhet panik, pasi që më e keqja ka përfunduar.

Derisa nga Ministria e mbrojtjes thonë se ky tërmet është më i fuqishmi që ka goditur vendin në 30 vjetët e fundit.

Për gjendjen e krijuar pas tërmetit, pati reagime nga diplomatë vendorë e të huaj, përmes postimeve në rrjetet sociale, të cilët shfaqën përkrahjen e tyre për Shqipërinë në këto kohë të vështira.