Disa grave të kthyera nga Siria u ndërrohet masa e sigurisë nga arresti shtëpiak në paraqitje në Polici

Leonita Bajrami 21 September 2019 20:20

Që nga muaji prill, nga Prokuroria Speciale është bërë e ditur se kanë kërkuar masën e arrestit shtëpiak për gratë e kthyera nga Siria.

Mirëpo, gjatë këtyre muajve, masat e sigurisë nuk kanë qenë të njëjta për të gjitha ato, raporton KTV.

Avokatja Merita Bajraktari, thotë që klientja e saj është njoftuar këtë të premte për ndryshimin e masës së sigurisë.

Klientja e Bajraktarit tash ka masën e paraqitjes në polici.

Ndërkaq, ajo nuk është e vetmja që i është ndërruar masa.

Edhe avokatja Sabrie Jashari, e ka konfirmuar për KTV-në se edhe klientes së saj i është ndërruar masa nga arresti shtëpiak në lajmërim në polici.

Për televizionin avokatja Donjeta Leka, ka treguar sa pas një muaji paraburgim, Prokuroria nuk ka bërë asnjë kërkesë për masë të sigurisë për klientin që ajo mbron, pasi që, sipas saj, e njëjta kishte shkuar në Siri kur ishte e mitur.

E ndërrimin e masave të sigurisë për 32 të kthyerat nga zona e konfliktit, e ka konfirmuar edhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, ka marrë aktvendim dhe 24 të pandehurave ua ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje edhe për nga 2 muaj për secilën veç e veç. Për 4 të pandehura, është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor, ndërsa për 4 të pandehura të tjera nuk ka pasur kërkesë për vazhdimin e ndonjë mase nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka thënë Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, pyetjeve të Kohavisionit lidhur me hetimin e të kthyerave nga Siria nuk u është përgjigjur Prokuroria Speciale.

Në anën tjetër, sipas një hulumtimi që ka bërë Instituti i Kosovës për Drejtësi, rastet e terrorizmit janë trajtuar më seriozisht nga Gjykatat.

Gjatë muajit gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet heqje lirie një nga të kthyerat nga Siria.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme