Arbëri

KCSF fton shoqërinë civile të jenë pjesë e thirrjes së dytë të programit që financohet nga Norvegjia

Descriptive Text

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ka organizuar sot sesion informues për organizatat joqeveritare për thirrjen e dytë në “Programin e Shoqërisë Civile për Shqipëri dhe Kosovë”, thirrje kjo e cila është hapur më 26 gusht dhe afati i fundit për aplikim është 30 shtator 2019, transmeton kp. 

Drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha tha se qytetarët e kanë humbur besimin në institucionet udhëheqëse, ndërsa për 10 vjet më shumë se gjysma e qytetarëve po i besojnë shoqërisë civile.

Sipas tij projektet e thirrjes së parë të këtij programi janë duke u zbatuar në disa fusha si lajmet e rreme, edukimi jo formal, mbrojtja e mjedisit etj.

Hoxha ka kërkuar nga të gjithë organizatat joqeveritare që çdo cent që marrin për financim ta shfrytëzojnë me seriozitet.

“Është një mundësi shumë e mirë për ne si sektor që në këtë kohë krize të besimit ta shfrytëzojmë rolin tonë për t’i përfaqësuar qytetarët, për t’u bërë zë i tyre, për t’i sjellë brengat e tyre në sipërfaqe. Ne në KCSF dhe kushdo nga ne e marrim këtë me përgjegjësi të madhe. Çdo cent për përkrahje që e pranojmë ta trajtojmë me seriozitet, pasi është e vetmja mënyrë për të treguar se po i besojmë asaj që e shkruajmë që e flasim”, tha ai.

Përfaqësuesi nga Ambasada e Norvegjisë në Prishtinë, Maguus Azevedo Stiro tha se Norvegjia shoqërinë civile e konsideron si kyçe në një shoqëri demokratike.

Duke e konsideruar shoqërinë civile si një kujdestar që e bënë një qeveri llogaridhënëse, Azevedo Stiro shprehu gatishmërinë e shtetit norvegjez për të asistuar Kosovën në procesin zgjedhor të 6 tetorit.

“Roli i palës së tretë që organizatat e shoqërisë civile që përfaqësojnë shpesh quhen si kujdestarë janë me rëndësi për të shtyrë progresin dhe për të mbajtur qeverinë llogaridhënëse, prandaj Norvegjia mbështet organizatat e shoqërisë civile dhe ka vënë në dispozicion fonde për organizatat e Kosovës gjithandej vendit. Kosova është duke u përballur me kohëra të rëndësishme, njerëzit do të vendosin për fatin e tyre në zgjedhje. Kjo është një prej mundësive më të rëndësishme për të adresuar sfidat me të cilat përballet Kosova. Norvegjia dëshiron të asistojë në këtë proces”, tha përfaqësuesi i Ambasadës norvegjeze.

Ndërsa, menaxherja e programit që financohet nga Norvegjia, Teuta Purrini Xhabali tha programi synon forcimin e shoqërisë civile, me qëllim që Kosova dhe Shqipëria të jenë sa më shpejt anëtare të Bashkimit Evropian.

Teksa ka treguar kriteret dhe mënyrën e aplikimit, Purrini-Xhabali u shpreh se për thirrjen e dytë janë ndarë nga shteti i Norvegjisë mbi 340 mijë euro për projektet e shoqërisë civile në Kosovë.

“Programi synon që përmes një shoqërie civile demokratike aktive dhe të fuqishme të shtyjë përpara procesin e integrimit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Mosdiskriminimi dhe barazisë gjinore, mediat e pavarura, pakicat dhe grupet e margjinalizuara, mbrojtja e mjedisit dhe lufta kundër korrupsionit realisht janë pesë temat e programit në përgjithësi, por edhe të thirrjes së dytë që kemi lansuar në kuadër të këtij projekti”, tha ajo.

Ndryshe, thirrja e dytë për aplikim të shoqërisë civile për programin e shoqërisë civile për Shqipëri dhe Kosovë financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, ndërsa implementues është KCSF.

Projekti i përgjithshëm “Programi i Shoqërisë Civile për Shqipëri dhe Kosovë” ka filluar në shtator të vitit 2018 dhe pritet të përfundojë në gusht 2021.