Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ia kishte lënë në dorë dialogun presidentit Hashim Thaçi, por ia ka hequr duke e kthyer në një tavolinë serioze së bashku me Angela Merkelin e Emmanuel Macronin, raporton KTV.
Haradinaj ishte kritikuar për heqjen dorë nga dialogu, duke lejuar që dialogun me Serbinë ta udhëheqë presidenti Hashim Thaçi.
“Nuk ia kam lënë në dorë presidentit, por ia kam heq prej dore. E kemi heq prej një dialogu prej dyerve të mbyllura, prej agjendave të fshehta dhe e kemi kthyer në një tavolinë serioze të dy liderëve siç janë Angela Merkel dhe Emmauel Macron. Ia kam heq prej dore qysh ka qenë duke u zhvilluar”, ka thënë Haradinaj në debatin “Fol Hapur” të organizuar nga Lëvizja Fol.
Ai është optimist se do të gjendet një zgjidhje, derisa ka theksuar se është një nga liderët me qëndrimet më të qarta karshi dialogut.
“Unë mendoj se do të gjejmë zgjidhje. Marrëdhëniet me një palë duhet me qenë të qarta e jo të mjegulluara. Qartësia ime në marrëdhëniet me Serbinë nuk ka lënë dilema se cila do të jetë zgjidhja. Mendoj që prej udhëheqësve të Kosovës askush nuk ka qëndrime më të qarta”, ka thënë Haradinaj.
Me këtë rast ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave.
“E vërteta është që Qeveria që është udhëheq prej meje ka pas dinamikë shumë të madhe për me i plotësu kriteret për liberalizim. Nëse e merrni kohën dhe dinamikën qeverisëse të fokusimit të pjesës kontraktuale për vizat është kohë rekord”, ka thënë Haradinaj, raporton KTV.
Ai pret që deri për Krishtlindje të ketë një lajm rreth liberalizimit të vizave.
“Tani jemi te Këshilli i Ministrave dhe mundet me hy në rend dite para 1 nëntorit. Është opsionale që me marr lajmin para Krishtlindjeve”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij nuk është një situatë e vetos nga ndonjë shtet me rastin e liberalizimit.
“Duhet të vazhdojmë komunikimin me Francën. Nuk mendoj se ka veto prej dikujt, ose nuk është një situatë e vetos. Mendoj se po vijmë te ajo kohë që një e drejtë e munguar kaq gjatë do të ndodhë”, ëshë shprehur Haradinaj.
E në këtë debat Haradinaj ka pranuar se ka pasur vendime të gabuara në qeverisjen e tij.
“Ka edhe vendime të gabuara kjo qeveri. Nëse flasim për pagat nuk ka qenë vendim i mirë. Ky vendim e ka pas edhe një bisht – ka rezultuar me rritjen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët. E falë punës time sot ka bazë ligjore për pagat”, ka thënë Haradinaj.
Si të gabuar e cilëson edhe vendimin për shkarkimin e Komisionit të Cilësisë në Arsim.
“Edhe sot nuk jemi të kënaqur për cilësinë në arsim. Ka qen një bindje që ka të paprekshëm e kjo është bërë për me iu tregu që nuk ka të paprekshëm. Taksa është një proces që ka efekte të shumta, njëra prej tyre është edhe popullizmi politik, e pranoj. Por, iu siguroj që ky vendim e ka kthyer Kosovën në tavolinën e të barabartëve. Nuk jemi lëndë e parë për askënd, jami palë”, ka deklaruar ai.