Paragjykimi që çon në izolim

Paragjykimi që çon në izolim

14 September 2019 18:08

Janë bërë më shumë se 13 vjet prej se Shahe Sinani nga Fushë Kosova kujdeset për një vajzë me nevoja të veçanta, e cila ishte braktisur menjëherë pasi ka lindur nga prindërit e saj biologjikë.

Para 13 vjetësh, Shahe Sinani kishte shkuar që ta vizitonte djalin e vëllait të saj i cili ishte i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ku e kishte parë një vajzë të vogël, të sëmurë dhe pa përkujdesje prindërore.

Problemet ekonomike që kishte në familje e saj, nuk e penguan Shahen që të strehonte vajzën.

“Më ka thirrur vëllai dhe kam shkuar që ta vizitoj djalin e vëllait dhe e kam parë këtë (vajzën) duke vuajtur. Kur e kam parë duke vuajtur, iu thashë, ku e ka nënën ky fëmijë? O, kishte qenë e uritur, do pure aty, tri ditë kemi shkuar, atë pure e ka ngrënë ai fëmijë. Nuk i hante vetëm i villte. Thashë: ‘Po t’i kisha kushtet, pa e marrë nuk e kisha lënë, por s’i kam, e si ta marr?!’”, thotë Shahe Sinani.

Për këto 13 vite, Shaha është përballur me vështirësi të ndryshme, mirëpo thotë se nuk ka hequr dorë asnjëherë nga përpjekja për të integruar vajzën në shoqëri. Por shpesh herë ajo është ndjerë keq për paragjykimet që ka hasur kur ka nxjerrë vajzën në publik.

“Unë e nxjerr ta shëtis, por që krejt të ndalen e ta shikojnë në këmbë, unë ende nuk kam parë. Hajde kur ta qet njeriu më së pari, por çdo natë e qes dhe t’ia ngulin sytë ashtu, është shumë keq. Ne jemi shumë të ngushtë. Nuk bën ashtu. Pastaj vajza nuk po del. ‘Qe nënë, po më shikojnë krejt!’ I thashë: ‘Jo nënë, po më shikojnë mua që jam plakur, s’je plakë ti, mua po më shikojnë jo ty’. Tha: ‘Jo, këmbët e mia po i shikojnë’”, tregon ajo.

Familja e Shahes është munduar që ta dërgojë në shkollë të rregullt vajzën, mirëpo mungesa e qasjes në objekte shkollore si dhe mungesa e asistentëve nëpër shkollë, kanë ndikuar që ajo të ndërpresë mësimin vazhdimisht.

Me fillimin e këtij viti shkollor, Shaha është angazhuar sërish që të dërgojë vajzën në shkollë, pasi mendon se shoqërimi me nxënës i ndihmon që të mos qëndrojë në izolim.

Për paragjykimet dhe izolimin e personave me nevoja të veçanta zërin e ka ngritur vazhdimisht organizata Handikos. Në këtë organizatë thonë se personat me nevoja të veçanta, pavarësisht moshës, mbesin të izoluar duke mos qenë pjesëmarrës aktiv në shoqëri.

Drejtues i shoqatës Handikos, Afrim Maliqi përmend tre shkaktarë që ai mendon se ndikojnë në përjashtimin e këtij grupi nga shoqëria.

“Shkaktari i parë është legjislacioni i cili nuk i merr mirëfilli në konsideratë të drejtat e tyre dhe nuk i zbaton respektivisht ato. Shakatari i dytë është ambienti i paqasshëm apo infrastruktura dhe shkaktari i tretë janë edhe paragjykimet e shoqërisë që ekzistojnë ndaj fëmijëve, por edhe ndaj të rriturve me aftësi të kufizuara, ku ato paragjykime mandej shndërrohen në komplekse, pastaj ato komplekse shndërron në izolim të familjeve dhe ato familje mbesin jashtë shoqërisë”, tha Maliqi.

Izolimi eventual i këtyre personave ka efekt tejet negativ, thotë psikologia dhe specialistja për edukim, Mira Gashi-Aziri. Ajo kërkon që institucionet të punojnë më shumë me këtë kategori dhe në veçanti me familjet të cilat mund t’i ndihmojmë personat me nevoja të veçanta që të jenë pjesë aktive e shoqërisë.

“Çdo izolim qoftë edhe i njerëzve që nuk kanë këso lloje të aftësive, qoftë të kufizuar, qoftë fizike, qoftë fiziologjike, qoftë psikologjike, secili njeri e bënë d.m.th pakëz të vështirësuar në pjesëmarrje në jetë, e përkundër kësaj te këto kategori shtohet edhe njëherë më shumë ajo rëndesa mbi ta sepse ata kanë nevoja të veçanta dhe specifike të cilat familja duhet të t’ia ofrojë, e së pari edhe shteti”, tha për Radio Evropa e Lirë psikologia, Gashi-Aziri.

Sa i takon kategorisë së fëmijëve me nevoja të veçanta, zyra e UNICEF-it në Kosovë ka kërkuar nga institucionet mundësimin e qasjes së tyre në sistemin arsimor. Shefi i zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin thotë se në integrimin e kësaj kategorie duhet të ndihmojë e gjithë shoqëria.

Lajmin e plotë mund ta lexoni në REL.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme