Arbëri

Serbia nënshkruan kontratën financiare për ndërtimin e autostradës Nish-Merdar

Serbia ka nënshkruar sot kontratën financiare 100 milionë eurosh për ndërtimin e autostradës Nish-Merdar, që e lidh këtë vend fqinj me Kosovën me rrugë moderne.

Siç raporton B92, kontrata u nënshkrua në Beograd nga ministrja e serbe e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Zoarana Mihajlloviq, dhe drejtori i sektorit për Itali, Maltë, Slloveni, Kroaci dhe Ballkan Perëndimor të Bankës Investuese Europiane , Migel Morgado.

Në Qeverinë e Serbisë theksohet se ndërtimi i autostradës Nish-Merdar (kufiri me Kosovën) nuk është i rëndësishëm vetëm për zhvillimin ekonomik dhe ndërlidhjen e qarqeve, por ka rëndësi edhe në aspektin politik, meqë kështu dëshmon interesin dhe dëshirën e Serbisë se marrëveshja arrihet me kompromis, transmeton Koha.net.

Mihajlloviq ka theksuar se kjo rrugë do t'i mundësojë Serbisë daljen në det.

Kjo autostradë, sipas saj, është njëra nga gjashtë që do t'i ndërtojë Serbia gjatë vitit 2019 e 2020.

BE ka inicuar dhe mbështetur modernizimin e lidhjeve me rrugë në rajon.

Komisarja e Komisionit Europian për Transport, Violeta Bullc ka thënë se ndërtimi i autostradës Nish-Merdar është e rëndësishme për ndërlidhjen e rajonit, ndërsa ndërlidhja do të thotë paqe e shpresë, përcjell Koha.net.