2 perditesime
17:25

Haradinaj: Shpallja e Kushtetutës, akt themeltar i shtetësisë sonë

Sot bëhen 29 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik, e cila fuqizonte ligjërisht Deklaratën e Pavarësisë së 2 Korrikut të vitit 1990.

Kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj, ka thënë se ky akt themeltat është ngjarja më madhore e legjitimiteti juridik e politik të të drejtës.

“Sot, 29-vjet më parë, përfaqësuesit e popullit të Kosovës, shpallën në Kaçanik, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si shprehje e vullnetit për të jetuar të lirë e të pavarur. Ky akt themeltar i shtetësisë sonë, është ngjarja më madhore e legjitimimit juridik dhe politik të të drejtës sonë. Nderim dhe respekt për gratë dhe burrat e guximshëm, që e rreshtuan vendin në rrugën e pakthyeshme të pavarësisë, e cila me luftën çlirimtare, si vazhdimësi e përpjekjeve të lëvizjes kombëtare shqiptare, u bë realitet”, ka shkruar Haradinaj.

12:18

Thaçi i quan guximtarë delegatët që votuan Kushtetutën e Kaçanikut

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka kujtuar shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut para 29 vitesh.

Kreu i shtetit tha se sot me konsideratë të lartë kujtojmë të gjithë delegatët që në rrethana të rënda okupimi treguan guxim qytetar dhe artikuluan aspiratën tonë kombëtare dhe politike për liri dhe pavarësi.

“Para 29 viteve delegatët e Kosovës në Kaçanik aprovuan dokumentin më të rëndësishëm politik dhe juridik të asaj kohe, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si shprehje të vullnetit politik të qytetarëve shumicë. Sot, me konsideratë të lartë kujtojmë të gjithë delegatët që në rrethana të rënda okupimi treguan guxim qytetar dhe artikuluan aspiratën tonë kombëtare dhe politike për liri dhe pavarësi”, shkroi Thaçi.

Image
12:13

Veseli rikujton Kushtetutën e Kaçanikut historike në përpjekjet për liri e pavarësi

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se shpallja e Kushtetutës së Kosovës në Kaçanik para 29 vjetësh ishte moment historik për popullin tonë.

“Pas Deklaratës së 2 Korrikut, 7 Shtatori i vitit 1990 i dha një kthesë të re historike përpjekjeve gjithëpopullore për liri e pavarësi. Përkundër persekutimeve të vazhdueshme, guximi dhe organizimi ynë për t’i dhënë fund ish-Jugosllavisë sa vinte e bëhej më i madh”, shkroi Veseli.

Ai tha se këto përpjekje kulmuan me krijimin e rezistencës së armatosur, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljen e shtetit tonë të pavarur e sovran, që sot e gëzojmë të lirë.

“Sakrifica e shumë gjeneratave, të cilave u jemi përjetësisht mirënjohës, ka bërë që ne ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë. Të kaluarën e lavdishme e kemi të përbashkët dhe bashkë duhet ta ndërtojmë edhe të ardhmen, për çdo qytetar, për shtetin tonë”, tha Veseli./KsP.

Image