Haradinaj me përfaqësuesit e partive politike nga Medvegja – Serbia po i fshin shqiptarët nga listat e votuesve

Haradinaj me përfaqësuesit e partive politike nga Medvegja – Serbia po i fshin shqiptarët nga listat e votuesve

05 September 2019 15:37

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovë, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e partive politike nga Medvegja, përfaqësuesit e Alternativës për Ndryshim, të Partisë Demokratike dhe atë të Partisë për Veprim Demokratik, me të cilët thotë të ketë biseduar për situatën dhe zhvillimet aktuale në rajon.

Haradinaj, siç njofton kumtesa për media, ka shprehur angazhimin dhe mbështetjen për komunitetin shqiptar në këtë komunë për të realizuar të drejtat e veta dhe për të siguruar mbijetesën në këto treva.

“Duke vlerësuar situatën aktuale, Komuna e Medvegjës do të mbajë zgjedhjet për autoritete komunale këtë të diele, dhe në takim është theksuar nevoja që komuniteti shqiptar duhet të jetë unik dhe duhet të gjejë forma dhe rrugë të bashkëveprimit dhe përfaqësimit adekuat në këto organe”, thuhet të ketë thënë Haradinaj.

“U pajtuam që të gjithë shqiptarët me të drejtë vote, në këtë komunë, duhet ta kryejnë obligimin qytetar dhe të votojnë kandidatët më të mirë” ka thënë Haradinaj, duke shtuar se si Qeveri në dorëheqje do t’i adresojnë me kujdes shqetësimet e tyre për faktin se shteti serb po e vazhdon diskriminimin e shqiptarëve të këtij rajoni duke i fshirë nga lista e votuesve si dhe nga adresat legale, në vendbanimet e tyre, me qëllim të mohimit të së drejtës së votës dhe pamundësimit të përfaqësimit të tyre në nivel komunal.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme