Arbëri

Haradinaj: Kompanitë tona shquhen për produkte cilësore

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi sot një vizitë pune në kompaninë e prodhimit dhe përpunimit të mishit “Meka”, në komunën e Dragashit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Fillimisht kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, u prit nga vëllezërit Burim Piraj dhe Ilir Piraj, nga të cilët u informua për veprimtarinë e tyre, sfidat me të cilat përballen, por edhe sukseset e arritura deri më sot dhe pa nga afër punën që bëhet në këtë kompani të prodhimit dhe përpunimit të mishit.

Haradinaj tha se kjo vizitë është mundësi e mirë për të parë nga afër punën e madhe që bënë familja Piraj.

“Nuk është e lehtë të punohet këtu ku jemi, me një lartësi mbidetare dhe me largësi nga zonat tjera të ekonomisë dhe industrisë, por këta e duan vendin e vet dhe kanë punësuar një numër të madh të punëtorëve, rreth 80 që punojnë në kompaninë ‘Meka’, e cila shquhet për produkte që janë vërtetë kualitative që kanë fituar besimin edhe të qytetarëve të vendit, por edhe të tregjeve të jashtme”, tha Haradinaj.

Më tej, kryeministri në detyrë tha se ka vështirësi në rritje, por duke njohur pronarin e kompanisë, Burimin, një njeri i cili i përkushtohet punës, është i bindur për një të ardhme më të mirë të kompanisë.

“Jam i bindur se në të ardhmen do të shohim një kompani shumë më të madhe të një zinxhiri ushqimor, edhe të atyre që sot importohet, ngase një pjesë të madhe të lëndës së parë kompania “Meka” e importon nga Gjermania, e që do të mund ta siguronte edhe në Kosovë, por shpresoj se e ardhmja do të jetë e suksesshme, ashtu siç i ka planet për zhvillim”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Burim Piraj, pronar i Kompanisë “Meka”, falënderoi kryeministrin në detyrë Haradinaj për vizitë, të cilit i ka prezantuar të arriturat, problemet dhe planet zhvillimore në të ardhmen.


“Mendoj se me një bashkëpunim më të madh me institucionet tona do të kemi mundësi zhvillimore edhe më të mëdha, jo vetëm për kompaninë tonë, por edhe për ekonominë vendore”, tha Piraj.