Selimi: Osmani s’e ka fuqinë brenda LDK-së

Selimi: Po të kishim ndonjë ngjashmëri me PDK-në do të ishim si PSD-ja

02 September 2019 23:42
00:01

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, nuk ka dashur të flasë për siç i quan ai, ikjen e deputetëve të VV-së në PSD.

“Pse të mos flasim për prurjet, që janë të shumta dhe cilësore”, ka thënë Selimi.

I pyetur se Vetëvendosje po kritikohet për këto prurje edhe për faktin se po merr ish-figura të PDK-së.

“Jemi kritikuar pa bazë, mos të harrojmë, jetojmë në një shoqëri ku nuk mund të sjellim njerëz nga Kina. Ne rritemi me ata njerëz që janë zhgënjyer nga subjektet tjera. Ata janë munduar që t’i ndalin e t’i joshin me shumëçka sa kanë qenë në ato subjekte, e kur kanë ikur nga atje janë kritikuar e sharë”, ka thënë Selimi, në Interaktiv të KTV-së.

“Është një maksimë: Për parti s’e ndërroj idealin, por për ideal e ndërrojë partinë”, ka shtuar më tej ai.

Ai ka thënë PDK-ja nuk mund t’i trajtojë njerëzit si pronë e saj.

“Jo, njerëzit kanë qenë atje dhe janë penduar për atë gjë. Është zhvillim edhe për ata që vijnë, edhe për shoqërinë”, ka thënë Selimi.

Kur i është kujtuar deklarata e ish-bashkëpartiakut të tij, Dardan Molliqaj, se Vetëvendosje është bërë PDK 2.0, Selimi ka thënë se “e di që këtë gabim ai e bën me qëllim”.

“Po të kishim ndonjë ngjashmëri me PDK-në do të ishim si PSD-ja”, ka thënë Selimi. “Nuk kam përgjigje tjetër, se edhe në leksikun tim nuk e kam të mbushur me fantazira të tilla”, ka shtuar më tej ai.

PSD-në bashkë në koalicionin me AAK-në, ai nuk i sheh konkurrent.

“Jo morë çfarë. Për shumë arsye. AAK-ja e pati qeverinë dhe dha dorëheqje, pra pranoi që nuk është për të udhëhequr me vendin. E edhe koalicioni i saj me PSD-në është një dështim”, ka thënë Selimi. “Kur e kemi kritikuar PSD-në si mbështetëse të qeverisë na thoshin se nuk është ashtu. Por tash ata po e thonë të kundërtën. Haradinaj po thotë se duhet t’i shpërblejë se na kanë ndihmuar në qeverisje, madje ia atribuojnë edhe disa punë si ushtria që s’është fare ashtu”, ka thënë ai.


Selimi numëron se për çfarë do të mbahet mend Haradinaj si kryeministër

Duke mos dashur të flasë më për Gjykatën Speciale dhe debatin me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj në këtë pikë, ish-deputeti i VV-së Rexhep Selimi ka numëruar në Interaktiv të KTV-së arsyet për të cilat thotë se Haradinaj do të mbahet mend si kryeministër.

“Mjafton t’ua kujtojmë qytetarëve për çka e kujtojnë qeverinë Haradinaj dhe dihet. Sepse hoqi dorë nga kauza e mbrojtjes së 8200 hektarëve. Mbahet mend për demarkacionin, rritjen e pagës, faljes së borxheve, 53 milionë të Bechtelit, 82 zëvendësministra, për nepotizmin që e ka pranuar me mburrje, por edhe punësimet partiake”, ka thënë ai.

Selimi ka thënë se s’duhet mohuar kontributi i Haradinajt për Ushtrinë e taksën, por këtu ka shtuar se këto s’duhet përvetësuar.

“S’i mohoj asnjë kontribut. Por s’pranoj që asnjë kontribut i të tjerëve të përvetësohet. Ushtria s’ka pas asnjë votë kundër, përveç Listës Serbe. Opozita ka votuar më shumë se koalicioni qeverisës. VV ka dhënë dy amendamente esenciale. Kur ka ardhur draftligji ishte neni që FSK-ja mbron integritetin territorial, e ne kemi shtuar se mbron integritetin dhe sovranitetin. Amendamenti tjetër ishte që FSK-ja të mos e ketë të mbyllur numrin as në 3000 e as në 5000 e nga ajo kohë varësisht nga buxheti ka të drejtë të marrë më shumë. A s’do të duhej të na atribuohen këto amendamente ne. Po themi e kemi bërë bashkë. Të mos përvetësohen. Edhe taksën e kemi mbrojtur bashkë. Ishim opozitë e s’kemi pas fuqi të marrim vendime, por ishim të parët që kemi kërkuar reciprocitet me Serbinë. Kush ishte subjekti politik që ka mbështetur taksën. Kur e kanë kundërshtuar partnerët, edhe presidenti ne e kemi mbrojtur. A duhet të brohorasim për Haradinajn. Ne themi se taksa s’ishte e mjaftueshme. Është tarifë e caktuar doganore, por duhet të ketë reciprocitet ekonomik e tregtar. Haradinaj do të duhej të mbante taksën, por edhe kufirin. Është e lehtë të vësh taksë e të mos e kontrollosh kufirin e të ketë kontrabandë. Ka pas kontrabandë e vazhdon të ketë”, ka shtuar ai.

23:42

Selimi: Osmani s’e ka fuqinë brenda LDK-së

Rexhep Selimi, ish deputet i Vetëvendosjes, ka dhënë arsyet përse kjo parti ka refuzuar një listë të përbashkët me LDK-në, nëse aty do të ishte vetëm Vjosa Osmani e LDK-së si kandidate për kryeministre.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se Albin Kurti, kryetar i VV-së, ka fuqinë brenda partisë së tij, për dallim nga Osmani e LDK-së.

“Detyra e kryeministrit s’është thjeshtë një post, një karrige. Është parim, por edhe kompetencë. S’duhet të shihet si post, si karrige, si pozicion. Insistojmë që në krye të qeverisë për ndryshim duhet të jetë kryeministër ai që e merr këtë detyrë dhe e çon në fund misionin e dhënë nga qytetarët. Po flas në aspektin praktik. Vjosa Osmani në njërën anë s’është kryetare e LDK-së. Në anën tjetër Kurti është lider i VV-së. LDK-ja në zgjedhjet e shkuara ia ofroi numrin 81 Osmanit. LDK-ja në një garë të caktuar, për pak sa s’ia ndaloi edhe garën. S’mendoj që Osmani e ka fuqinë brenda partisë”, ka thënë ai.

Duke komentuar refuzimin e LDK-së që të hyjnë në një listë me dy kandidatët e ai që merr më së shumti vota bëhet kryeministër, Selimi ka thënë se ky propozim s’do të ishte garë mes vete siç deklaroi LDK-ja, por garë kundër të tjerëve.

Ai ka shtuar se nëse do të bëhej një listë e përbashkët parazgjedhore mes VV-së e LDK-së, ajo do të dihej se do të fitonte akoma pa u mbajtur zgjedhjet.

Selimi po ashtu ka thënë se në Kuvend do të krijohej shumicë parlamentare vetëm me dy koalicione, mes VV-së e LDK-së, apo ai mes LDK-së e PDK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme