Arbëri

ASK-ja fut në regjistrim komunat veriore

Edhe pse katër komunat veriore të Kosovës kishin refuzuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka futur në sistem edhe këto komuna për vlerësim të popullsisë që është bërë për vitin 2018, e që tregon se në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, numri i banorëve është 41 mijë banorë.

Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për statistika, Isa Krasniqi, thotë për KP se në bazë të regjistrimit në vitin 2011 dhe vlerësimit të popullsisë për vitin 2018, në tërë Republikën e Kosovës numri i banorëve është 1 milion e 795 mijë e 666.

Krasniqi thotë se regjistrimi i ardhshëm në Republikën e Kosovës, sipas standardeve dhe rregullit Evropian dhe Botëror, do të mbahet në vitin 2021, për të cilin janë duke u zhvilluar edhe përgatitjet.

“Ne po flasim për popullatën e Republikës së Kosovës, në totalin e territorit të Republikës Kosovës, duke përshirë çdo pjesë të Republikës së Kosovës. Pra, ne kemi bërë vlerësim, pavarësisht sepse ndoshta mund të keqkuptohet, pasi që në vitin 2011 kemi pasur një refuzim të katër komunave të Republikës së Kosovës në veri, mirëpo Agjencia e Statistikave të Kosovës ka shfrytëzuar burime të ndryshme dhe shumë të rëndësishme dhe ka bërë vlerësim për atë pjesë duke e futur pastaj në përllogaritjen e popullsisë totale”, thotë Krasniqi.