Mustafa s’e pranon ofertën e Kurtit: Propozimi juaj dëmton interesin e përbashkët Foto: Koha

Mustafa s’e pranon ofertën e Kurtit: Propozimi juaj dëmton interesin e përbashkët

30 August 2019 17:16

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka refuzuar ofertën  e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ai përmes një letre dërguar këtij të fundit ka thënë se LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates së LDK-së për kryeministre.

Ai thotë se propozimi i Kurtit shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndërmjet LDK-VV, ndërsa sipas tij, kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.

Po ashtu, Mustafa thotë se, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.

“LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerrë vendin nga izolimi”, ka shkruar ai.

Ai thotë se gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor.

Sipas tij, LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qytetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim.

“LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet. LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udhëheqë vendin”, ka shkruar tutje ai.

Lexo edhe: Kurti letër Mustafës: Të garojmë me listë të përbashkët, kush votohet më shumë bëhet kryeministër

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Wayne 03/09/2019 13:15

Kur në thelb je antidemokrat dhe i tutesh konkurrencës, atherë dëshiron një paravëndim që të siguron nga dështimi i mundshëm. Kjo është sjellje pa kurajo.

Shto koment

Të ngjashme