Sipas Arbërie Nagavcit të VV,  “çkapjen e shtetit nga “Klani Pronto” nuk mund ta udhëheq LDK”

Sipas Arbërie Nagavcit të VV, “çkapjen e shtetit nga “Klani Pronto” nuk mund ta udhëheq LDK”

28 August 2019 08:55

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi se partia e saj me vite është angazhuar që të jetë alternativa e vërtetë për vendin. Ajo tha se janë të gatshëm për kompromise në interes të qytetarëve, por jo dhe të grupeve klienteliste.

Duke kujtuar zgjedhjet e fundit të vitit 2017, Nagavci tha se Vetëvendosje e vetme e mundi koalicionin e LDK-së me katër parti të tjera. Ajo. siç transmeton RTK, shkoi edhe më tej kur tha se në çkapjen e shtetit nga “Klani Pronto” nuk mund të udhëheq LDK.

“Në zgjedhjet e parafundit, në qershor 2014, ne u tradhtuam, kur pas VLAN-it, LDK shkoi me PDK-në duke shkelur marrëveshjen e 10 shtatorit 2014. Ne nuk mund të lejojmë të tradhtohemi sërish, dhe do të fitojmë këto zgjedhje, sepse qytetarët e duan ndryshimin e vërtetë. Në çkapjen e shtetit nga Klani Pronto nuk mund të udhëheq LDK”, tha ajo.

Nagavci foli edhe për ofertën që Lëvizja i ka bërë LDK-së, duke thënë se është për dy mandate dhe me rotacion për pozitën e kryeministrit.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk po kërkon vetëm ardhjen në pushtet, por një kërkim bashkëpunimi strategjik për së paku dy mandate. Kjo është oferta që i kemi bërë tash sa muaj LDK-së. Ne kemi propozuar rotacion në marrjen e përgjegjësisë, ashtu që në mandatin e parë qeverisës kabineti qeveritar do të udhëhiqej nga i nominuari i Vetëvendosjes, përderisa mandati i dytë t’i takonte LDK-së”, tha ajo.

Sipas saj, kjo jo vetëm se do të fuqizonte bashkëpunimin dhe do të rriste shpresat e qytetarëve, por do të ndihmonte të të dy subjektet dhe do të tregonte se çkapja e shtetit dhe luftimi i krimit e korrupsionit është betejë që mund të fitohet dhe LDK-së do t’i jepte mundësinë që duke bashkëqeverisur në një qeveri të pastër do të tregonte se vërtet janë të gatshëm për t’u reformuar e për të pastruar veten nga e kaluara jo shumë e largët e jo shumë e lavdishme e qeverisjes me PDK-në.

“Besoj se kjo bashkëqeverisje me rotacion do të forconte dhe pozicionin e vet Vjosa Osmanit si në partinë e saj ashtu dhe në mundësinë për të vazhduar një qeverisje ndryshe, për të bërë vërtet një kthesë në historinë e zhvillimeve dhe politikave në interes të qytetarëve duke e luftuar të keqen e jo duke bërë përpjekje vetëm për ta zbutur atë”, tha Nagavci.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme