Arbëri

Vulini: Bota do të jetë përgjegjëse nëse mbyll sytë para projektit “Shqipëria e Madhe”

Foto: Koha

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin ka folur sot për “Shqipërinë e Madhe”, duke ftuar “botën se nëse mbyllin sytë, atëherë ata do të jenë përgjegjës për të keqen që do të vijë”.

“Fatkeqësisht, ne jemi dëshmitarë të përmendjes së projekteve të ‘Shqipërisë së Madhe’, se e ‘keqja e madhe’ po përsëritet. Unë i them të gjithë botës se nëse mbyllin sytë dhe heshtin, ata duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre ‘për të keqen’ që do të dalë nga ky projekt”, tha Vulin.

Ai tha se “të gjithë duhet ta dinë se ajo që u lejohet shqiptarëve nuk mund të ndalohet për serbët, pasi çështja kombëtare e shqiptarëve nuk mund të zgjidhet pa zgjidhur çështjen kombëtare të serbëve”, transmeton Ksp.

Tutje Vulini ka folur edhe për Republikën Serbe të Bosnjës. Ka thënë se për sa kohë që Serbia drejtohet nga Aleksandar Vuçiq, përparësia e politikës së saj të jashtme do të jetë Republika Serbe dhe se asnjë "Stuhi" nuk do të përsëritet më.

Vulin theksoi se Republika Serbe nuk e ka ushtrinë e vet, por ka popullin serb, dhe se ‘askush nuk duhet të mendojë se mund të flasë me serbë me forcë ose të ndodhë serish Jasenovci, operacioni "Stuhia" dhe Jadovno.

“Për sa kohë që Serbia drejtohet nga Vuçiq, Republika Serbe do të ruhet dhe ndihmohet”, ka thënë Vulini.