Më shumë se një mijë raste të zjarrit për shtatë muaj, zjarrfikësit e Prishtinës kërkojnë më shumë staf Foto: KFOR

Më shumë se një mijë raste të zjarrit për shtatë muaj, zjarrfikësit e Prishtinës kërkojnë më shumë staf

25 August 2019 08:43

Në shtatë muajt e parë të këtij viti, zjarrfikësit intervenuan në 1,127 raste vetëm në rajonin e Prishtinës.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Kosovës, Latif Zeka gjatë një interviste për EkonomiaOnline thotë se krahasuar me shtatë mujorin e parë të vitit të kaluar, këtë vit është rritur numri i intervenimeve.

“Gjithsej i kemi pasur 1,127 intervenime, do të thotë dalje profesionale dhe krahasuar me vitin e kaluar ky numër është më i madh. Brigada e Zjarrfikësve mbulon 4 komuna Prishtinën, Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën”, thotë ai.

Ai bën të ditur se raste më të shpeshta të intervenimeve i kanë në ndërtimet e larta të cilat janë ndërtuar paslufte, e të cilat sipas tij janë ndërtuar pa kritere.

“Vendet me të rrezikuara janë ato ku ka, ndërtime të larta sidomos në ndërtimet që janë bërë pas luftës dhe janë bërë pa kritere”, thotë ai.

Zeka thotë se rastet më të mëdha të zjarreve kanë qenë në muajin shkurt dhe mars për shkak të thatësisë.

“Rastet me të mëdha të zjarreve i kemi pas në shkurt dhe në mars për shkak të thatësirave”, tha ai.

Ndërsa sa i përket rasteve pas korrje-shirjeve ai përmend një rast ku janë djegur rreth 5 hektarë grurë.

“Kemi pasur vetëm një rast në Llapnasella i cili ka qenë një dëm shumë i madh, diku rreth 5 hektarë grurë janë djegur dhe të tjera raste nuk kemi pasur sidomos në kohën e fundit sepse koha ka qenë me shi”, tha ai.

Zeka ka folur edhe për staf, ku thotë se janë 103 zjarrfikës, por ky staf nuk është i mjaftueshëm për mbulimin e katër komunave.

“Kushtet janë deri dikund të mira, por staf kemi shumë pak do të thotë janë 103 zjarrfikësit të cilët mbulojnë këto komuna. Sipas Ligjit, komunës së i Prishtinës i duhen 200 së paku. Nuk jemi të pajisur me teknologjinë më të fundit, por në krahasim me njësitë tjera kemi automjete të reja të cilat kanë ardhur”, thotë ai.

Zjarrfikësit ndërhyjnë edhe në rastet e aksidenteve në trafik, ndërsa thotë se kanë trajtuar raste me të lënduar, por edhe të vdekur. Sa i përket lëndimeve, Zeka thotë se kanë qenë kryesisht nga aksidentet në komunikacion, ndërsa zjarrfikës nuk ka pas të lënduar.

“Ka pas lëndime të qytetarëve në aksidente të komunikacionit ku zjarrfikësit kanë intervenuar, po ashtu ka pas edhe të vdekur”, thotë ai.

Ndërsa sa i përket zjarrfikësve nuk ka pasur asnjë rast të lëndimit të tyre.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme