Hoti: Do të nominojmë për kryeministër kandidatin më të mirë

Hoti i quan koalicione të frikës “AAK-PSD” dhe “Nisma-AKR”, Veselin hipokrit

23 August 2019 23:37
00:02

Duke folur për koalicionet e ditëve të fundit, Avdullah Hoti i LDK-së, i ka quajtur koalicione të frikës.

Koalicionin AAK-PSD, Hoti e ka quajtur koalicion të natyrshëm, meqë sipas tij, PSD-ja e ka mbajtur në jetë qeverinë e Ramush Haradinajt.

“Qeveria e PAN-it ka mbetur në këmbë pikërisht për shkak të PSD-së.

Bashkëpunimi i tyre ka qenë i natyrshëm”, ka thënë Hoti, në Interaktiv të KTV-së.

“Ata (AAK-PSD v.j) nuk janë në garë me neve. Mos të marrë tash rolin që të bëj prognoza për partitë politike, por nuk i shoh ata që të jenë në garë me LDK-në”, ka thënë Hoti.

Duke folur edhe për koalicionin Nisma-AKR, edhe për atë të parin, Hoti ka thënë se më shumë i sheh si “koalicione të frikës, sesa koalicione të parimeve”.

“Kërkoj mirëkuptim këtu, por problemi i PSD-së ka qenë se a do ta kalojë pragun. Të gjitha sondazhet e kanë treguar se ata nuk do ta kalojnë pragun. Njësoj, edhe Nisma e AKR-ja këtë problem e kanë pasur, se a do ta kalojnë pragun zgjedhor prej 5 për qind”, ka thënë Hoti.

Kur është pyetur për sloganin e Kadri Veselit për luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe nepotizmit, Hoti ka thënë se kjo është një hipokrizi dhe se kreu i PDK-së nuk është kredibil për ta thënë një gjë të tillë.

“Lista e gjatë e dështimeve të kësaj qeverie në masë të madhe i faturohet PDK-së, si partneri më i madh i koalicionit. Një e treta e ministrave të kësaj qeverie ka qenë me aktakuzë. Kjo çfarë po thotë Veseli është hipokrtike e jokredibile karshi qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoti.

“Gjatë kësaj qeverisje është thyer çdo standard i nepotizmit. Janë thyer majat e çdo nepotizmi. Tash del personi që ka qenë përgjegjës për të penguar këtë gjë, e thotë se do ta luftojë nepotizmin”, ka thënë ai.

Hoti nuk ka qenë në gjendje ta thotë qartë nëse LDK-ja do të lejojë që persona me aktakuza do të përfshihen në listat për deputetë. I është përmendur emri i Naser Osmanit, i cili ka aktakuzë dhe i cili ka arritur që të hyjë në Kryesinë e LDK-së, por Hoti ka thënë se “nuk e di se në çfarë pike ka mbërri kjo aktakuzë”.

23:51

Hoti: Me Vetëvendosjen nuk e diskutojmë çështjen e kryeministrit, i takon LDK-së

Avdullah Hoti, nga radhët e LDK-së, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se posti i kryeministrit i takon partisë më të madhe në vend e një gjë të tillë nuk do ta diskutojnë me Vetëvendosjen.

Ai ka thënë se është mbajtur një takim i Mustafës me Kurtin, që ka qenë publik, kurse thotë se kanë mbajtur edhe një takim tjetër punues.

Hoti thotë se njëherë duhet që LDK-ja ta vendos të nominuarin e saj për kryeministër.

“Së pari duhet të vendosim të nominuarin tonë për kryeministër e duhet të shohim disponimin për të hyrë në koalicione. Në parim preferohet të shkohet vetëm në zgjedhje. Do të shohim se si do të vendoset në ditët e ardhshme”, ka thënë Hoti.

Tutje ai ka shtuar se ekziston një vullnet për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen.

“Në këto dy vite kemi koordinuar opozitën dhe me Vetëvendosjen kemi pasur bashkëpunim të kënaqshëm dhe besoj se mund të gjejmë të përbashkëta përkundër që kemi disa dallime. Por, ajo që vlerësoj është se vullneti për të bashkëpunuar është i dy anshëm të shohim si do të konkretizojmë këtë”, thotë Hoti.

Sipas Hotit askush nuk mund t’i vendos ultimatume LDK-së, por edhe as partia e tij s’e bën një gjë të tillë, e një marrëveshje për bashkëpunim duhet të rrjedhë normalisht.

Hoti insiston se nuk do të diskutohet posti e kryeministrit.

“Nuk e di nëse insiston Vetëvendosje për kryeministrin. Besoj se është e natyrshme që qeveria të udhëhiqet nga partia më e madhe, pra nëse nuk ka një legjitimet të caktuar s’mund të udhëhiqet. Kryeministri i deritanishëm vjen nga partia e pestë, e mund të marrim shembull se kur nuk ke shumicë parlamentare nuk mund të qosh përpara programin qeverisës. Besoj se nuk duhet të jetë problem çështja e kryeministrit, e kjo nuk duhet të vendoset fare në diskutim dhe mendoj se duhet të ketë një rregull të caktuar”, thotë Hoti.

Ai shton se partia më e madhe është LDK-ja.

“Si partia më e madhe në vend dhe në bazë të numrit të deputetëve dhe sondazheve të bëra LDK-ja është partia më e madhe dhe është në rritje. Ne jemi duke u bërë gati për të marrë përgjegjësinë për udhëheq vendin. Nuk bëjmë kompromise në këtë çështje, e nuk e di nëse do të hyjmë në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, por parapëlqejmë të shkojmë vetëm në këto zgjedhje pasi jemi favorit për t’i fituar ato”, ka deklaruar Hoti.

Ai gjithashtu ka kritikuar qeverisjen e deritanishme.

“Në këto dy vite Kosova ka dështuar tërësisht duke mos u anëtarësuar në Interpol, mos liberalizim e skandale të tjera. Ndoshta do të na duhet një vit për me e sjell gjërat në vijë. Por, problemi numër një është papunësia, e dyta është korrupsioni e duhet të sigurohemi se askush që ka aktakuzë nuk mund të ketë një post politik”, u shpreh Hoti.

23:37

Hoti: Do të nominojmë për kryeministër kandidatin më të mirë

Anëtari i sapozgjedhur i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se takimi i sotëm i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie ka takim punues, dhe është marrë vendimi për t’u votuar Kryesia.

“Kemi vendosur disa orientime për secilën prej degëve, në mënyrë që secila degë të ketë targetët e vetë për t’i siguruar Lidhjes një fitore sa më të thellë”, ka thënë Hoti, në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka treguar se është rritur numri nga 21 në 31 anëtarë të Kryesisë, e plus anëtari i Forumit Rinor dhe Forumit të Gruas e çojnë në 33 këtë trup të partisë.

“Mendoj se lista i përfshinë një shtrirje në gjithë Kosovën të degëve të LDK-së, si dhe figurave që përfaqësojnë këtë parti”, ka thënë Hoti, që ka qenë edhe shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në mandatin e kaluar.

Kur është pyetur për disa emra që nuk janë përfshirë në Kryesi, si Arben Gashi, Xhafer Tahiri, Driton Selmanaj, e të tjerë, Hoti ka thënë se “ka edhe shumë emra që do të mundë të ishin aty, por që për shkak të kufizimit të numrit nuk janë përfshirë”.

“Kjo nuk duhet të interpretohet si lënie jashtë i dikujt, por është një përfaqësim i degëve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se “në këtë mbledhje nuk është diskutuar për kandidatin për kryeministër”.

“Besoj se nuk jemi vonë. Dje është shpërndarë Kuvendi. Ndoshta edhe nesër, kur do të mbahet mbledhja e Kryesisë, mund të dalim me një emër. Të shohim cilat do të jenë propozimet e kryetarit dhe diskutimet që do të bëhen nesër”, ka thënë Hoti, i cili në zgjedhjet e kaluara ka qenë vetë kandidat i LDK-së për kryeministër.

Ai nuk ka folur se për kë e ka pasur fjalën shefi i tij i partisë, Isa Mustafa, kur ka thënë sot pas mbledhjes në parti, se janë 4-5 emra që ka përpara si kandidatë të mundshëm për t’u mandatuar për kryeministër nga kjo parti.

“Unë isha rezervuar për të folur për emrat. E kemi një kod të sjelljes që nuk mund të flasim për emra, derisa nuk vendoset në organet e LDK-së”, ka thënë Hoti, duke u rezervuar edhe që të flasë për veten, nëse ai do të jetë sërish kandidat për kryeministër.

“Pa asnjë diskutim do të bëjmë zgjedhjen më të mirë për kandidat për kryeministër”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se me zgjedhjet e fundit brenda partisë e kanë strukturuar mirë LDK-në, derisa ka thënë se ekspertët më të mirë të kësaj partie kanë punuar për programin me të cilin do të dalin para qytetarëve.

“Do të nisim aty ku e kemi lënë në gjysmë në vitin 2017, në zhvillimin ekonomik, arsim dhe shëndetësi. Por fokus i joni do të jetë sundimi i ligjit”, ka thënë Hoti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme