Arbëri

Daka thotë se KQZ-ja ende nuk ka marrë mjete për organizim të zgjedhjeve

Foto: Koha

Kuvendi i Kosovës u shpërnda këtë të enjte, ndërsa presidenti Hashim Thaçi tha se shumë shpejt do të shpallë datën e zgjedhjeve.

Në Komisionin Qendror Zgjedhor, thonë se edhe pse ky vit nuk është paraparë të jetë zgjedhor, janë të gatshëm të bëjnë organizimin e zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë për Ekonomina Online, se tashmë kanë filluar përgatitjet, por janë ende në pritje të vendimit të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve.

“Po, KQZ-ja edhe pse ka zgjedhje të paplanifikuara e ka obligim që të organizojë zgjedhjet dhe tani ne kemi filluar përgatitjet edhe pse nuk e kemi ende datën. Ndërsa në momentin kur ta kemi datën ne do të fillojmë me përgatitjet e mirëfillta”, tha ajo.

E para e KQZ-së thotë se mjetet për organizimin e zgjedhjeve ende nuk janë ndarë dhe se ende nuk e din se sa është kostoja e këtyre zgjedhjeve.

Thotë se në momentin e shpalljes së zgjedhjeve do të përpilojnë kërkesën buxhetore të cilën do t’ia drejtojnë qeverisë në largim.

“KQZ-ja në momentin kur ta kemi datën nga Presidenti i Republikës do të përpilojë një kërkesë buxhetore dhe do t’i drejtohemi Qeverisë. Ende nuk kemi ndonjë shifër të saktë sepse jemi në përfundim të llogaritjeve dhe vetëm në momentin kur do ta kemi datën, do ta dimë përafërsisht edhe shifrën e saktë të kostos së zgjedhjeve. Në bazë të llogaritjeve që i bëjmë gjithmonë kemi pasur buxhet të mjaftueshëm dhe besoj që edhe këtë herë do ta kemi”, tha ajo.