Arbëri

Hoti ia numëron PAN-it dështimet

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme ku do të shpërbëhet kjo legjislaturë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme për shpërbërjen e Kuvendit ia ka numëruar dështimet qeverisje PAN.

“Kjo legjislaturë ka qenë arenë konfrontimesh ndërmjet pozitës dhe opozitës për ruajtjen e sovranitetit. Si opozitë kemi pasur përball një koalicion pa legjitimitet, e jo profesional. Si Qeveria e PAN-it do të mbetet e njohur si më e madhja në botë me numër jashtëzakonisht të madh të zëvendësministrave. Qeveria e PAN-it e ka dëmtuar buxhetin me rreth 200 milionë euro”, ka thënë Hoti.

Ai shtoi se në fillim të mandatit kryeministri në mënyrë jo kushtetuese ai barti udhëheqjen e dialogut presidentit.

“Kjo qeveria do të njihet që e la Kosovën pa liberalizim, pa njohje, e me skandale të tjera. Qeveria PAN me të drejtë i ka dhënë vulë punësimeve partiake. Ka pasur edhe arritje, siç është nisja e ushtrisë dhe statuti i Trepçës por këto s’do të ishin bërë pa opozitën. Kjo qeveri mund të bie vetëm përmes zgjedhjeve të lira”, tha Hoti, që theksoi se LDK-ja do t’i japë të gjitha votat për vetëshpërbërjen e Kuvendit.

Më poshtë mund ta lexoni fjalën e plotë e Hotit në Kuvend:

Për dy vite, në këtë Kuvend rrallë kemi debatuar për zhvillim ekonomik, për avancimet në arsim e shëndetësi.

Shumicën e kohës jemi marrë:

Me parandalimin e koalicionit PAN, mbështetur nga PSD-ja, që të hyjë në dialog me Serbinë në kundërshtim me Kushtetutën,

Me ndërhyrjen e Kryeministrin në drejtësi apo në agjencitë e pavarura,

Me shkeljet e ligjore në deportimin e shtetasve të huaj,

Me tentativën e koalicionit PAN për t’iu ikur obligimeve ndërkombëtare,

Me faljen e taksave apo shpenzimin e rezervës pa përfillur ligjin,

Me Presidentin, pasi ai nuk i kryente obligimet kushtetuese.

Kështu që, kjo legjislaturë ka qenë arenë konfrontimesh pozitë – opozitë për të ruajtur ligjshmërinë dhe Kushtetutën e Kosovës, e jo debat për avancimin e politikave në interes të qytetarëve.

Si opozitë, kemi pasur përballë një koalicion prej 24 partive, por që përfaqësonin vetëm 1/3 e elektoratit, një koalicion pa legjitimitet, jo profesional, me vendimmarrje ad-hoc të bazuar në interesa politike dhe të grupeve të interesit.

Si rezultat, është realizuar vetëm 30% e agjendës legjislative, dhe atë nga vullneti i opozitës për të mbështetur disa ligje specifike.

Prandaj, kjo legjislaturë po mbyllet me shumë seanca të hapura, me mbi 100 pika në pritje për miratim, si ligje, raporte, rezoluta, zgjedhje të bordeve etj.

 

Të nderuar deputetë,

Qeveria e PAN-it do të mbetet në histori si Qeveria më e mëdhe në botë, me 454 anëtarë:

Kryeministri me 35 këshilltarë,

5 zv.kryeministra me 55 këshilltarë,

21 ministra me 147 këshilltarë,

80 zëvendësministra me 80 këshilltarë,

5 koordinatorë, me nën-koordinatorë dhe asistentë të nën-koordinatorëve,

Përtej këtyre:

u punësuan 1,245 veta me kontratë, prej tyre 95 në Zyrën e Kryeministrit.

u punësuan 200 të afërm të partive në pushtet në Telekom,

ndërkohë, në sektorin privat u mbyllen 26,000 vende pune.

Rreth 1/3 e ministrave kanë qenë me aktakuzë.

Kjo Qeveri do të mbahet mend për shkeljet e të drejtave njerëzore në dëbimin e të huajve. Komisioni Hetimor ka evidentuar 31 shkelje të procedurave ligjore, por përgjegjësinë nuk e mori askush. Tash vonë, u bënë kurban disa policë e zyrtarë të thjeshtë.

Qeveria e PAN-it, me vendime jo ligjore, e ka dëmtuar buxhetin me rreth 200 mil:

60 mil nga falja e borxheve të kompanive private,

53 mil për “Bechtel-Enka” pa vlerësim nga kompania mbikëqyrëse,

Dyfishimi i pagës për kabinetin prej 454 personave,

Miliona euro nga shpronësimet për nevojat e KEK-ut,

Subvencione për frizere, roleta e fasada,

Kontrata të dëmshme për lobim,

Shpenzime nga kartelat kreditore pa arsyetim.

800 mijë euro për projektin “Ta pastrojmë Kosovën”,

315 mijë euro subvencione për persona fizik,

Shpenzim i rezervës pa ligj dhe vendime të tjera.

Në anën tjetër, dialogu me Serbinë:

u nisi pa konsensus politik,

u udhëheq nga njerëz pa legjitimitet, dhe

me përfshirjen e Presidentit jashtë mandatit kushtetues.

Në fillim të mandatit, Kryeministri tentoi, në mënyrë jo kushtetuese, ta bartte dialogun tek Presidenti.

Pas një inxhinjeringu politik të pa precedent, u themelua Ekipi Negociator, i cili me angazhimin e opozitës u shpall jo kushtetues.

Programi Qeverisës 2017-2021, i cili iu paraqit Kuvendit në fillim të mandatit, nuk u mor parasysh në asnjë veprim të Qeverisë. Reformat e premtuara në ekonomi, arsim e shëndetësi nuk kanë qenë në rend dite. Në shëndetësi gjendja nuk ka qenë asnjëherë më keq. Papunësia është rritur. Kushtet e të bërit biznes janë përkeqësuar dhe investimet e jashtme janë përgjysmuar.

Korrigjimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, që u premtua të kryhej për tre muaj, u harrua. Në mbledhjen e parë të Qeverisë u shkarka Komisioni Shtetëror për Kufirin. Por, në fund, Qeveria e miratoi raportin e Komisionit të shkarkuar. Ndërkaq, AAK dhe NISMA e votuan marrëveshjen, duke e larë veten me një amendament në ligj që ka vetëm karakter informues.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, mandati i qeverisë së PAN-it u mbyll pa liberalizim të vizave, pa anëtarësim në Interpol, pa njohjeve dhe me skandale të Ministrit të Jashtëm:

Në Uashington, Pacolli e ftoi Ministrin e Jashtëm serb që të angazhohet për krijimin e një zone ekonomike në veri,

Në OKB deklaroi se është aty me lejen e Serbisë, se shqiptarët dhe serbët nuk kanë pasur konflikt dhe se nuk duhet të ketë kufi mes dy popujve,

E irritoi kryeministrin e Marokut me fotografi nga takimi joformal me të.

Ka pasur edhe skandale të tjera:

Ministrja e Ambientit shkoi në Kanada për aheng familjar, por e paraqiti si takim në selinë e NATO-s,

Provimin e noterisë e kaluan vetëm të afërm të partive në pushtet,

Kryeministri takoi në zyrë personin kryesor të krimit e korrupsionit në veri,

Presidenti punësoi për dy vite një agjent të shërbimit sekret serb,

Kryeministri mbante një këshilltare, për të cilën AKI-ja ngriti dyshime.

Kryeministri dhe disa deputetë ofenduan dhe kërcënuan prokurorin Blakaj, i cili po hetonte listat e veteranëve, dhe dy deputetë u paraburgosën për këtë.

Qeveria PAN i ka dhënë vulë nepotizmit dhe politizimit në punësime.

Sigurisht, se ka pasur arritje gjatë këtyre dy viteve, siç është fillimi i transformimit të FSK-së, statuti i Trepçës, disa ligje në drejtësi etj.

Por, duhet thënë se, në mungesë të shumicës parlamentare, këto arritje kanë ndodhur vetëm si rezultat i përkrahjes së opozitës.

Megjithatë, çfarëdo arritje ka mbetur nën hijen e skandaleve, korrupsionit e nepotizmit enorm.