Sot mblidhet Kuvendi, pritet vetshpërndarja Foto: Alban Bujari / Koha

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

22 August 2019 08:23
14:36

Thaçi: Së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se së shpejti do të marrë vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re”, ka thënë Thaçi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës.

Ai shton se tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri.

“Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje ai shton se këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.

Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës.

13:08

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

BE-ja uron Kuvendin për miratimin e IPA 2018

Bashkimi Evropian në Kosovë ka përgëzuar Kuvendin që shkoi, për ratifikimin e IPA 2018, marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

BE thotë se ky vendim siguron se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë reformat në qeverisje të mirë, sundim të ligjit, ambient, energji, edukim e punësim, transmeton kp.

“Urime Kuvendit në largim të Kosovës për ratifikimin e IPA 2018, marrëveshja financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Vendimi juaj siguron vazhdimin e mbështetjes nga BE-ja në reformat për qeverisje të mirë, sundim të ligjit, ambient, energji, edukim, punësim”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

13:07

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Kosnett: Kuvendi ndërmori hap të rëndësishëm drejt krijimit të Qeverisë me ide të reja

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se shpërndarja e Kuvendit është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të Qeverisë së re.

Ai ka shtuar se tani në fushatë kandidatët ofrojnë ide të reja për bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, që siguron se Kosova s’humb kohë në ndërtimin e themeleve të së ardhmes, transmeton Koha.net.

“Kuvendi ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në krijimin e një Qeverie të re. Një fushatë në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja në bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik që siguron se Kosova s’humb më shumë kohë në ndërtimin e një themeli për të ardhmen”, ka shkruar Kosnett.

12:51

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Veseli thotë se kandidon për kryeministër për një shtet ligjor e të drejtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pas seancës për shpërndarjen e Kuvendit, tha se vendi nuk do të dështojë dhe se në zgjedhje po shkojnë për të fituar Kosova.

Veseli tha se si kryetar i kuvendit të Kosovës ka ndërmarr të gjitha iniciativat ligjore në bazë të Kushtetutës së Kosovës që të ketë vendimmarrje për shpërndarje të kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme të cilin e bënë presidenti, transmeton kp. 

Duke përsëritur se në këto zgjedhje do të jetë kandidat për kryeministër, ai tha se është lider që mban fjalën dhe do ta luftojë korrupsionin.

“Jam i lumtur që të gjitha grupet parlamentare, e kam respektuar këtë iniciativë dhe sot ja ku jemi. Unë jam Kadri Veseli, do të jem kandidat për kryeministër të Republikës së Kosovës. Unë veç diçka në jetë di, me mbajt fjalën. E mbaj gjithmonë, iu kam thënë se ka me pasur zgjedhje edhe do të ketë zgjedhje. Ju kam thënë se kanë me u larguar të gjithë uzurpatorët nga pronat e uzurpuara, sepse ligji është më i fort se secili i fort që mendon në Kosovë. Kështu do të jetë edhe luftë kundër korrupsionit”, tha Veseli.

Po ashtu, ai tha se këto zgjedhje janë për t’i dhënë një legjitimitet të fuqishëm qytetarëve, të rinjve, grave, që të kenë një perspektivë, modernizim të shtetit, për një shtet të drejtë dhe ligjorë, si dhe një shtet perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Një shtet i drejt, një shtet ligjor, një shtet perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Ky është drejtimi jonë, të gjitha drejtimet të tjera mund të fliten, mund të na kthejnë mbrapa por njerëzit e Kosovës nuk guxojnë me dështu dhe Kosova s’ka me dështu, ka me ecë përpara. Urime të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Të gëzohemi se demokracia po funksionon dhe qytetarët e vendit janë të zotë. Votoni ata të cilët janë më të mirët. Unë do të jem kandidat për kryeministër, shkojmë në zgjedhje për me fitu Kosova, sepse veç kur të fiton Kosova fitoj edhe unë”, deklaroi ai.

12:43

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Zeka kundër, Musliu e Pajaziti abstenuan për shpërndarjen e Kuvendit

Me 89 vota pro, një kundër e dy abstenime sot është shpërnda Kuvendi i Kosovës, për t’i hapur rrugë një legjislature të re.

Kundër shpërbërjes së Kuvendit ishte deputeti i Nismës, Milaim Zeka, derisa abstenuan deputetët e PDK-së, Zenun Pajaziti e Ganimtete Musliu, transmeton Koha.net.

Kjo mësohet nga publikimi i listës së votave nga faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës.

Pas shpërbërjes së Kuvendit presidenti, Hashim Thaçi pritet të caktojë datën e zgjedhjeve, që siç raporton Koha Ditore pritet të mbahen më 6 tetor.

12:42

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Kurti: Shkoi qeveria e borxhlinjve, po vjen qeveria e zhvillimit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se shkoi qeveria e borxhlinjve, e po vjen qeveria e zhvillimit.

Kurti thotë se tani janë qytetarët ata që do të vendosin për qeverisjen e radhës, derisa thekson se kjo qeveri mezi u mbajt në këmbë, transmeton Koha.net.

“Pasi ra qeveria, u shpërnda edhe Kuvendi. Urime! Tash kthehemi te qytetarët, te burimi i sovranitetit, për zgjedhje të lira e demokratike, për legjitimitet të freskët për institucionet, për qeverisje të mirë për qytetarët. Kjo ish qeveri u pat sajuar mezi, plot tre muaj pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, me shumicë minimale prej vetëm 61 deputetëve. Dhe, u mbajt në këmbë mezi, si qeveri e pakicës, larg edhe shumicës minimale të domosdoshme”, ka shkruar ai.

Në njërën anë, thotë Kurti, kjo ishte qeveria më e madhe e pasluftës, me 5 zëvendës kryeministra, 21 ministra e 80 zëvendës ministra, kurse, në anën tjetër, kryeministri kishte dyfish më shumë parti në koalicionin qeverisës sesa deputetë të partisë së tij në Kuvend.

“Kjo nuk ishte as e drejtë dhe as e shëndetshme, prandaj nuk patëm as shtetndërtim demokratik dhe as zhvillim ekonomik. Dy vjet më vonë, shteti i Kosovës është edhe më i kapur edhe më i lodhur”, thotë Kurti.

Sipas Kurtit Republika e Kosovës nuk e përballon dot edhe një qeveri tjetër të madhe që rehaton militantët e kushërinjtë, që e ka deficitin tregtar më të madh sesa buxhetin e shtetit, që rrit me shpejtësi marramendëse borxhin publik dhe me sasi enorme deficitin buxhetor, që e diskrediton e delegjitimon shtetin si tatimmbledhës. Sepse, cili është kuptimi të thuash që rritja ekonomike është 3% apo 4% kur shumëfish aq rriten borxhi e deficiti? Cili është kuptimi që qytetari të paguajë tatime kur për çdo ditë ka skandale publike të korrupsionit qeveritar?

“Qeveria nuk ka para të vetat. Buxheti i shtetit është borxhi që qeveria ia ka popullit. Mirëpo, kjo qeveri ishte borxhli i keq: i mori paratë por nuk e dha shërbimin për to”, është shprehur Kurti.

Sipas tij Bruto Produkti Vendor për kokë banori në muaj në Kosovë nuk është as 300 euro. I gjithë buxheti për drejtësinë në Kosovë (prokurorinë, gjykatat, Akademinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues) ishte diç mbi 50 milionë euro, pra më pak sesa që ia falën Bechtelit, e për çka prokuroria ka filluar hetimet.

“Qeveria e ardhshme nuk duhet të merret me vendime të mëdha si puna e demarkacionit ‘Meha’ me Malin e Zi, që dha tokë për viza e të cilat s’i morëm, por, të merret me punë të mëdha, si psh.: luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, sjellja e investimeve në ekonomi nga mërgata dhe investimeve të huaja, shpenzimet kapitale të jenë të përqendruara në punësim të rinisë e jo në asfaltim të arave, ndërmarrjet publike qendrore të ristrukturohen e të menaxhohen mirë që të mos operojnë me humbje si tani, të përmirësohet cilësia e arsimit dhe edukimit e të bëhet lidhja e tyre me ekonominë dhe tregun e punës, të rregullohen spitalet nëpër Kosovë si QMF-të në Prishtinë nga ish drejtori Arben Vitia etj. etj”, ka shkruar Kurti. “Sot e patëm mundësinë e mundësisë. E patëm mundësinë e neve deputetëve të Kuvendit që t’ia japim mundësinë qytetarëve të Republikës për të zgjedhur legjislaturë të re për qeveri të re. E bëmë. Urime të gjithëve! Qytetarët janë gati për ndryshimin e nevojshëm si kurrë më parë”.

11:55

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Sherifi përjashton mundësinë për koalicion me partitë e mëdha

Bilall Sherifi nga radhët e Nismës ka thënë se tashmë kanë vendosur që të mos hyjnë në koalicion me partitë e mëdha LDK-në, Vetëvendosjen apo PDK-në.

Sherifi ka thënë se Avdullah Hoti harroi të falënderojë Ramush Haradinajn që e çoi vendin në zgjedhje, pasi sipas tij opozita s’do të mund të bënte një gjë të tillë asnjëherë.

“Hoti si përfaqësues i LDK-së në krejt fjalimin e tij harroi ta falënderojë kryeministrin Ramush Haradinajn, që përmes dorëheqjes së tij mundësoi shkuarjen në zgjedhje, se sa për opozitën LDK-në dhe Vetëvendosjen vendi s’do të shkonte në zgjedhje hiq deri në ditën e fundit të mandatit të Haradinajt”, u shpreh Sherifi. “Pra, nëse ka një meritë dikush për shpërndarjen e Kuvendit, atëherë është Haradinaj pasi pa një vendim të tij nuk mund të ndodhte kjo”.

Ai thotë se në zgjedhje secili do të japë llogari, derisa përjashton koalicionin me partitë e mëdha.

“Ne kemi përjashtuar tashmë mundësinë që të hyjmë në koalicione me partitë e mëdha, siç janë LDK, Vetëvendosje, e PDK”, deklaroi Sherifi.

11:32

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Isufi: Qeveria Haradinaj për këto dy vjet ka realizuar vendime më shumë se për 20 vjet

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi pas votimit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, tha se si parti në këtë seancë kërkuan që të diskutojnë shefat e grupeve parlamentare, por që nuk u mundësua një gjë e tillë.

Ai tha se qeveria Haradinaj ka mbrojtur tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vendit. Duke përmendur kështu taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, ligjin për Ushtrinë, ligji i Prishtinës dhe ligji për Statusin e Viktimave të dhunës Seksuale.

“Jam i detyruar të tregojë se Qeveria e Kosovës për këto dy vite ka realizuar vendime, projekte, ligje që Qeveritë tjera për 20 vjet nuk i kanë bërë”, tha ai.

Ai tha se rolin për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë do ta ketë Qeveria e Kosovës, e njëjta sipas tij do të duhet t’i garantoj popullit se nuk do të dërgoj tema të brendshme të Kosovës në Bruksel, transmeton KP.

“Rolin në dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë, që është shumë i rëndësishëm do ta ketë Qeveria e Kosovës, e cila do të garantojë popullin e Kosovës se nuk do të dërgoj tema të brendshme të Kosovës në Bruksel. Por, temat e Kosovës do t’i zgjidh për brenda Kosovës, qoftë edhe të minoriteteve. Por, që në dialog me Serbinë do të kërkohet njohja reciproke mes dy shteteve. Pa njohjen reciproke nuk do të ketë heqja të taksës, nuk ka asnjë lëshim në asnjë variant”, tha ai.

Ndryshe, me 89 vota për, 1 kundër, dhe dy abstenime, u votua sot për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.

11:24

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Haradinaj: Tani populli vendos kush do ta udhëheqë vendin

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se sot Kosova ka treguar një pjekuri politike, derisa ka theksuar se tani është në dorën e qytetarëve që të vendosin se kush do ta udhëheqë vendin në të ardhmen.

“E vlerësoj si shenj të pjekurisë politike, të subjekteve politike për miratimin e marrëveshjes IPA si dhe shpërndarjen e Kuvendit. Besoj shumë se qytetarët e vendit do ta shfrytëzojë të drejtën e vet të vendosë se kush do të qeverisë në etapat e ardhshme me vendin. Më vjen mirë që e gjithë kjo ka ardhur me kaq pjekuri të madhe politike”, ka thënë Haradinaj, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se është i hapur për bashkëpunim edhe me Nismën e AKR-në.

“Forcat politike tani të gjitha i kanë mundësitë që t’i ofrojnë një koncept zhvillimor. Me konceptin 100 për qind shtet kemi bashkëpunuar tashmë me PSD-në, por jemi të hapur edhe për Nismën e AKR-në. Sot jemi fitues si Kosovë me këtë pjekuri që kemi treguar dhe kemi dërguar një sinjal për demokracinë që kemi. Me rëndësi është që qytetarët të fokusohen në konceptet që kanë partitë”, ka thënë Haradinaj.

11:19

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Kurti: Sot është ditë gëzimi për qytetarët, koha për punë të mëdha e jo vendime të mëdha

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas shpërndarjes së Kuvendit, ka deklaruar se sot është ditë gëzimi për qytetarët.

“U bë shumë mirë që u hap mundësia për legjislaturë të re e qeverisje të mirë. Kur kemi parasysh se kjo qeveri e ka rritur borxhin për një kohë kaq të shkurtë. Sot është ditë gëzimi për gjithë qytetarët e Republikës”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka folur edhe për koalicionin e mundshëm me LDK-në.

“Kur të kemi rezultate konkrete do iu njoftojmë menjëherë. Momentalisht jemi në një moment të mirë. Qeverisja e ardhshme nuk do të duhej që me vendime të mëdha për të falë tokë, por do të duhej të merrej me punë të mëdha. Me prokurorë që e luftojnë korrupsionin. Kemi shumë punë të mëdha për të bërë, por jo vendime të mëdha”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për dialogun.

“Ne në parim nuk jemi kundër dialogut, por jemi për dialog me parime”, u shpreh Kurti. “Unë po flas si i ri që do të jem në ballë të Vetëvendosjes në fushatën elektorale, unë po them se çfarë duhet e çfarë qytetarët kanë nevojë”.

Kurti ka fajësuar PDK-në për këtë gjendje të Kosovës.

“Ne konsiderojmë se shteti i kapur i Kosovës është i tillë pikërisht për shkak të PDK-së, ne nuk hyjmë në koalicione parazgjedhore me ata që ishin pjesë e kësaj qeverie, që mezi u mbajt në këmbë si qeveri e pakicës”.

Ai thotë se nuk duhet të ketë edhe katër vjet vonesë që të mësohet se Vetëvendosje ka të drejtë.

“Gjykata Speciale është e padrejtë dhe duhet të ketë përgjigje institucionale për këtë. Por, kur ne e kundërshtonim atë neve na thoshin se ne jemi me Rusinë, por pas katër vitesh po del që ne kemi pasur të drejtë. Nuk ka nevojë që të shkojnë edhe katër vjet që të mësohet se Vetëvendosje ka pasur të drejtë”, u shpreh Kurti.

Tutje ai ka shtuar se, “kur të vijmë në pushtet ne do të luftojmë krimin e korrupsionit të paqes. Për ne ka rëndësi të luftojmë krimin që është bërë në paqe në Kosovë, e ai që është bërë në luftë nga Serbia, e jo të përndjekim ushtarët e UÇK-së”.

11:06

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Hoti: Presidenti të mos vonohet, të caktojë datën e zgjedhjeve

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të caktojë sa më shpejtë datën e zgjedhjeve.

“Pres tani që Presidenti ta çojë çështjen përpara dhe të caktohet data e zgjedhjeve”, ka thënë Hoti për KTV.

Ai tutje shtoi se, “qëndrimi ynë ishte që të kishte debat, por shumica kërkuan që të shkohej direkt me shpërbërjen e Kuvendit”.

10:52

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Shpërndahet Kuvendi

Deputetët sot kanë votuar shpërndarjen e Kuvendit.

Me 89 vota pro, 1 abstenim e 2 kundër u bë shpërbërja e Kuvendit.

Në sallë ishin 106 deputetë.

10:50

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Shumica e GP kërkojnë të mos ketë debat para votimit të shpërndarjes së Kuvendit

Shumica e Grupeve Parlamentare kanë kërkuar të mos ketë debat para votimit të shpërndarjes së Kuvendit

Memli Krasniqi nga radhët e PDK-së ka kërkuar që të votohet menjëherë vetëshpërbërja e Kuvendit.

E të njëjtën e ka kërkuar edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi.

Derisa ai i LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar që të këtë debat në Kuvend.

Glauk Konjufca ka kërkuar që një debutet i VV-së të flasë, e më pas të bëhet shpërbërja e Kuvendit.

Derisa ai i PSD-së, Dardan Sejdiu ka kërkuar që të bëhet shpërndarja e menjëhershme e Kuvendit, e njëjtë janë pajtuar edhe ai i Nismës dhe i Grupit 6+.

10:42

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Hoti ia numëron PAN-it dështimet

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme ku do të shpërbëhet kjo legjislaturë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme për shpërbërjen e Kuvendit ia ka numëruar dështimet qeverisje PAN.

“Kjo legjislaturë ka qenë arenë konfrontimesh ndërmjet pozitës dhe opozitës për ruajtjen e sovranitetit. Si opozitë kemi pasur përball një koalicion pa legjitimitet, e jo profesional. Si Qeveria e PAN-it do të mbetet e njohur si më e madhja në botë me numër jashtëzakonisht të madh të zëvendësministrave. Qeveria e PAN-it e ka dëmtuar buxhetin me rreth 200 milionë euro”, ka thënë Hoti.

Ai shtoi se në fillim të mandatit kryeministri në mënyrë jo kushtetuese ai barti udhëheqjen e dialogut presidentit.

“Kjo qeveria do të njihet që e la Kosovën pa liberalizim, pa njohje, e me skandale të tjera. Qeveria PAN me të drejtë i ka dhënë vulë punësimeve partiake. Ka pasur edhe arritje, siç është nisja e ushtrisë dhe statuti i Trepçës por këto s’do të ishin bërë pa opozitën. Kjo qeveri mund të bie vetëm përmes zgjedhjeve të lira”, tha Hoti, që theksoi se LDK-ja do t’i japë të gjitha votat për vetëshpërbërjen e Kuvendit.

10:31

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Kuvendi ratifikon Marrëveshjen IPA 2018

Kuvendi ka miratuar Marrëveshjen IPA 2018 me 103 vota pro, nga po aq deputetë që ishin në sallë.

Sot Kuvendi i Kosovës ka votuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Me këtë rast Kosova ka përfituar mbi 90 milionë euro nga Bashkimi Evropian, transmeton Koha.net.

Kjo marrëveshje parasheh financimin e reformave në avancimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, mjedisit, energjisë, arsimit, dhe punësimit.

10:28

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Haradinaj thotë se AAK-ja është unike për shpërndarjen e Kuvendit

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se Grupi Parlamentar i Aleancës është unik për votimin pro projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës për t’ia kthyer mandatin sovranit, transmeton kp.

Përndryshe, deputetët e AAK-së janë të parët që kanë hy në sallën e Kuvendit ku do të mbahet seanca.

10:27

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Beqiri: S’mbaj mend që ka pasur legjislaturë më të dobët

Pak para fillimit të seancës për shpërndarjen e legjislaturës aktuale, gjë e cila do t’i hapë rrugë shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk mban mend që ka pasur legjislaturë më të dobët.

Sipas tij, qëndrimi i LDK-së për seancën e sotme është tashmë i ditur.

“Pa dyshim se sot sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës është çdo gjë e qartë. Bile ne kemi thënë që ka kohë që ky Parlament dhe kjo qeverisje që ka qenë është dashur që në fillimet e saj të shkon në shtëpi, dhe të shkohet në zgjedhjet tjera, sepse pothuajse asgjë nuk ka funksionuar mbarë dhe mirë. E kundërta, gjithçka që është bërë, është bërë keq dhe nuk mbahet mend që ka pasur legjislaturë përgjithësisht më të dobët për mendimin tonë falë vetë koalicioneve, sepse për të qeverisur mirë do të duhej të pasur edhe numër të mjaftueshëm për të kaluar ligje, vendime që i takojnë Kuvendit”, tha ai, transmeton kp.

Ai tha se është hera e parë që Kuvendi shkon me vetshpërndarje, për çka e quajti interesante.

Ai ka shpresuar që njëjtë si LDK edhe partitë tjera, në seancën e sotme plenare të votojnë pro shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

10:14

Seanca e vetëshpërndarjes së Kuvendit

Pacolli: Kuvendi do të shpërndahet

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka deklaruar se sot deputetët do të shkojnë në pushim, pasi Kuvendi do të shpërndahet.

“Prej orës 11:00 deputetët do të shkojë në pushim. Do të shpërndahet Kuvendi, dhe duhet të punohet për një legjislaturë tjetër”, ka thënë Pacolli në një prononcim për televizionin publik.

10:13

Isufi: Sot s’mund të ketë befasi, Kuvendi do të shpërndahet

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se sot do të shpërndahet Kuvendi dhe nuk mund të ketë befasi.

“Si Grup Parlamentar jemi komplet, për të votuar sot shpërndarjen e Kuvendit. 93 nënshkrime duhet t’i përgjigjen kësaj thirrje, të cilët janë deklaruar se janë për shpërndarje të Kuvendit. Nuk mund të ketë befasi, pasi çdo parti politike është prononcuar se është pro shpërndarjes dhe nuk mendoj se mund të ketë befasi, përndryshe nëse nuk ndodh kjo atëherë mund të paguajë çmim të lartë në votë”, ka deklaruar Isufi për RTK.

Ai gjithashtu ka hedhur poshtë mundësinë për një qeveri teknike.

“Jam i bindur se sot do të bëhet shpërndarja e Kuvendit. Nuk mund të ndodhë ndonjë qeveri teknike, sot do të ketë vetëm shpërndarje të Kuvendit”, ka thënë ai.

08:23

Sot mblidhet Kuvendi, pritet vetshpërndarja

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë për shpërndarjen e legjislaturës aktuale, gjë e cila do t’i hapë rrugë shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

93 deputetë që nënshkruan për thirrjen e kësaj seance, duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë atë që kanë nënshkruar, ndërsa pro shpërndarjes duhet të votojnë së paku 2/3 e deputetëve ose 80 vota, e cila e përcakton edhe kuorumin.

Subjektet politike kanë shprehur tashmë publikisht qëndrimin për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, transmeton kp.

Ndryshe, pikë e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, derisa shqyrtimi i propozimit të grupit të deputetëve për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë është pikë e dytë e rendit të ditës.

Legjislatura e gjashtë, e cila karakterizohet për mungesa të shpeshta kuorumi, u konstituua më 3 gusht 2017.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme