S’ka vullnet politik për reformë zgjedhore, ka nisur qysh më 2011 Foto: Driton Paçarada / Koha

S’ka vullnet politik për reformë zgjedhore, ka nisur qysh më 2011

17 August 2019 09:40

Mungesa e vullnetit politik ka bërë që reforma zgjedhore të ngecë e të mos shkohet përpara me këtë proces. Ndonëse partitë politike janë deklaruar vazhdimisht pro këtij procesi, veprimet konkrete kanë munguar.

Ky proces u nis qysh në vitin 2011, kur në atë kohë ishin formuar dy komisione: Komisioni për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve, që kishte për qëllim reformën zgjedhore dhe Komisioni për ndryshime kushtetuese që kishte të bënte më tepër me zgjedhjen e presidentit nga populli.

Së fundi u formuar edhe një komision Ad-hoc parlamentar për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor, por që nuk ka as 10% të punës tha për Ekonomia Online deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, pjesë e këtij komisioni.

Sipas saj, puna e këtij komisioni ka nisur gabimisht, prandaj edhe nuk ka pasur mundësi që të adresohen kërkesat.

“Tash ishte tentativa e fundit kur u formua një komision ad-hoc i cili mbeti pa e bë as 10 për qindëshin e punës dhe në këtë kuptim as këtu nuk u adresuar sepse u nis gabimisht”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu shprehte e bindur se Kosova nuk ka problem me sistemin zgjedhor, por me administrimin e zgjedhjeve.

“Kosova nuk ka probleme me sistemin zgjedhor, siç është listat, apo sistemi zgjedhor një zonë por problemin e kemi tek administrimi i zgjedhjeve, gjegjësisht te mënyra e numërimit të votave, problemet që vazhdojmë t’i kemi me dokumentet e vlefshme për votim, që aktualisht kanë vlejtur edhe dokumentet e UNMIK-ut apo të tjera dhe për qytetarë që nuk kanë qenë shtetas të Republikës së Kosovës dhe kjo ka qenë gabim”, ka thënë Haxhiu.

Mungesa e vullnetit, sipas saj, ka qenë arsyeje që ky proces është shtyrë deri në këtë kohë. Krejt kjo me qëllim të manipulimit të vullnetit të popullit.

“Dështim mund të konsiderohet sepse kanë premtuar që do të fokusohen në çështjet e administrimit të zgjedhjeve shumica e partive politike kanë thënë që do punojnë në këtë drejtim, edhe duke marrë parasysh se ne kemi pasur vëzhguesin ndërkombëtar që kanë monitoruar proceset zgjedhore në Kosovë. Pas atyre monitorimeve janë bërë raporte, rekomandime dhe ne jemi zotuar t’i çojmë përpara”, ka thënë ajo, duke shtuar se “është dështim në kuptimin se nuk ka pasur vullnet për ta adresuar reformën zgjedhore sepse e dini që këta që kanë qenë deri tani në qeverisje mundohen që të shfrytëzojnë çfarëdo gjëje me mundë me manipuluar vullnetin e qytetarëve.

“Por besoj se në këto zgjedhje nuk do të ja dalin sepse do t’i kemi vëzhguesit dhe komisionarët ata që do ta mbrojnë votën e qytetarëve”.

Ajo ka thënë se Kosova ka nevojë për reformë, derisa Qeveria e ardhshme dhe Kuvendi i ardhshëm duhet ta kenë prioritet, që të niset me reformën zgjedhore duke u fokusuar në administrim të procesit zgjedhor.

Edhe Florian Dushi, anëtarë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se ka munguar vullneti i liderëve për një reformë të mirëfilltë.

Sipas tij, kjo është tendencë e vazhdueshme për të manipuluar me zgjedhjet.

“Këtu duhet të ketë interes të liderëve apo të subjekteve politike prandaj janë shndërruar në pengesë të një reforme zgjedhore. Me gjasë duket që sistemi aktual është perfeksionuar nga njerëzit në kuptimi e tendencës së vazhdueshme për të manipuluar, prandaj edhe kanë penguar vazhdimisht bërjen e një reforme të mirëfilltë zgjedhore”, ka thënë Dushi.

“Unë konsideroj që është në interesin e të gjithëve që të angazhohen, që të ketë një reformë zgjedhore sepse ligji, legjislacioni aktual është legjislacion që buron nga Pakoja e Ahtisarit dhe konsideroj se tashmë është vjetërsuar në kuptimin e zhvillimeve të përgjithshme shoqërore dhe politike në vend”.

Në kushte normal, thotë Dushi nëse Kuvendi do të përfundonte mandatin do të merrte fund edhe ky proces.

“Në prag të zgjedhjeve kjo temë mund të fitoj apo mund të jetë aktuale pak më shumë, megjithatë nëse shohim mandatin 4 vjeçar të Kuvendit dhe fazën në të cilën është nisur para disa muajve, mendoj që në kushte normale kur zgjedhjet për Kuvendin do të mbaheshin në afatet e rregullta pas dy viteve, do ishte periudhë kohore e mjaftueshme që reforma zgjedhore të zhvillohet”.

Politologu Afrim Hoti, njëherësh anëtar i PDK-së, thotë se që nga shpallja e Pavarësisë asnjë Qeveri nuk pati mundësi që të përfundonte mandatit. Prandaj mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme konsideron ai ka penguar këtë proces, raporton Ekonomia Online.

“Kam përshtypjen sikur procesi zgjedhor dhe reforma zgjedhore asnjëherë nuk u kompletua në Kosovë, për shkak të mungesës së kohës, dhe për shkak të prioriteteve me të cilat është përballë vendi kohë pas kohë. Nëse marrim periudhën nga shpallja e Pavarësisë e këndej, jemi dëshmitarë të faktit që asnjëri mandat qeverisës nuk arriti që të përfundojë programin e vet, por se vendi kaloi nga kriza në krizë, pra nga zgjedhjet në zgjedhje. Këto zhvillime nuk dhanë komoditetin dhe pozicionin për ta adresuar apo për të filluar një reformë në sistemi zgjedhor”, ka thënë Hoti.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme