Arbëri

Arsimi paralel

Pengesa të shumta vazhdojnë ta shoqërojnë integrimin e institucioneve paralele të Serbisë brenda sistemit të unifikuar arsimor në Kosovë. Me përjashtim të nostrifikimit të diplomave, çështja e shkollimit paralel në Kosovë nuk është përfshirë në kuadër të dialogut të Brukselit. Derisa marrëveshja për njohjen e diplomave nuk ka gjetur zbatim asnjëherë, një masë e përkohshme afirmative është vënë në funksion për komunitetet joshumicë që kanë diplomuar të institucionet serbe. Është ky procesi i verifikimit të diplomave të atyre që kanë kryer studimet në Universitetin Mitrovicës së Veriut, për qëllim të punësimit. Por prej 30 qershorit edhe ky proces është pezulluar. Një zgjidhje afatgjate për arsimin në gjuhën serbe nuk duket në horizont dhe ndarja mes dy sistemeve vetëm sa është thelluar.

Zgjidhje gjysmake

Të diplomuarit në institucionet arsimore në gjuhën serbe në Kosovë, nga të gjitha nivelet, prej vitit 1999 nuk kanë mundur të përdornin diplomat e tyre, qoftë për punësim apo avancim të mëtejmë profesional. Në vitin 2015, me ndërmjetësimin e Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI), Ministria e Arsimit të Kosovës dhe Universiteti i Mitrovicës së Veriut kanë arritur marrëveshje për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, megjithëse kjo çështje nuk është pjesë e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit. Rregullorja e Qeverisë mundësoi për herë të parë verifikimin e diplomave të lëshuara nga institucioni i vetëm i arsimit të lartë, që vepron në gjuhën serbe në Kosovë, përkatësisht njohjen e tyre për qëllime të punësimit në të gjitha institucionet publike.

Aida Hot është ndërmjetëse në Qendrën për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve – Qendra për Ndërmjetësim Mitrovicë (ADRC – MCM). Ajo ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Teknike me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut, në Departamentin e Teknologjisë, në vitin 2011. Në vitin 2016 asaj i është dashur ta verifikonte diplomën, proces ky që thotë se ka zgjatur mes 20-30 ditësh.

“Pasi kemi përfunduar trajnimin për ndërmjetës në Mitrovicën e Veriut dhe kemi marrë certifikatat CzM/ADRC, na informuan se duhet t’i verifikojmë edhe diplomat tona për të qenë në gjendje ta merrnim licencën e ndërmjetësit. Kështu që CzM/ADRC hyri në marrëveshje për ta kryer këtë proces së bashku me punonjësit e Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore, me një procedurë të përshpejtuar, për t’i marrë diplomat e ndërmjetësit”, thotë Hot, e cila i takon përkatësisë boshnjake dhe jeton në Mitrovicën e Veriut. Ajo shprehet e kënaqur me punën që bën, teksa shton se roli i ndërmjetësit duhet të avancohet edhe më tej, në kuptimin e pagesave, “pasi ndryshe prej vendeve të rajonit, në Kosovë është minimale dhe ndërmjetësit nuk kanë një burim të përhershëm të të ardhurash”. Hot thotë se do të dëshironte që diploma e saj të njihej nga të gjitha institucionet dhe të mos kufizohet vetëm për qëllim të punësimit.

“Sigurisht që duhet të njihen automatikisht diplomat tona dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me punësimin”, shprehet ajo.

Aleksandër Arsiq ka trajtuar mijëra aplikacione të tjera të studentëve nga komunitetet joshumicë, të cilat kërkojnë verifikim të diplomave të lëshuara nga institucionet që Kosova i konsideron paralele. Meqë nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë mes Universitetit në Veri dhe Prishtinës zyrtare, rolin e ndërmjetësuesit në këtë proces e luan ECMI-ja, të cilën e përfaqëson Arsiq.

“Procesi i verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut në Kosovë është një storie suksesi, e cila dëshmoi angazhimin e përbashkët të të gjithë aktorëve për tu dhënë zgjidhje problemeve dhe nevojave me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës”, thotë Arsiq. “Suksesin më të madh e konsideroj faktin se gjatë tre vjetëve të fundit procesi i verifikimit ka vazhduar pa probleme pavarësisht zhvillimeve politike në Kosovë”.

Takimi i fundit i Komisionit për verifikimin e diplomave është mbajtur më 16 korrik 2019 dhe mbështetur në të dhënat e fundit që i janë vënë në dispozicion gazetës, deri tani janë verifikuar 1 mijë e 547 diploma, nga 1 mijë e 628 sa janë shqyrtuar gjithsej. 38 janë refuzuar, shtatë aplikacione kanë qenë të pakompletuara derisa 36 të tjera ndodhen në proces shqyrtimi. Janë edhe katër doktorantë që kanë paraqitur kërkesë për verifikimin e diplomave. Sipas Arsiq, shumë prej atyre që kanë verifikuar diplomat tashmë janë punësuar. Ai i është referuar një ankete të ECMI-s, realizuar vitin e kaluar, sipas së cilës rreth 38 për qind prej tyre kanë gjetur punë në shkolla, institucione lokale, gjykata, spitale. 40 për qind e kanë përdorur diplomën për vërtetimin e marrëdhënies së punës. 30 për qind të tjerë kanë aplikuar për vende të punës, pas verifikimit të diplomave.

Me vendimin e vitit 2016, verifikimi ka përfshirë vetëm Universitetin e Mitrovicës së Veriut. Ka pasur kërkesa që kjo masë të aplikohet edhe për tri shkolla të larta, disa shkolla profesionale dhe të gjitha shkollat e mesme. Në maj të këtij viti është aprovuar zgjerimi i mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave, ku janë përfshirë tri shkolla të larta dhe të gjitha shkollat e mesme.

Por pas katër vjetësh procesi i verifikimit është pezulluar. Më 30 qershor të këtij viti ka përfunduar projekti, i cili sipas drejtuesit të ECMI Kosova, Ardian Zeqiri, në periudhën 2016-2018 është mbështetur nga Norvegjia, ndërkaq më 2016-2019 nga Bashkimi Evropian dhe një bashkëfinancim i vogël prej Norvegjisë. Zeqiri është ankuar se po tentohet që procesi t’i lihet në dorë një organizate ndërkombëtare.

Por Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka thënë se procesi i deritashëm ka arritur efektet e synuara. Sipas tyre, tani është koha që Kosova të marrë më shumë përgjegjësi sa i përket kësaj çështjeje.

“Çështja e verifikimit të diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut është një sfidë kryesore për Kosovën. Si e tillë, Zyra e Bashkimit Evropian mbështet institucionet në zhvillimin e pronësisë për të ndihmuar në sfida të tilla. Projekti aktual ka përfunduar dhe ka dhënë rezultatet”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së. ”Sidoqoftë, çështja e qëndrueshmërisë, ku institucionet e Kosovës do të merrnin një rol më të madh si në aspektin institucional ashtu edhe financiar, duhet të tentohet. Për këtë qëllim Zyra e BE-së është duke biseduar me institucionet përkatëse vendore për të vlerësuar aftësinë e tyre për të marrë më shumë përgjegjësi”.

Alastair James Butchart Livingston është këshilltar i lartë në Zyrën e Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve. Sipas tij, verifikimi është një masë unilaterale dhe e përkohshme e qeverisë, synimi i së cilës ishte respektimi i një të drejte themelore, për punësimin e atyre që kanë diplomuar.

“Për shkak se diplomat nuk u njihen, ky proces administrativ i jep zgjidhje një të drejte themelore kushtetuese dhe ligjore, e cila u është mohuar qytetarëve të Kosovës nga komunitetet joshumicë, të cilët kanë diplomuar në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, pra të drejtën për të aplikuar për pozitat e punës, pasi diplomat e tyre nuk u njohën nga Republika e Kosovës”, ka thënë Livingston.

Sipas tij, zgjerimi i mandatit të Komisionit do të mundësojë që një numër më i madh të qytetarëve serbë të punësohen në institucione publike, pasi t’i kenë verifikuar diplomat.

(Mos) njohja e diplomave

Verifikimi i diplomave u vu në veprim, pasi palët dështuan në zbatimin e marrëveshjes kryesore të Brukselit për njohjen e diplomave. Marrëveshja fillestare teknike e arritur më 2011 kishte të bënte vetëm me diplomat universitare. Në vitin 2016, kjo marrëveshje u zgjerua për t’i përfshirë edhe diplomat e nivelit fillor, të mesëm dhe profesional, si dhe diplomat e nivelit të pestë të kualifikimeve, në pajtim me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve. Afati për zbatimin e marrëveshjes së ripërtërirë ka qenë marsi i vitit 2016. Edhe pse janë ndërmarrë disa veprime, marrëveshja nuk ka filluar së zbatuari ende.

Hapi i parë ka qenë shkëmbimi i listës së institucioneve të akredituara të arsimit të lartë. Kjo e dhënë është evidentuar edhe në raportin e Qeverisë së Kosovës mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, i dorëzuar në qershorin e vitit të kaluar.

Bashkimi Evropian kishte kontraktuar organizatën holandeze SPARK për të ofruar asistencë teknike për njohjen e diplomave të arsimit të lartë por, siç shkruan në raport, ky projekt ende nuk ka filluar të zbatohet në mënyrë efektive.

Nuk ka pasur asnjë lëvizje as për zbatimin e marrëveshjes në nivelin parauniversitar. Sipas raportit të progresit të Qeverisë së Serbisë, ngërçi u shkaktua nga mungesa e fondeve për ndihmë teknike nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq Qeveria e Kosovës thotë se asnjëra palë nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ta ndryshuar dhe plotësuar legjislacionin në mënyrë që të fillojë zbatimin e kësaj pjese të marrëveshjes.

Edhe pse ka pak të dhëna mbi studentët dhe të diplomuarit në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, mbështetur në dokumentet që ka siguruar gazeta dhe bisedat me palë të ndryshme, ata janë kryesisht qytetarë Kosovës nga radhët e komuniteteve joshumicë- serbë, boshnjakë, malazezë, goranë. Po ashtu ka studentë nga vendet fqinje, veçanërisht të Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Bllokimi i Ligjit për Arsimin e Lartë

Statusi juridik i Universitetit paralel në veri deri më tani nuk është trajtuar në kuadër të dialogut me Serbinë. Ky universitet është institucioni i vetëm i arsimit të lartë në Kosovë që ofron të gjithë kurrikulën në gjuhën serbe. Ai është licencuar nga UNMIK-u në vitin 2007, ndërsa Ligji për Arsimin në komunat e Republikës së Kosovës, i vitit 2008, e njeh si institucion publik të arsimit të lartë nën autoritetin e drejtpërdrejtë të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Megjithatë, ky institucion vazhdon të operojë sipas sistemit arsimor serb dhe është i akredituar nga autoriteti akreditues i Serbisë. Sipas faqes zyrtare, e cila ka domen të Serbisë, Universiteti i Mitrovicës në veri ofron studime themelore, pasdiplomike dhe të doktoratës, në dhjetë fakultete të ndryshme: Fakultetin e Shkencave Teknike, Fakultetin e Shkencave Natyrore-Matematikore, Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Arteve, Fakultetin e Sporteve dhe Edukatës Fizike dhe Fakultetin Ekonomik. Sipas shifrave të paraqitura, aktualisht numri i studentëve është rreth 10 mijë ndërsa staf akademik dhe administrativ 900 sish. Në Mitrovicën e Veriut është i vendosur edhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës dhe Qendra Studentore Prishtina.

Qeveria e Serbisë vazhdimisht ka insistuar që të diplomuarit e universitetit t’i nënshtrohen procesit të njohjes së diplomave nga organet e Republikës së Kosovës në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, por kjo nuk është pranuar nga autoritetet e Kosovës. Në vend të kësaj, siç evidentohet edhe në raportin e Qeverisë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për një zgjidhje të veçantë për njohjen e diplomave të këtij universiteti.

Derisa Kosova njëanshëm ua njeh serbëve diplomat, Serbia nuk i pranon dokumentet që mbajnë vulën e institucioneve arsimore të Kosovës. Një numër i madh i studentëve nga Lugina e Preshevës kanë mbaruar studimet në universitetet e Kosovës. Ata në vazhdimësi janë ankuar për problemet me nostrifikimin e diplomave nga shteti serb. Edhe shifrat flasin për numër të vogël të njohjes së diplomave të atyre që kanë diplomuar në universitetet e Kosovës, e që kanë aplikuar për njohje në Beograd. Sipas raportit të fundit të Qeverisë, numri i përgjithshëm i aplikacioneve të dorëzuara në Beograd është vetëm 25 derisa numri i përgjithshëm i certifikatave të lëshuara është 13.

Procesi u stopua tërësisht kur në vitin 2014 Gjykata Kushtetuese e Serbisë e shfuqizoi dekretin e Qeverisë për njohjen e diplomave. Prej atëherë procesi ka stagnuar, me gjithë përpjekjet e BE-s për ta rinisur atë.

Mungesa e një marrëveshjeje rreth së ardhmes së këtij universiteti e ka bllokuar edhe miratimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe, Projektligji për arsimin e lartë është kthyer disa herë për shqyrtim. Vonesa ka të bëjë me rezistencën e serbëve për ta integruar Universitetin e Veriut brenda sistemit të Kosovës. Gazeta ka pyetur në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila është sponsorizuese e këtij ligji, se pse serbët nuk duan të integrohen dhe cila është zgjidhja e propozuar nga Ministria. Por ka munguar përgjigjja e tyre.

Ligji për Arsimin hyn në mesin e ligjeve me interes vital. Për miratimin e kësaj kategorie të ligjeve kërkohen edhe dy të tretat e votave të komuniteteve pakicë.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi, i quan absurde bllokadat dhe kërkesat e serbëve për universitetin në veri.

“Problemi me ligjin buron nga e drejta e serbëve për veto në ligjet me rëndësi të veçantë. Kjo duhet patjetër të zgjidhjet, pasi Kuvendi për këtë dhe shumë çështje të tjera po vazhdon të mbetet i bllokuar. Nëpërmjet vetos serbët po synojnë të realizojnë qëllime tjera politike, që janë të patolerueshme për një shtet”, ka thënë Kurteshi.

“Tash për tash, nëse nuk merret një hap i guximshëm për gjëra që nuk prekin në substancën e të drejtave të komuniteteve, nuk mund të shkohet përpara”.

Komisioni që drejton Kurteshi e ka shqyrtuar Projektligjin dhe legjislatura aktuale i ka rekomanduar që të votojë pro tij. Por ai nuk është futur as në rend dite, ngase deputetët e Listës Serbe prej muajsh kanë bojkotuar punën e Kuvendit, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ngritjen së taksës prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia. Lista Serbe, sikurse edhe Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë kanë refuzuar të flasin për këtë çështje.

Por ish-deputeti i Kuvendit, Nenad Rashiq, thotë se Kosova vetë nuk mund t’i japë zgjidhje problemit të arsimit serb, të cilin ai e sheh si nyjë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të tjera.

serb është një çështje komplekse në Kosovë. Pa arritjen e një marrëveshjeje dhe pa konfirmim të dyja palëve në procesin e negocimit, nuk mund të arrihet zgjidhja. Kujtoj se edhe Pakoja e Ahtisaarit ka ofruar një metodologji, e cila nuk ka gjetur zbatim. Aty është një vakuum i madh, prandaj vetë ne apo institucionet nuk janë të gatshme ta gjejnë zgjidhjen”, thotë Rashiq, i cili është kryetari i Partisë Progresive Demokratike në Kosovë. Sipas ish-ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, kjo duhet të jetë pika fillestare e zgjidhjes së problemeve, “pasi nëse nuk zgjidhet çështja e gjuhës, arsimit - do të jetë vështirë edhe për aspektet e tjera”.

Beogradi zyrtar nëpërmjet subjektit kryesor që përfaqëson interesat e tij në Kosovë - Listës Serbe, ka pretendime që Universiteti i Veriut të Mitrovicës të futet nën ombrellën e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, mekanizëm ky që ende nuk është themeluar.

Në Zyrën e BE-së kanë thënë se palët duhet ta gjejnë vetë rrugën drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje, kur janë pyetur nëse kjo do të trajtohet në dialogun e Brukselit.

“Është në dorën e palëve të vendosin për agjendën dhe çështjet që do të diskutohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Rrjeti i paintegruar i shkollave paralele

Nuk është vetëm Universiteti në Veri i cili funksionon jashtë ombrellës së sistemit arsimor kosovar.

Tërë rrjeti arsimor në gjuhën serbe nuk bashkëpunon me institucionet e Kosovës dhe përdor një sistem tjetër. Shkollat në gjuhën serbe vazhdojnë të punojnë me kurrikulën e përgatitur nga Instituti për Përmirësimin e Arsimit të Serbisë.

Në komunat veriore të Kosovës rreth 4000 filloristë ndjekin mësimet në 16 shkolla. Kurse 500 mësimdhënës japin mësim në këto shkolla. Në Mitrovicën e Veriut shkollat fillore më të mëdha janë “Shën Sava” dhe “Branko Radiçeviq”, si dhe pesë shkolla të tjera të cilat pas vitit 1999 janë zhvendosur nga pjesa jugore e qytetit.

Pas Mitrovicës së Veriut numri më i madh i nxënësve është i regjistruar në Leposaviq me rreth 1170, në tri shkolla fillore. Në Komunën e Zveçanit gjenden tri shkolla fillore - “Vuk Karaxhiq”, “Banoviq Strahinja” në Banjskë dhe “Shën Sava” në Zherovnicë.

Ndërkaq rrjetin e institucioneve të arsimit të mesëm e përbëjnë 10 shkolla të mesme, në të cilat ndjekin mësimin më shumë se 2000 nxënës. Vetëm në Mitrovicën e Veriut janë katër shkolla të mesme profesionale dhe dy gjimnaze.

Në komunën e Zubin-Potokut arsimi fillor zhvillohet në shkollën fillore, “Jovan Cvijiq”.

Zyrtarë nga Prishtina deri më tani nuk kanë arritur të vendosin kontakte dhe t’i vizitojnë shkollat serbe në veri.

Madje deputeti Kurteshi thotë se as që kanë bërë përpjekje.

“Në kohën kur kam qenë drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, kam tentuar, kam hyrë në shkolla, por nuk kanë pranuar të komunikojmë. Nëse nuk ka komunikim çfarë mund të pritet më shumë”, thotë ai.

Në veriun e populluar me shumicë serbe janë edhe disa shkolla në gjuhën shqipe, por të cilat përballen me vështirësi të shumta. Ato kryesisht ndërlidhen me çështjet që kanë të bëjnë me transportin. Këto probleme janë evidentuar edhe nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, sipas të cilit, në Leposaviq nxënësit që udhëtojnë nga Koshtova dhe Ceraja në shkollën e Bistricës së Shalës, më parë shërbeheshin nga një minibus i cilësisë së dobët, i cili më pas u zëvendësua nga Komuna. Në Zveçan nuk ka autobus shkollor për nxënësit nga Lipa dhe Zhazha që ndjekin arsimin e mesëm të ulët në Boletin. Po ashtu transporti nuk është i organizuar për shkollën në Kodrën e Minatorëve.

Libra që nxisin urrejtje

Shkollat që ofrojnë mësim në gjuhën serbe jo vetëm që aplikojnë plan-programe të përgatitura nga Ministria e Arsimit e Serbisë, por edhe tekstet e librave janë kundër frymës së Kushtetutës dhe në disa raste nxisin urrejtje.

Në maj të këtij viti, në kryeqytetin e Serbisë është organizuar një konferencë, në kuadër të festivalit “Mirëdita Dobër dan!”, përkitazi me ndikimin që kanë tekstet shkollore në formësimin e nxënësve- sidomos ato të historisë dhe gjeografisë.

Me përmbajtjen e këtyre teksteve është marrë politilogu Shkëlzen Gashi, i cili ka promovuar librin - “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Ai thotë se dallime të qarta dhe të shumta hetohen në qasjen e historiografisë shkollore të Serbisë e të Kosovës ndaj zhvillimeve në territorin e Kosovës, kryesisht sa i takon pronësisë ndaj territorit dhe prezantimit të krimeve të kryera nga palët në territorin e Kosovës.

“Në asnjërën prej teksteve të këtyre vendeve nuk prezantohen takimet, marrëveshjet e bashkëpunimet e përfaqësuesve politikë e ushtarakë të shqiptarëve me ata të serbëve”, ka thënë Gashi për “Kohën Ditore”. Sipas tij, karakteristikë kryesisht për tekstet e Kosovës janë hiperbolizimet e qëllimeve të organizimeve politike e ushtarake të shqiptarëve. “Pika ku takohen historiografia shkollore e Kosovës me atë të Serbisë është sa i takon prezantimit vetëm të krimeve të palës ‘tjetër’ dhe hiperbolizimit të tyre. Një pikë tjetër që i bashkon historiografitë e Kosovës e të Serbisë është gjuha me etiketa për palën ‘tjetër’. Nuk ka asnjë ngjarje që përshkruhet njësoj”, shprehet ai.

Për ta ndryshuar këtë gjendje, Gashi thotë se duhet vullnet në nivel politik në Kosovë e në Serbi.

“Ma merr mendja se ndryshimi i teksteve shkollore të historisë mund të bëhet vetëm nëse vendoset si një prej parakushteve për këto vende për t’u integruar në strukturat e BE-së”, thotë ai.

Javën kur po mbahej festivali, kryeministrja e Serbisë i kualifikoi politikanët kosovarë si egërsira që kanë zbritur prej malit.

Stevan Milosavleviq, aktivist nga organizata “Woman in Black” në Serbi, thotë se urrejtja vazhdon të jetë aq e pranishme dhe se fjalët që tha kryeministrja e Serbisë mësohen në librat e historisë.

“Shqiptari duhet të vdesë”, “Ne, djemtë e nënave serbe, do ta mbrojmë Kosovën”,... sipas Milosavljeviq, janë disa prej sloganeve me përmbajtje raciste.

“Këtu nuk kanë faj vetëm profesorët që ua shpjegojnë historinë”, ka thënë Milosavljeviq, i cili deri në vitin 1999 ka jetuar në Obiliq, Kosovë. Ai shton se faj kanë edhe politikanët, duke iu referuar një vizite që ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, ia kishte bërë një shkolle fillore në Serbi.

“Ai i kishte pyetur nxënësit e klasës së tetë se sa prej tyre kanë qenë në Kosovë. ‘Asnjë’ - i kishin thënë ata. Ndërkaq Vulini u kishte sugjeruar që të shkonin në Kosovë duke ironizuar me atë se edhe atje jetojnë njerëzit nëpër shtëpi”, është shprehur Milosavleviq.

Në të kaluarën Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksione për të ndaluar hyrjen e teksteve shkollore nga Serbia, sikurse ajo në vitin 2015. Ndalesa kishte ardhur vetëm si kundërmasë ndaj autoriteteve serbe që nuk lejonin tekstet e kurrikulës së Kosovës të dërgoheshin në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka trajtuar situatën e arsimit serb në Kosovës dhe ka dhënë një sërë rekomandimesh sa i përket ofrimit të qëndrueshëm të arsimit për komunitete, përpilimit të kurrikulës në gjuhët e komuniteteve, si dhe promovimit të dialogut mes tyre. Ndër rekomandimet kryesore kanë përmendur: hartimin e librave shkollorë për mësimin e gjuhës shqipe si lëndë e gjuhës joamtare, implementimin e marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të diplomave, vazhdimin e verifikimit të titujve të lëshuar nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, si dhe zgjerimin e mëtutjeshëm të procesit.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë monitoron dhe përkrah të drejtën e pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë për qasje në të gjitha nivelet e arsimit në gjuhët e tyre. Prandaj, misioni angazhohet me institucionet e nivelit qendror dhe lokal për të siguruar ofrim të qëndrueshëm të arsimit në gjuhën e komunitetit dhe për zbatim të të gjitha dispozitave ligjore në fuqi”, kanë thënë në një përgjigje të Zyrës për informim në OSBE-s. Sa i përket zgjidhjes më të përshtatshme në mënyrë që arsimi në gjuhën serbe të integrohet brenda sistemit të Kosovës, OSBE-ja thotë: “Çdo vendim për këtë çështje duhet të merret duke respektuar plotësisht obligimet që dalin nga Kushtetuta dhe korniza ligjore në fuqi”.

Sipas shifrave të këtij misioni, në tërë Kosovën mësojnë afërsisht 18 mijë e 300 nxënës me kurrikula të Serbisë. Prej tyre 4 mijë e 800 janë në nivelin shkollor dhe 4 mijë e 8000 në atë të mesëm.

Një propozim sipas modelit gjermano-danez

Deri më tani kanë rezultuar të dështuara përpjekjet e Prishtinës për shtrirjen e autoritetit në veri, dhe kjo problematikë është trajtuar vetëm në kontekst të strategjive të përgjithshme rreth arsimit. I tillë është miratimi i Planit Strategjik për Arsimin në Kosovë për periudhën 2017–2021. Objektivi i parë strategjik është “Pjesëmarrja dhe përfshirja”, duke përfshirë dialogun ndërkomunitar përmes arsimit dhe promovimin e dialogut ndëretnik. Megjithatë, dy sistemet kanë vazhduar të veprojnë ndaras dhe me bashkëpunim të kufizuar zyrtar, kryesisht të natyrës financiare dhe teknike.

Por një model për zgjidhjen e arsimit paralel serb e ka propozuar Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve, pas një vizite studimore në Gjermani. Është modeli gjermano-danez, i cili aplikohet në zonën kufitare mes dy vendeve. Adrian Zeqiri teksa ka shpalosur propozimin për gazetën ka thënë se danezët që banojnë në pjesën gjermane, Flensburg, mësojnë në shkolla të udhëhequra nga Asociacioni i Shkollave Daneze në Gjermani, me kurrikulë të Bundestagut, por me lëndë speciale në gjuhën daneze. Ndërkaq diplomat që lëshohen prej këtyre institucioneve arsimore njihen prej të dyja vendeve. E njëjta vlen edhe për komunitetin gjerman që jeton në territorin e Danimarkës. 70 për qind e shkollimit financohet prej shtetit amë, ndërkaq 30 për qind nga shteti ku jetojnë.

“Këtë e kemi propozuar para institucioneve të Kosovës dhe u ka pëlqyer. Por ende është në fazën e propozimit për strategji, derisa planifikojmë ta bëjmë një studim të fizibilitetit”, ka thënë Zeqiri.

Aktualisht sipas Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, shkollat që japin mësim në gjuhën serbe mund të aplikojnë kurrikulë apo tekste mësimore të përgatitura nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Serbisë pas njoftimit dhe autorizimit të Ministrisë së Arsimit të Kosovës. Kjo përfshin bashkëpunimin me institucionet serbe dhe pranimin e asistencës së tyre financiare.

Bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen Përfundimtare të Statusit të Kosovës, dispozitat ligjore përkatëse përcaktojnë autorizimin e kurrikulës së Serbisë në Kosovë, por këto dispozita ende nuk janë zbatuar në praktikë. Institucionet e Kosovës nuk kanë punuar në përgatitjen e një kurrikule në gjuhën serbe. Deri tani MASHT-i nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga shkollat që punojnë sipas kurrikulës së Serbisë në lidhje me përdorimin e kësaj kurrikule.

Institucionet paralele serbe në Kosovë prej pasluftës janë ballafaquar edhe me mungesë të investimeve.

Shkollat fillore, të mesme dhe fakultetet mbajnë mësim në të njëjtat hapësira. Në objektin kryesor në Mitrovicën e Veriut gjenden Shkolla Teknike, Gjimnazi dhe Universiteti paralel i Prishtinës.

Edhe pse nuk njihen nga Prishtina zyrtare, përkatësisht Ministria e Arsimit - shkollat në gjuhën serbe marrin mbështetje financiare nga ana e komunave me shumicë serbe. Shkollat në Komunën e Mitrovicës së Veriut kanë përfituar përkrahje financiare me mjete të ndara nga MASHT-i dhe të shpërndara nga Komuna, në shumë prej gjithsej rreth 1 milion e 564 mijë eurosh, brenda një periudhe prej tre vjetësh (2015/2016/2017).

Edhe Qeveria e Serbisë investon në arsimimin në gjuhën serbe në Kosovë, nëpërmjet të të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë dhe Metohi”. Po ashtu, shkollat në gjuhën serbe marrin mbështetje dhe donacione edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe organet e vetëqeverisjes lokale.

Projekt i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i dhe AGK-ja.