Arbëri

MIE-ja arsyetohet se komunikata për takimin me O’Connellin ishte shabllon

Ministria e Integrimit Evropian përmes një komunikate për media ka thënë se komunikata për takimin Hoxha – O’Connell ishte një shabllon i përdorur më herët dhe e pakonfirmuar nga Ambasada Britanike.

Ambasadori britanik në Kosovë, i cili largohet nga ky post në muajin shtator, Ruairi O’Connell, i ka reaguar ashpër ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me të cilën u takua sot duke thënë se me të s’kishte biseduar për MSA-në, transmeton Koha.net.

O’Connell përgënjeshtron ministren Hoxha: As që diskutuam për MSA-në

Më poshtë mund ta lexoni kumtesën e plotë të MIE-së:

Zyra e Komunikimit dhe Informimit e Ministrisë së Integrimit Evropian, shpreh keqardhje për versionin e kumtesës e cila kishte lëshime dhe ishte shabllon i përdorur më herët dhe i pakonfirmuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Kumtesa e korrigjuar:

Ministrja Hoxha falënderon Ambasadorin Ruairí O’Connell për përkrahjen në luftën kundër krimit, korrupsionit e nepotizmit

Prishtinë, 14 Gusht 2019 - Ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim ambasadorin në largim të Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e deritanishëm, të cilin Ministrja e vlerësoi lartë dhe shumë të dobishëm.

Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadorin O’Connell për përkrahjen në luftën kundër krimit, korrupsionit, e nepotizmit, duke potencuar se miqësia dhe përkrahja e Mbretërisë së Bashkuar, është vlerë e qytetarëve dhe shtetësisë së Kosovës.

“Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar dhe diplomacisë së saj, zë vend të jashtëzakonshëm në historinë e re të vendit tonë, andaj, vlerat e kësaj miqësie, vetëm sa rriten. Përkrahja e vazhdueshme që vije nga ky vend i madh, ka rëndësi të veçantë për Kosovën dhe qytetarët e saj, andaj, edhe puna juaj, z. Ambasador, do vlerësuar lartë dhe e çmojmë shumë”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar fuqishëm pranë sfidave të shtetndërtimit të institucioneve tona.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, vlerësoi që Kosova është në një udhëkryq dhe duhet të ndërmerren hapa për të ecur përpara. Luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit mbetet i rëndësishëm, si dhe nxitja e një kulture të proceseve transparente të rekrutimit brenda shërbimit civil.