Për analistët, mesazhi i QUINT-it i është drejtuar Qeverisë së ardhshme

Donika Voca Gashi Donika Voca Gashi 13 August 2019 19:05

Rifillim i menjëhershëm i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo ka qenë kërkesa e 5 qeverive të vendeve të QUINT-it, ajo e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë e e Mbretërisë së Bashkuar.

Në një deklaratë të përbashkët, vendet e QUINT-it kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shmangin veprimet që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare e që nënkupton kompromis mes vendeve, raporton KTV.

“Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, thuhet në letrën e këtyre 5 shteteve në deklaratë.

Por, Zyra e Kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, përmes një përgjigje me shkrim edhe njëherë ka sqaruar rrethanat se përse ishte e nevojshme vendosja e taksës ndaj shtetit të Serbisë.

Derisa ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka qenë kundër dialogut, por se ky proces nuk duhet të jetë i kushtëzuar.

“Vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës ka qenë veprim i nevojshëm në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës nga veprimet armiqësore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, gjithmonë kemi marrë në konsideratë sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë sa u përket temave politike në vend. Sa i përket dialogut, Kosova asnjëherë nuk e ka penguar atë, madje jemi shprehur të gatshëm të ulemi në tavolinë për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe që çon në njohje reciproke. Ky proces nuk duhet të jetë i kushtëzuar”, ka thënë Zyra e Kryeministrit për KTV-në.

Por, analistët politikë thonë se kjo kërkesë është më shumë mesazh për partitë që mund të fitojnë zgjedhjet e të udhëheqin Qeverinë e ardhshme.

Kanë kaluar më shumë se 9 muaj që kur Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës 100 % ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjë Hercegovinës.

Përkundër presioneve të mëdha ndërkombëtare, Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, kishte thënë se kjo taksë mund të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme