Vendosja e memorialit në Kodrat e Liqenit, në Tiranë,kushtuar viktimave të grushtit të shtetit në Turqi ngjall reagime të forta. Rama është kthyer në shërbim të Erdoganit, shërbim i cili po vlerësohet antishqiptar dhe antikombëtar, shkruan sot "Shekulli".
Ka ngjallur shumë reagime publike vendosja e një memoriali dhe një emri rruge në Tiranë për viktimat e atij që njihet si “grushti i shtetit” i 15 korrikut në Turqi. Megjithëse u tentua të kalohej në heshtje, mësohet se propozimi dhe vendimi është qeveritar, jo i pushtetit lokal. Memoriali përmban emrat e 251 qytetarëve të vrarë në mbrojtje të qeverisë së Presidentit Erdogan, gjatë tentativës për grusht shteti tre vjet më parë në Turqi.
Shqipëria është vendi i parë dhe i vetëm në botë që i ngre memorial viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi. Gjithashtu, në vendin tonë nuk ekziston asnjë memorial i ngjashëm për asnjë vend tjetër në botë. I detyruar nga rrethanat, kryebashkiaku Erion Veliaj e ka komentuar dje këtë vendim në një prononcim për mediat. “Nuk i prish punë askujt. Më thonë është në cepin e Liqenit, ku shumica prej atyre që ankohen as iu ka rënë në mendje kur ishte mbuluar me ferra dhe kur digjej plastikë dhe ku zaptohej si territor. Tek Liqeni dhe në të gjithë Tiranën ka vend për të gjithë”, tha Veliaj.
3 vjet më pas..
Mbajta e një veprimtarie organizuar nga ambasada turke në Tiranë, me rastin e 3-vjetorit të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, në 15 korrik të vitit 2016, ku është ngritur një Memorial kushtuar viktimave të asaj ngjarjeje, ka ngritur pikëpyetje lidhur me rolin e Bashkisë së Tiranës. Në një njoftim në “Facebook”, ambasada turke në Tiranë, bëri të ditur se “me pjesëmarrjen e vëllezërve dhe motrave shqiptare, me sukses dhe me krenari inauguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.
Duket se bëhet fjalë për një ngjarje të pazakontë, pasi në Shqipëri, nuk rezulton të ketë monumente dedikuar ngjarjeve të ndodhura në një shtet të huaj, siç ishte rasti i grushtit të dështuar të shtetit, për të cilin autoritetet turke fajësuan klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO. Tre ditë pas këtij zhvillimi në Tiranë, kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, siç shpjegoi vetë kreu i Qeverisë, i vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta, me kreun e shtetit turk.
Pak ditë më vonë në Tiranë mbërriti për një vizitë ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte diskutuar me homologun e tij shqiptar Sandër Lleshaj si dhe me kryeministrin Edi Rama “për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim”, tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ndaj FETO-s”.
“Kryeministri Rama është kthyer në shërbim të Erdoganit“
Ish-atasheu ushtarak ne Republikën e Turqisë, Hajro Limaj, në një prononcim për gazetën “Shekulli” komenton ashpër vendosjen e memorialit në Tiranë, kushtuar viktimave të “grushtit të shtetit” në Turqi. Në këtë prononcim, Limaj citon se: “Reagimi i atdhetarëve shqiptarë ndaj këtij lajmi është tronditës dhe me shumë të drejtë e vlerësojnë tradhti të Edi Ramës ndaj Atdheut dhe kombit. Erdoganit, këtë nder nuk ja ka bërë asnjë vend i botës, bile as në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Ai e realizoi atë shumë mirë në vend vasal, Shqipërinë, të cilën vitet e fundit po e pushton atë politikisht dhe ekonomikisht. Pyetja shtrohet: Kush e ka marrë vendimin dhe kush i ka dhënë leje ambasadës turke të kryejë një veprimtari të tillë të kundërligjshme në kryeqytetin shqiptar? Po emërtimin “Rruga e dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Memoriali i Parkut të Demokracisë së 15 Korrikut”? Sipas ligjit emërtimi i një rruge apo një parku është kompetencë e Këshillit Bashkiak. Zëri i Amerikës nga këto enigma më datën 9 kontaktoi me Bashkinë, por ajo i bëri dalje ministrisë se Jashtme. Ndërsa Ministria e Jashtme deklaroi se nuk kishte asnjë informacion apo angazhim në këtë ndodhi të turpshme, anti-kombëtare.
Nga disa pamje të publikuara këto ditë nga kjo veprimtari antishqiptare, evidentohet se nga bashkia ka marrë pjese Arbër Mazniku, i cili nuk sqaron nëse ka shkuar si individ apo me funksionin e zëvendëskryetarit të Bashkisë së Tiranës. Këto institucione të kapura me mbështetjen e shtetit turk, që kur Erdogani skenoi grushtin e shtetit të dështuar. Edhe pse këto institucione nuk kanë asnjë lidhje me këto zhvillime në Turqi, Erdogani i fut në listën e Organizatës Terroriste të Gylenit, që jeton dhe e siguron Amerika. Këtë emërtim terrorist nuk e njeh as OKB, as OSBE, as Amerika dhe asnjë vend i Bashkimit Europian, ku të përndjekurit e Erdoganit i strehojnë.
Shqipëria në vazhdimësi është bërë pjesë apo mbështetëse e qëndrimeve Turke edhe në raporte ndërkombëtarë, siç ishte votimi në OKB në krah të Turqisë dhe kundër Amerikës për mosnjohjen e Jeruzalemit Lindor si kryeqytet, apo në shumë qëndrime të tjera . Strategjia pushtuese e Erdoganit bën kërcënim serioz për të ardhmen europiane. Fatkeqësisht kryeministri Rama, nuk mund ta them shkakun, është kthyer në shërbim të Erdoganit, shërbim i cili po vlerësohet anti-shqiptar dhe antikombëtar”.
Arben Malaj: Model i babëzisë për pushtet
Për memorialin e vendosur në kryeqytet, kushtuar viktimave të “grushtit të shtetit” në Turqi, ka reaguar edhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj. Përmes një statusi në “Facebook”, Malaj i drejtohet kryebashkiakut Erjon Veliaj me një gjuhë të ashpër, duke e akuzuar për arrogancën e tij. Në këtë reagim, Malaj i bën thirrje popullit që të ndërgjegjësohet për pasojat që dëmtojnë vlerat kombëtare. “Ky njeri nuk njeh asnjë kufi të arsyes njerëzore dhe të përgjegjësisë morale dhe ligjore.
Ky politikan mostër për nga veset e tij për pushtet, ky model arrogance dhe babëzie, nuk duhet të drejtojë asnjë kopsht pa drekë dhe jo më kryeqytetin e një vendi, qe jo vetëm gjeografikisht është dhe duhet të jete evropian. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen për pasojat afatgjata te pa përgjegjshmërisë së tij, pasoja që mund të dëmtojnë pasurinë më të shenjtë të kombit shqiptar, harmoninë fetare. Ky njeri për pushtetet vret këdo, por kurrë jo popullin e tij”, shkruan Malaj.
Pano Soko: Çfarë t’iu tregojmë fëmijëve!
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, në një status në “Facebook” ngre disa pyetje shqetësuese për vendosjen e memorialit turk në Tiranë, përmes së cilës kërkohet të kujtohem viktimat e një shtetit tjetër, që përbejnë no sens për vendin tonë, shkruan i shqetësuar Soko.
“Çfarë kuptimi ka të ngresh një memorial për të rënët në një grusht shteti, në një vend tjetër? Domethënë, çfarë ngjarje historike përbën kjo për njerëzimin (se për ne si shtet as na fut gjë në xhep, as na nxjerr gjë nga xhepi) që ne duhet ta përkujtojmë me një memorial? Se nuk është se po memorializojmë luftën e një populli për liri për shembull, që edhe bën sens. Pra Turqia u pushtua nga një pushtues i huaj dhe u ngrit populli turk, luftoi dhe fitoi lirinë. Dhe ne, në shenjë mbështetjeje për luftën dhe gjakun që u derdh për një mision të shenjtë, siç është liria nga pushtuesi, i një populli mik, ngremë një memorial.
Kjo edhe bën sens. Po kështu.. po ngremë një memorial, për çfarë?? Po mendoj ditën kur të jem nga liqeni me tim bir dhe të më pyesë: “Çfarë është ky muri me këto emrat?” Edhe nëse një moment e mendojmë se duhet të memorializojmë heronjtë e popullit turk (meqë na duhet një simbolikë idhujtarie se s’mund të rrimë pa një të tillë) atëherë hajde bëjmë një bust të Mustafa Qemalit që bën sens. Një bust të një simboli që të kesh çfarë t’u tregosh fëmijëve kur të kalojnë aty pranë e të të pyesin. Po kështu..?? Një memorial për Erdoganin? Por, sikur t’i harrojmë një moment gjithë non-senset…Përpara Erdoganit, marrëdhënia e Turqisë me Shqipërinë ka qenë shumë miqësore dhe mbi të gjitha ka qenë e sinqertë në miqësinë e vet. Pra kishte sinqeritet vëllazëror të vërtetë”, shkruan Soko.
Zef Preçi: Nënshtrim ndaj shtetit turk
Ndërsa, analisti dhe eksperti i ekonomisë Zef Preçi, në një status të shkurtër në rrjetin social “Facebook” ngre përmes disa pyetjeve shqetësime serioze për memorialin turk në Tiganë, duke thënë se: “Nënshtrim ndaj një shteti të huaj mik? Mungesë transparencë ndaj qytetarëve dhe detyrimit për konsultim publik? Shkelje të legjislacionit në fuqi? Hapje rruge për vendimmarrje të tjera çorientuara si kjo?”, thekson analisti.
Ndërsa rekomandon rrugën e zgjidhjes për situatën politike në vend. “Unë besoj se janë pak nga të gjitha këto që listova më sipër… Shqipëria normalizohet vetëm me zgjedhje të përgjithshme të parakohshme!”, përfundoi ai.