Arbëri

EPIK: Për herë të parë pas 10 viteve, shumica e qytetarëve të BE-së mbështesin zgjerimin

Foto: Driton Paçarada / Koha

Instituti EPIK ka analizuar të dhënat dhe trendët e fundit që dalin nga Eurobarometri, për të shkoqitur shtatë gjetje kryesore.

E para, sipas këtij instituti është zgjerimi.

“Për herë të parë pas 10 viteve, shumica e qytetarëve të BE-së mbështesin zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e vendeve të reja”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga ky institut.

Po ashtu, thuhet në pikën radhës, perceptimi pozitiv për BE-në ka mbërri pikën më të lartë qysh nga viti 2009.

“44% të qytetarëve të BE-së kanë besim më të madh në BE, se sa në qeveritë dhe parlamentet nacionale. 45% të qytetarëve të BE-së kanë perceptim pozitiv për BE-në. 61% e qytetarëve të BE-së janë optimist për të ardhmen e tyre”.

Siç përcjell EPIK, “është arritur rekord i ri në përqindjen e qytetarëve që mendojnë se zëri i tyre është me rëndësi brenda BE-së, duke arritur nivelin prej 56%”, derisa “73% e qytetarëve të BE-së identifikojnë veten si qytetarët e BE-së”.

Në gjetjen e pestë EPIK shënon se “lëvizja e lirë dhe paqja në mes vendeve anëtare konsiderohen dy të rritura më të mëdha të BE-së”.

“Migrimi dhe ndryshimet klimatike janë dy çështje kryesore për qytetarët e BE-së. Sidoqoftë, përderisa migrimi vazhdon të shënojë rënie në rëndësinë e tij, ndryshimet klimatike tani për herë të parë konsiderohen si prioritet nga 1/5 e qytetarëve të BE-së, duke kaluar të gjitha prioritete të tjera për të zëne vendin e dytë”, thuhet në gjetjen e gjashtë.

Sa i përket çështjeve ekonomike, e që është gjetja e shtatë e shkëputur nga EPIK, “49% të qytetarëve e konsiderojnë gjendjen ekonomike të BE-së si të mirë, ndërsa mbështetja për EURO brenda zonës EURO ka arritur rekordin e ri prej 76%”.

Më 5 gusht 2019, Komisioni Evropian ka publikuar Eurobarometrin e fundit. Eurobarometri është themeluar në 1974 dhe qysh nga atëherë mbledh të dhënat për çështje të ndryshme të BE-së dhe përkitazi me këtë përfaqëson disponimin e qytetarëve të BE-së.

Eurobarometri i fundit është përgatitur me anë të intervistave të zhvilluara nga 7 qershori deri më 1 korrik në 28 vende anëtare dhe vende kandidate. Në këtë drejtim, janë realizuar 27,464 intervista.

KËTU mund ta gjeni të bashkangjitur studimin e fundit nga Instituti EPIK, si dhe disa infografika.