Kosnett e O’Connell të ashpër ndaj mbetjes në detyrë të Shalës në krye të Agjencisë për Verifikim të Pronës Foto: PA

Kosnett e O’Connell të ashpër ndaj mbetjes në detyrë të Shalës në krye të Agjencisë për Verifikim të Pronës

09 August 2019 19:28

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell kanë reaguar lidhur me mbetjen në detyrë të kreut të Sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Naser Shala.

Kosnett përmes një postimi në Twitter ka thënë se mbetja e tij në detyrë, minon besimin e qytetarëve për zgjedhjen dhe punësimin bazuar në merita.

Ai tutje ka shtuar se drejtimi i duhur për të gjithë të pakualifikuarit është dorëheqja.

Kosnett thotë se është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për t’i dhënë fund korrupsionit

“Kreu i pakualifikuar i KPCVA Naser Shala mbetet në detyrë, duke minuar besimin e qytetarëve për zgjedhjen e bazuar në merita. Drejtimi i nderuar për të gjithë emëruesit e pakualifikuar është dorëheqja. Është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për t'i dhënë fund korrupsionit dhe kronizmit”, ka shkruar Kosnett.

Këtë reagim të Kosnettit e ka përkrahur edhe ambasadori në largim i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Shala është i pakualifikuar, i paaftë dhe si i tillë nuk duhet të ishte emëruar në krye të kësaj Agjencie.

Ai ka shkruar se Qeveria britanike e kishte ndihmuar procesin e zgjedhjes së një kandidati të kualifikuar, por se, deputetët e shumë partive preferuan nepotizmin.

Jam plotësisht dakord. Ai është i pakualifikuar, i paaftë dhe nuk duhej të ishte emëruar kurrë. Qeveria Britanike ndihmoi në procesin që tregoi se ka pasur kandidat të kualifikuar, por shumica e deputetëve në Kuvend, nga shumë parti, preferuan nepotizmin dhe favorizimet e ndërsjella në shërbimin publik të kualifikuar dhe të pavarur. Një fyerje për taksapaguesit britanikë: kjo është arsyeja pse unë dhashë dorëheqjen. Nuk është çudi që edhe SHBA po humbet durimin”, ka shkruar ai.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme