2 perditesime
13:39

Haradinaj thotë se ndihet krenar që ushtrisë iu bashkua brezi i parë i rekrutëve

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, ka deklaruar se transformimi i FSK-së në ushtri po merr krah.

Haradinaj ka uruar certifikimin e 336 rekrutëve të rinj në FSK, duke thënë se ndjehet krenar që sot iu bashkua brezi i parë i rekrutëve ushtrisë së Kosovës.

“Transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës po merr krah. Krenar që sot rreshtit të saj iu bashkua brezi i parë i rekrutëve të ushtrisë sonë. Urime Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sot në kazermën ‘Adem Jashari’ është mbajtur ceremonia e certifikimit të 336 kadetëve të rinj, të cilët u bënë pjesë e FSK-së.

Kjo është gjenerata e parë që i bashkohet FSK-së me mandatin e ri.

10:57

Certifikohet gjenerata e parë e FSK-së me mandatin e ri ushtarak

337 pjesëtarë, në mesin e tyre 52 femra, 22 prej komuniteteve pakicë e kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik 9 javor, dhe i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Rekrutët e rinj e kanë bërë betimin të premten, në një ceremoni të organizuar në Kazermën ‘Adem Jashari’ në Prishtinë.

Kjo është gjenerata e parë e rekrutëve që i bashkohen FSK-së pas mandatimit me misionin e ri.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama ka kërkuar nga pjesëtarët e rinj që kontribuojnë në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së me mandatin e ri, si ushtri e Kosovës, raporton ksp.

“Jam i lumtur që ju jeni ata që keni dëshmuar që FSK-ja do të ketë nga radhët e veta djemtë dhe vajzat më të zot të vendit. Nga ju pritet të jeni të disiplinuar e të përkushtuar . FSK është forcë kredibile e multietnike, e gatshme të kontribuojë në paqe. Ka filluar tranzicioni sipas planin të bazuar me mandatin e ri për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Kërkoj nga të gjithë pjesëtarët që të punojnë në ngritjen dhe zhvillimin profesional në mënyrë që tranzicioni të kryhet me sukses", tha Rama.

Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, tha se nuk ka detyrë më të ndershme se sa ti shërbesh vendit. Ndërsa i cilësoi me fat pjesëtarët e rinj të cilët i përkasin gjeneratës së parë që i bashkohen FSK-së me mandatin e ri ushtarak.

“Kjo është një datë me rëndësi për karrierën dhe jetën tuaj, për FAK, e për shtetin. Nuk ka detyrë më të ndershme sesa ti shërbesh vendit. Ju jeni me fat sepse i takoni gjeneratës së parë që i bashkoheni FSK-së me mandatin e ri ushtarak. Sot duhet të jeni krenar për arritjen tuaj dhe të zotoheni se do të mbroni paqen, lirinë e shtetit tonë”, tha Berisha.

10:40

Veseli: Kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të Ushtrisë së Kosovës, se shteti ynë, Kosova, nuk e kërcënon askënd por as nuk do të lejojë askënd të cenojë atë.

Ai tha se integriteti territorial dhe kufijtë janë të shenjtë, të paprekshëm sot dhe përgjithmonë.

Para kadetëve të rinj, Veseli e konsideroi ditën e sotme ditë krenarie për të gjithë, ndërsa të qenit pjesëtarë të ushtrisë më të re në botë, ai e cilësoi privilegj për të cilin do të kenë lakmi gjeneratat që do të vijnë pas.

“Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, të lindur e zhvilluar në partneritet me NATO-n, Aleancën më të fuqishme në botë, garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Ne sot ndihemi krenarë me ju. Ne besojmë në përkushtimin atdhetar dhe profesionalizmin tuaj. Ju e keni nderuar atdheun kudo që keni marrë pjesë në garat ndërkombëtare, njësoj si sportistët tanë. Ju u keni dëshmuar aleatëve tanë seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e misioneve të përbashkëta në të mirë të paqes e njerëzimit. Me ju Kosova ndihet më e sigurt në të tashmen dhe të ardhmen e saj”, theksoi Veseli.

Siç bëhet e ditur në kumtesën për media, Veseli shtoi se Kosova po ndërton një ushtri e cila pasqyron shpirtin liridashës të popullit të Kosovës, vlerat mbi të cilat qëndron shteti i pavarur e sovran i Kosovës dhe vizionin për të marrë vendin që na takon në strukturat politike dhe ushtarake perëndimore.

“Ushtria e Kosovës është sot element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit e profesionalizimit të saj, për t'u bërë gati për fazën e anëtarësimit në NATO”, theksoi Veseli, duke paralajmëruar rritjen e buxhetit për ushtrinë.

Kreu i Kuvendit tha se ka një ëndërr për ta bërë Kosovën vend të zhvilluar, e të begatshëm për të gjithë qytetarët e saj.

“Ne do t’ia dalim, siç ia kemi dalë gjithmonë. Kosova ka veç një rrugë: rrugën përpara, zhvillim ekonomik, fuqizim të shtetit, integrim në NATO dhe BE. S’ka rrugë tjetër dhe s’do ta lejojmë askënd të na orientojë tjetërkah”, theksoi Veseli.