1 perditesime
16:57

MIE i përgjigjet shoqërisë civile rreth bursave

Ministria e Integrimit Evropian ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar në Koha.net me titullin “Shoqëria civile: Vendimet e kundërligjshme të ministres në dorëheqje Dhurata Hoxha, rrezikojnë të ardhmen e të rinjve”.

Kjo ministri thotë se realizon konkurse për punësim në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi që rregullon procedurat e punësimit të shërbyesve civilë në bazë të planit të personelit të miratuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe Ministria e Financave (MF) dhe shton se në këtë drejtim “është e nevojshme të qartësohet se hapja e konkursit për shërbyes civil nuk është në kuadër të kompetencave të Ministres”.

“Më tej, dëshirojmë të qartësojmë për publikun se në kuadër të marrëveshjes me Bashkimin Evropian rreth Skemës së Profesionistëve të Rinj -Young Cell Scheme (YCS) për këtë vit, dhe në bazë të planit të personelit të miratuar nga MAP dhe MF, MIE ka rezervuar 7 pozita të lira për të diplomuarit e kësaj skeme ashtu siç ka bërë në vazhdimësi. I njëjti përkushtim i Ministrisë së Integrimit Evropian i është transmetuar rregullisht edhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë”, thotë MIE në reagimin e saj.

Ministria thotë se “si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të ministres Hoxha, për vitin 2018, akomodimi i të diplomuarve nga YCS është arritur në nivelin 100% në përputhje me marrëveshjen me BE-në”.

“Po edhe këtë vit, ne synojmë të arrijmë cakun e njëjtë gjë që nënkupton që të gjithë të diplomuarit nga YCS do të mund të punësohen brenda institucioneve publike pas kthimit të tyre në Kosovë. Rikujtojmë që qëllimi i programit YCS është ngritja e kapaciteteve për shërbimin civil në institucionet publike. Në këtë drejtim, MIE iu është drejtuar të gjitha institucioneve publike përmes një shkrese ku ka kërkuar t’u jepet prioritet punësimit të sapo diplomuarve nga programi YCS, në kuadër të konkursit për shërbyes civil”, theksohet në reagimin e MIE-s.

“Ministrja Hoxha, gjegjësisht Ministria e Integrimit Evropian, mbetet e përkushtuar në realizimin e marrëveshjes për programin YCS si një prej programeve më të suksesshme në reformimin e administratës publike dhe ngritjes së kapaciteteve të shërbimit civil”, përfundon kjo Ministri.

12:13

Shoqëria civile: Vendimet e kundërligjshme të ministres në dorëheqje Dhurata Hoxha, rrezikojnë të ardhmen e të rinjve

Bursa e BE-së për studim të nivelit MASTER në universitetet evropiane, apo e njohur si Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme – YCS) është ndër projektet më të suksesshme të BE-së në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Disa organizata të shoqërisë civile mbështesin fuqimisht kërkesat e shërbimit civil të MIE-së dhe kërkojnë nga, siç shprehen ata, "ministrja në dorëheqje Dhurata Hoxha, anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e menjëhershëm të çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së".

“Deri më sot, 364 të rinjtë kanë pasur mundësi të studiojnë jashtë vendit dhe të kthehen dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një Kosove më të mirë. Sot bursistët e kësaj skeme mund të gjenden në mesin e shërbimit civil dhe diplomatik, akademi, shoqëri civile, biznese, media dhe parti politike. Secili nga ta ofron kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e të ardhmes së Kosovës. Përderisa BE-ja mbulon të gjitha shpenzimet e bursistëve, është obligim i institucioneve të Kosovës të sigurojnë punësimin e tyre në administratën publike. Në këtë formë, bursa kontribuon në ndërtimin e një administrate të pavarur, me integritet dhe profesionale”, thuhet në reagim.

Në këtë drejtim, shoqëria civile shpreh shqetësimin e thellë ndaj “tentativës së Ministres në dorëheqje të integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha, për të politizuar institucionin e MIE-së duke refuzuar punësimin e bursistëve të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake”.

“Këto veprime të Ministres në dorëheqje Hoxha janë të kundërligjshme dhe përbejnë shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërkombëtare, respektivisht Marrëveshjes Financiare për Ratifikimin e IPA-së 2016. Vendimet e kundërligjshme të Ministres në dorëheqje Hoxha rrezikojnë anulimin e bursave të parapara për vitet në vijim që do financojnë shkollimin jashtë vendit të qindra të rinjve kosovar. Po ashtu, dënojmë marrjen e masave të kundërligjshme dhe kërcënimet ndaj shërbimit civil të MIE-së”, thuhet tutje.

Lexo edhe: BE-ja kritikon ministren e Integrimeve për shkak të tentimit për t’i zënë vendet e bursistëve

Në mungesë të veprimit nga ana e Ministres në dorëheqje, Dhurata Hoxha, shoqëria civile fton ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj të ndërhyjë në kthimin e ligjshmërisë brenda Ministrisë së Integrimit Evropian.

Reagimi është mbështetur nga:

Demokraci për Zhvillim – D4D

Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS

Iniciativa për Progres – INPO

Instituti Columbus

Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD

Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane – EPIK

Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS

Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet - Çohu!