Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja kritikon ministren e Integrimeve për shkak të tentimit për t’i zënë vendet e bursistëve

Ministria e Integrimit Evropian ka shpallur konkurs të jashtëm për punësimin e pesë personave në Shërbimin Civil të kësaj ministrie.

Por, stafi civil i kishte kërkuar ministres në largim të Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, që të mos hapin konkurs, raporton KTV.

Vetëm disa ditë më pas, u bë shpallja e konkursit në kundërshtim me obligimet e Qeverisë ndaj BE-së, për zbatimin e projektit të Skemës së profesionistëve të rinj.

KTV-ja ka siguruar komunikimet e brendshme, ku shërbyesit civilë nga pesë departamentet e Ministrisë së Integrimit, kanë kërkuar që, siç e parasheh marrëveshja, të punësohen studentët që janë shkolluar përmes programit Skema e profesionistëve të rinj, apo “Young Cell Scheme”.

Vetë ministrja Hoxha, përmes një letre, i ishte drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrave dhe ministrave, duke u kërkuar që të mos shpallin konkurs, por që të kontaktojnë me Ministrinë e Integrimit.

Edhe Pas raportimit të KTV-së e presionit, Ministria e Integrimit i anulon konkurset e kontestuara Video Pas raportimit të KTV-së e presionit, Ministria e Integrimit i anulon konkurset e kontestuara

Por, vetëm një ditë pas kësaj kërkese të protokolluar më 22 korrik, vetë ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha shpalli konkursin, pavarësisht se ministrive të tjera u kërkoi që të mos e bëjnë një gjë të tillë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kishte shprehur shqetësime të ashpra për paralajmërimin e hapjes së konkursit të jashtëm.

Madje, përmes një letre drejtuar ministres në largim Dhurata Hoxha, Zyra e BE-së ia ka kujtuar asaj obligimet që ka Ministria, e cila duhet t’i punësojë bursistët në shërbimin civil.

Por, as ky reagim i BE-së nuk u mor parasysh nga ministrja në largim, Dhurata Hoxha.

As pas 3 ditë pritjesh, Ministria e Integrimit Evropian nuk ka kthyer përgjigje në interesimin e KTV-së për konkursin e kontestuar nga nëpunësit civilë të kësaj ministrie dhe nga Zyra e BE-së. As Zyra e Ministres Dhurata Hoxha nuk ka pranuar të japë asnjë detaj për këtë, duke mos qenë në gjendje të sqarojë konkursin dhe pretendimet e zyrtarëve evropianë në Prishtinë.

Në një përgjigje për KTV-në, Zyra e BE-së në Prishtinë, ka thënë se që nga viti 2004 kanë përfituar bursa 364 studentë.

Edhe Arrihet punësimi i 6 bursistëve YCS në Ministrinë e Integrimit Evropian Arbëri Arrihet punësimi i 6 bursistëve YCS në Ministrinë e Integrimit Evropian

BE-ja thotë se do të jetë sfidë për Qeverinë punësimi i studentëve përmes këtij programi këtë vit dhe se është duke e monitoruar Ekzekutivin.

“Në rundin e 11-të, 50 të diplomuar do të kthehen nga studimet deri në fund të këtij viti. Kjo do të jetë një sfidë për Qeverinë e Kosovës. Lajmi i mirë është që tashmë 5 prej tyre u është ofruar një punë në Ministrinë e Drejtësisë, 2 kanë marrë ofertë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe një ka marrë ofertë nga Zyra e Kryeministrit”, ka thënë Zyra e BE-së në Kosovë.

Rekrutimi i bursistëve përmes Skemës së profesionistëve të rinj, është obligim ndërkombëtar i Qeverisë së Kosovës, pas nënshkrimit të kontratave me bursistët dhe Komisionin Evropian, përmes marrëveshjes IPA.

Vendimi i Qeverisë i 10 tetorit 2012, saktëson obligimin e institucioneve për sistemimin dhe punësimin e bursistëve, në periudhë 3-vjeçare në Shërbimin civil.

35 punëtorët e stafit civil të Ministrisë së Integrimit Evropian, me shkresë zyrtare i janë drejtuar të mërkurën Dhurata Hoxhës, duke i thënë se do të hyjnë në grevë, nëse kërkesat e tyre për anulim të konkursit që e konsiderojnë të kundërligjshëm nuk merren parasysh.

Edhe Pas presionit, MIE-ja e anulon njërin nga konkurset e kontestuara Arbëri Pas presionit, MIE-ja e anulon njërin nga konkurset e kontestuara

Gjithashtu, stafi civil është ankuar te ministrja në largim, Hoxha, se ndaj tyre janë marrë masa disiplinore, pas ngritjes së zërit për shkeljet rreth hapjes së konkursit.

Konkursi i jashtëm për pesë pozita është hapur më 27 korrik dhe është mbyllur më 6 gusht.