Arbëri

Pse sipas Nitajt, qytetarët po rreshtohen pas Haradinajt

I ka përmendur disa arsye pse qytetarët e Kosovës po rreshtohen pas Ramush Haradinajt, kryeministrit që dha dorëheqje.

Deputeti nga partia AAK ku në krye është Haradinaj, Muharrem Nitaj, beson se lideri i kësaj partie, deri së voni kryeministër i Kosovës, ka bërë disa punë të mëdha gjatë kësaj kohe.

“Gjuha është prej tuli dhe thotë gjithçka, e ndonjëherë flet edhe broçkulla. Por qytetarët e Kosovës, sot më shumë se sa asnjëherë, po rreshtohen pas Ramush Haradinajt për disa arsye shumë të forta”, ka shkruar Nitaj, transmeton Koha.net.

Arsyet e Nitajt:

1. Pse e kundërshtoi ndryshimin e kufijve;

2. Pse Federica Mogherinit ia hoqi prej tavolinës temën e ndarjes;

3. Pse nuk pranoi të hiqej taksa 100 % pa njohje;

4. Pse e përmbylli procesin e krijimit të ushtrisë së Kosovës;

5. Pse nuk u nënshtrua për asnjë nga këto kërkesa dhe dha dorëheqje si burrat dhe mandatin ia ktheu sovranit!

“Më e thjeshtë se kaq nuk bëhet! Të tjerat janë broçkulla!”, ka shkruar Nitaj.

Por kujtojmë se dje gjatë një bisede me mërgatën në Mitrovicë, Haradinaj e pati një moment tensioni me një qytetar.

Ai e kritikoi Haradinajn se s’ka investuar fare në ndërmarrjen “Trepça”.

LEXO EDHE: Haradinaj - të moshuarit nga Mitrovica që ia përmendi autostradën e Dukagjinit: Marre për ty

Kur iu dha mundësia për t’i shtruar pyetje Haradinajt, e kritikoi atë duke i thënë se pse mjetet për autostradën e Dukagjinit nuk i ka investuar në ndërmarrjen “Trepça”. Ai iu drejtua Haradinajt duke i thënë si ashtu sikurse edhe qeveritë e kaluara, edhe Qeveria në ikje nuk ka bërë mjaftueshëm për funksionalizimin e Trepçës.