Arbëri

Haradinaj - të moshuarit nga Mitrovica që ia përmendi autostradën e Dukagjinit: Marre për ty

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj gjatë bashkëbisedimit sot me qytetarët e mërgatën e Mitrovicës pati edhe një moment tensioni.

Një i moshuar teksa iu dha mundësia për t’i shtruar pyetje Haradinajt, e kritikoi atë duke i thënë se pse mjetet për autostradën e Dukagjinit nuk i ka investuar në ndërmarrjen “Trepça”.

Po ky qytetar, i prezantuar si anëtar i Kryesisë së sindikalistëve të pensionuar të Trepçës, iu drejtua Haradinajt duke i thënë si ashtu sikurse edhe qeveritë e kaluara, edhe Qeveria në ikje nuk ka bërë mjaftueshëm për funksionalizimin e Trepçës.

“Të falënderojmë që e ke liruar Trepçën, por Trepça pa një financim nuk mund pa para, unë e kam paraparë që atë miliardin që e keni dhënë Dukagjin-Pejë, a më mirë ka qenë gjysmën e atij miliardi t’i jepet Trepçës për t’u ngritur. Atëherë kur vjen 10-vjetori Trepça e ngrit Kosovën dhe i thotë Zvicrës ti je ti dhe unë jam unë, kurse Trepça në kohën e komunizmit 47 për qind e ka furnizuar Jugosllavinë, e cila nuk ka marrë asnjëherë kredi pa e marr Trepça. Sot janë 1400 punëtorë, deri më datën 20 nuk mund t’i marrin pagat kur ia lëshoni ju Qeveria, nuk ka, pse nuk ka pasi dikush ia ka qit gishtin me shit edhe këtë“, tha ai.

I acaruar ndaj kësaj deklarate, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka reaguar duke i thënë këtij qytetari se duhet t’i vijë marre të bëjë krahasime të tilla, përcjell ksp. Ai madje tha se fal Pejës dhe Gjakovës nuk është ndarë Mitrovica, dhe po vazhdon të mbrohet në këtë aspekt.

“E përmende Pejë-Gjakovë, pak o marre për ty, se e dinë çka kanë bërë Peja dhe Gjakova për Mitrovicë, është njëjtë sikur me ta ndalë ty rrugën prej Prishtinës deri në Mitrovicë, nuk duhet ashtu të flitet. A është në rregull me ta ndalë rrugën që vjen prej Prishtinës në Mitrovicë, me të thënë që po i jap për Trepçën, ruani mos bënë kështu jemi në një vend. Ajo Pejë e ajo Gjakovë kanë bërë që mos të ndahet Mitrovica sot, edhe ata njerëz janë duke ndenjur në vijë të parë mos të ndahet Mitrovica, përnjëmend janë duke ndenjur në vijë të parë, janë duke vuajtur me familje, vetëm mos me u nda”, tha Haradinaj.

Situatën u mundua ta relaksojë kryetari i komunës së Mitrovicës, por që Haradinaj tha se “nëse do debat për këtë çështje mund të hyjnë në debat, por që përgjigjen ia dha nga zemra qytetarit nga Mitrovica”.

I moshuari shprehu edhe pakënaqësi tjera duke përmendur se një rrugë në Shalë të Mitrovicë ka mbetur e paasfaltuar shkaku i parave.

Diskutimin mes këtij qytetari dhe kryeministrit Ramush Haradinaj mund ta shikoni në videon më posht: