Time Kadrijaj ftohet nga Specialja

Kadrijaj: Ftesat e Speciales kanë pasoja politike për Kosovën

01 August 2019 20:32
22:37

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj e cila sot është kontaktuar nga Gjykata Speciale, ka shprehur shqetësim për ftesat e kësaj gjykate për ish-ushtarët e UÇK-së.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se megjithëse ende jo zyrtarisht, sot është kontaktuar me telefon nga Gjykata Speciale dhe është njoftuar se ftesën do ta marrë edhe zyrtarisht për tu intervistuar gjatë muajt shtator.

Kadrijaj ka thënë se nuk është aspak e mërzitur për pasojat ligjore, sepse sipas saj, lufta e ushtrisë ka qenë e pastër si loti dhe kjo do të dëshmohet përsëri.

“Por jam e shqetësuar për ftesat e njëpasnjëshme të kësaj Gjykate, të cilat për bazë kanë vetëm pretendimet politike të Serbisë dhe ta merr mendja që po kanë edhe pasoja politike, për Kosovën, e cila më në fund ka filluar të flasë me zërin e vet”, ka thënë ajo.

Ajo tutje është shprehur e bindur se edhe kjo sfidë do të përballohet me dinjitet.

“Jam e bindur se edhe kjo sfidë do të përballohet me dinjitet dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbetet e shenjtë, siç edhe ka qenë”, ka shkruar ajo.
 

20:32

Time Kadrijaj ftohet nga Specialja

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, është e ftuara e radhës e Gjykatës Speciale.

Këtë e ka konfirmuar për Koha.net vetë Kadrijaj, e cila ka thënë se nga Specialja është kontaktuar sot, ndërkaq pritet që atje të paraqitet diku në shtator.

Ajo tutje ka shtuar se ende nuk e ka marrë ftesën, ndërkaq Gjykata e ka kontaktuar për të mësuar vendndodhjen e saj për t’ia dërguar ftesën.

“Sot më kanë kontaktuar nga Gjykata, më kanë thënë se e kam një ftesë për t’u paraqitur në Gjykatën e Hagës diku në shtator. Ftesën nuk e kam ende, kanë dashur ta dinë ku jam në mënyrë që të më dorëzohet ftesa”, ka thënë ajo për Koha.net.

Tutje Kadrijaj nuk ka dashur të përgjigjet nëse ajo do të japë dorëheqje nga posti i saj i deputetes, ashtu siç ka vepruar edhe shefi i saj i partisë, Ramush Haradinaj, kur tha se po dorëhiqet nga posti i kryeministrit në mënyrë që në Gjykatën e Hagës të paraqitet si qytetar i Kosovës, e jo si kryeministër.

“Ta marrë njëherë ftesën e te shoh”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka shërbyer në UÇK si mjeke në spitalet ushtarake në zonën e Dukagjinit.

Kujtojmë se në muajin që lamë pas, nga Dhomat e Specializuara janë ftuar figura të larta të UÇK-së, mes tyre, Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi, Shukri Buja, Sokol Bashota e Bislim Zyrapi.

Lexo edhe: Shkon në 30 numri i të ftuarve nga Specialja deri tash

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme