Arbëri

Gjykata në Leskovc: Do të dërgojmë më shumë ftesa për burg në Kosovë

Gjykata Themelore në Leskovc të Serbisë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se ka filluar dërgimin në Kosovë, të thirrjeve për të vuajtur dënimin me burg, në bazë të aktgjykimeve përfundimtare, të lëshuara nga gjykatat e tjera në Republikën e Serbisë, para së cilave janë zhvilluar këto procedura.

Novica Dimitrijeviq, nënkryetar i asaj Gjykate, në një përgjigje me shkrim deklaroi se tashmë ftesat u janë dërguar një numri të personave të dënuar, përmes të cilave, ata njoftohen për urdhërin e vuajtjes së dënimit me burg.

Sa thirrje janë bërë?

"Përveç personave aktual - të cilët e kanë informuar publikun për pranimin e urdhërit për vuajtjen e dënimit me burg - urdhëra të tilla u janë dërguar një numri personash që banojnë në territorin e Kosovës, ndaj të cilëve janë plotësuar kushtet ligjore për vuajtje të dënimit. Personat tjerë, që nuk kanë marrë ende fletëparaqitje, do t'u dërgohen atyre kur të përmbushen të gjitha kërkesat ligjore, në përputhje me Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale", tha Dimitrijeviq, por ai, nuk e specifikoi se sa thirrje janë bërë, me arsyen se mbledhja e këtyre të dhënave "do të kërkonte fuqi shtesë punëtore dhe më shumë kohë".

Ai shtoi se, nëse personi i dënuar nuk paraqitet për të vuajtur dënimin e tij, do të merren masat e duhura.

“Sipas procedurës, fillimisht lëshohet urdhër për sjellje të detyruar, dhe në rast se në këtë mënyrë nuk arrihet të përmbushet vuajtja e dënimit me burg atëherë do të lëshohet një kërkesë për lëshimin e urdhër-arrestit, dhe personi i dënuar do të shoqërohet në institucionin përkatës për të vuajtur dënimin", tha Dimtrijeviq.

Dimitijeviq deklaroi se asnjë institucion korrektues, deri më tani, nuk u ka dërguar atyre një njoftim, nëse dikush i është përgjigjur thirrjes.

"Theksojmë se nuk bëhet fjalë vetëm për ekzekutimin e dënimeve me burg ndaj shqiptarëve nga Kosova, por edhe ndaj të gjithë personave që banojnë në Kosovë, që do të thotë serbë, romë dhe të tjerët", tha Dimitrijeviq.

Ai nuk specifikoi për cilat krime u dënuan shqiptarët nga Kosova, duke theksuar se aktgjykimet janë shpallur "për shkak të veprave të ndryshme të përcaktuara me legjislacionin penal".

Qytetarëve të Kosovës, të cilët në Serbi janë të dënuar për terrorizëm,kanë filluar t’iu vijnë urdhëresë për vuajtje të dënimit me burg në Serbi.

Paralajmërimi vjen nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me gjykatat lokale.

Një urdhëresë të tillë nga Gjykata Themelore e Leskovcit, e ka pranuar edhe ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Klina e Epërme e Skenderajt, Hashim Mecinaj.

64-vjeçari është edhe invalid i luftës.

Ai u urdhërua të paraqitet pranë Shërbimit Korrektues në Nish më 1 korrik të këtij viti, për siç është thënë, vuajtjen e dënimit me burgim prej 13 vjetësh, bazuar në një vendim të vitit 2013 nga Gjykata e Apelit në Kragujevc. Nëse ai nuk i përgjigjet urdhrit, në dokument shkruhet se ai do të detyrohet me forcë ta zbatojë atë.

Gjykata e Apelit në Kragujevc konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Mecinaj është dënuar për dy akuza për terrorizëm. Pa specifikuar detajet e aktgjykimit, Gjykata vetëm thekson se veprat ishin kryer më"10 korrik 1998 në fshatin Klinë e Epërme në një pikë kontrolli të sigurisë dhe më 15 korrik 1998 në zonën e të njëjtit fshat".

Pas ankesës së Prokurorit, për një dënim të vetëm me gjashtë vjet burgim, Gjykata e Apelit e ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Kralevë, vetëm në lidhje me kohëzgjatjen e dënimit. Konkretisht, Hashim Mecinaj u shpall fajtor për dy akuza për terrorizëm.

Në fakt, pas apelit të Prokurorit të Lartë Publik për një dënim të vetëm me gjashtë vjet burgim, kjo Gjykatë ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Kralevë vetëm në lidhje me kohëzgjatjen e dënimit.

Përkatësisht, Hashim Mecinajn gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar, për dy vepra të terrorizmit, me 10 vjet burgim,e me një tjetër vendim të Apelit në Kragujevc ai u dënua me 13 vjet burgim.

Përndryshe, Mecinaj ka qenë në burgjet serbe edhe në vitet 1998 deri më 2002. Në familjen e tij kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se ai nuk ndihet mirë prandaj e ka të pamundur të flasë.

Djali i tij, Egzoni, ka thënë se prindi i tij, në lidhje me këtë urdhër, është njoftuar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega Skënderaj.

“Babai i ka mbajtur katër vjet burgim, tash i është kërkuar që t’i mbajë edhe 13 vjet tjera, është shqetësim, është puna që është i lodhur edhe psikikisht, mosha e të gjitha. Jemi të shqetësuar. Është problemi që tash nuk mund të lëvizë i lirë. Si ta kapin, mund ta burgosin. Jemi të shqetësuar si familje, por edhe ky vetë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë e Kosovës, thotë se e ka paralajmëruar Hashim Mecinajn, vetëm për atë që mund t’i ndodhë në rast se udhëton jashtë Kosovës.

Kjo ministri konfirmoi për REL, se Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, e ka përcjellë një kërkesë të organeve gjyqësore serbe nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, përmes së cilës kërkohej që shtetasi i Republikës së Kosovës, Hashim Mecinaj, të paraqitej në Serbi për të vuajtur dënimin e shqiptuar ndaj tij.

Përndryshe, bashkëpunimi i dy ministrive zhvillohet përmes Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

“Meqenëse ky gjykim ka qenë në kundërshtim të plotë me Konventat e KE-së dhe të OKB-së, Ministria e Drejtësisë ka kontaktuar Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Skënderaj dhe janë pajtuar që të njoftohet Mecina me këtë lëndë, për ta paralajmëruar dhe për t’i sqaruar të njëjtit se mund të ketë pasoja shumë të rënda nëse lëviz nga territori i Kosovës, pasi mbi bazën e këtij gjykimi i njëjti mund të arrestohet dhe më pas të ekstradohet në Serbi në vuajtje të dënimit ku edhe mund të torturohet dhe të trajtohet në mënyrë çnjerëzore”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë