Analisti Imer Mushkolaj ka bërë një analizë për të gjitha partitë kryesore në vend dhe situatën e tyre para zgjedhjeve të mundshme parlamentare. Ai diskutoi edhe për koalicione para dhe pas zgjedhore dhe se kush duhet të hyjë në garë si i vetëm.
Sa i përket PDK-së, Mushkolaj tha se pas 12 vitesh në pushtet, këtij subjekti i ka ardhur koha që të qëndrojë në opozitë. Për të, kjo do të ishte shumë e shëndetshme për vet PDK-në dhe për skenën politike kosovare.
Veprimi i fundit i Kadri Veselit që largoi nga partia zyrtarët me aktakuzë, për Mushkolajn më shumë se vendim pozitiv, është një pasqyrë për fuqinë e kryekuvendarit në partinë e tij. Ai tha se kur bëhet fjalë për figura të rëndësishme, Veselit i hasë sharra në gozhdë.
“Veprimi i zotit Veseli është pozitiv në kuptimin e tentimit për të ndryshuar diçka brenda partisë, por na bëri të qartë se çfarë fuqie ka zoti Veseli brenda partisë së vet. Pra fuqia e zotit Veseli është vetëm deri tek një ministër si Besim Beqaj, deri të një zëvendësministër si Agim Çeku, deri te një këshilltar i tij si Njazi Kryeziu dhe aty përfundon. Por, kur flitet për ato figura të rëndësishme të cilat Sami Lushtaku tha se e kontrollojnë gjithë Kosovën, ato 4, 5 apo 6 figura, aty i has sharra në gozhdë për shkak se po shihet se njerëzit e rëndësishëm si thotë një shprehje ‘nuk ia varin fort’ këtyre kërkesave të zotit Veseli për shkak se thonë se nuk na ka zgjedhur zoti Veseli por na kanë zgjedhur strukturat partiake, e kam fjalën këtu për zotin Grabovci, kam fjalën këtu për zotin Reçica, për zotin Haliti e kështu me radhë, figura që janë shtylla të PDK-së”, deklaroi Mushkolaj, në një intervistë për Kosovapress.
Për LDK-në, sipas tij, shumëçka do të dihet pas 3 gushtit kur edhe është paralajmëruar se do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i kësaj partie. Mushkolaj tha se nuk përjashtohet mundësia që Isa Mustafa të mbetet kryetar dhe për kryeministër të ketë një tjetër kandidat ose kandidate.
Në përpjekje për të shpëtuar imazhin e LDK-së, Mushkolaj thotë se një kandidate për kryeministre mund të jetë edhe Vjosa Osmani ose një tjetër kandidat që ka qenë kritik i kësaj qeverie. Sa i përket grupacioneve, ai tha se duket që ato ekzistojnë brenda kësaj partie, por nuk ka ndarje si dikur.
“Ka grupacione natyrisht, askush nuk mund ta mohojë se ka grupacione, nuk mundet mbase të flasim për ndarje si kur ka ekzistuar para mbajtjes së Kuvendit të famshëm të karrigeve ku u nda një grup që pastaj krijoi LDD-në. Besoj se zoti Mustafa nuk është te them në grupin e Hazirit dhe të Veliut, madje kam përshtypjen që ai po kalkulon që të provojë të vazhdojë së mbeturi në krye të partisë duke e caktuar një kandidat ose kandidate për postin e kryeministrit gjë që do ta shpëtonte edhe veten shkurtimisht, por njëfarë forme do të mund të shpëtonte edhe imazhin e LDK-së. Mos të harrojmë se zakonisht LDK-ja ka qenë e kritikuar edhe nga vet votuesit e saj për shkak se i ka mashtruar, i ka tradhtuar, duke e përkthyer besimin e tyre në koalicion me SHIK-un dhe PDK-në të cilin zoti Mustafa thoshte se nuk do të ndodhë asnjëherë”, deklaroi ai.
Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti i parë në zgjedhjet e kaluara, por Mushkolaj nuk pret që të përsëritet i njëjti skenar. Ai thotë se ky subjekt më shumë është përqendruar në sulmet ndaj PSD-së sesa ndaj qeverisë së Haradinajt.
Sipas tij, partia e Albin Kurtit do të përpiqet që të kapitalizojë të gjitha dështimet e qeverisë në largim dhe të jetë një nga partitë kryesore, por nuk pret që të jetë e para pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Mund të jetë një nga partitë kryesore natyrisht, por nuk besoj që mund t’i ruajë të gjitha votat të cilat i kishte në të kaluarën, pavarësisht propagandës shumë të madhe që Vetëvendosja ka bërë kundër PSD-së, mos të harrojmë se gjatë gjithë kohës Vetëvendosja më tepër ka qenë e fokusuar kundër PSD-së sesa kundër Qeverisë së zotit Haradinaj d.m.th ka qenë e dukshme dhe vazhdon të jetë e dukshme, nuk e di se prej nga gjithë ai mllef i këtyre njerëzve të Vetëvendosjes kundër partnerëve, respektivisht kolegëve të tyre që i kishin në parti deri dje. Natyrisht Vetëvendosja do të përpiqet të kapitalizojë gjithçka madje që në ditën kur zoti Haradinaj dha dorëheqje reagimi i Vetëvendosjes ishte në atë frymë në kuptimin që megjithatë tash ne i kapitalizojmë dështimet e qeverisë Haradinaj gjë që është legjitime, është normale absolutisht, por unë mendoj se është problem që të kthehet në nivelin kur kishte qenë në zgjedhjet e kaluara që si subjekt politik doli si subjekti më i madh sa i përket votave”, vijoi ai.
Sa i përket PSD-së, Mushkolaj thotë se për ta më mirë do të ishte një koalicion parazgjedhor. Ai shprehet se partia e Shpend Ahemtit mund të garojë edhe e vetme, porse nuk ia preferon një lëvizje të tillë.
Për të, afrimi i PSD-së me AAK-në e Ramush Haradinajt është shumë i dukshëm. Sipas tij, përpos se votoi disa nga ligjet e koalicionit qeverisë, PSD me qëndrimet e tyre tentoi që të luajë një rol konstruktiv dhe të tregojë se nuk janë të njëjtit si dikur kur ishin pjesë e Vetëvendosjes.
“Më mirë është që të bëjnë një koalicion parazgjedhor me parti të caktuara politike. Ne gjatë gjithë kohës qeverisë Haradinaj kemi parë një afërsi edhe të liderëve, njerëzve të PSD-së me Haradinajn në kuptimin edhe të votimit të ligjeve të koalicionit qeverisës, pastaj në anën tjetër edhe shpërblimin shkurtimisht, edhe pse ndoshta nuk kemi të drejtë ta quajmë si të tillë, me miratimin e ligjit për kryeqytetin nga ana e qeverisë së kaluar e kështu me radhë, pra PSD provoi ta luajë një rol konstruktiv, në kuptimin e një subjekti politik me ndikim megjithatë se flasim për 12 deputetë në Kuvendin e Kosovës, por në anën tjetër këtë besoj e bëri për shkak të krijimit të idesë për të treguar ndarjen e qartë mes të kaluarës së tyre, respektivisht mes qasjes që ka PSD-ja dhe qasjes që e kishin kur ishin në Vetëvendosje në kuptimin e një opozite konstruktive që mund të çojë përpara iniciativa të dobishme për qytetarët gjë që ndodhi nuk është se ata nuk çuan iniciativa të tilla absolutisht, por në anën tjetër gjithmonë të kritikuar se nuk po e luajnë rolin e vet si parti opozitare që detyrimisht duhet të jenë ndaj gjithçkaje që miratohet nga koalicioni qeverisës, iniciativa që ndërmerr koalicioni qeverisës”, tha Mushkolaj.
Për Nismën e Fatmir Limajt, Mushkolaj tha se ka më shumë gjasa që të kalojë pragun sesa PSD-ja, por edhe për këtë subjekt skenari më i sigurt për analistin mbetet një koalicion parazgjedhor e që pastaj mund t’ju ofrohen për t’u bërë pjesë e qeverisjes.
Ai thotë se Nisma ka bërë aq shumë punësime dhe ka përshtypjen se sikur ky subjekt njeh të gjithë votuesit e saj.
“Nisma mund të hyjë pas punësimeve shumë të mëdha që i ka bo gjatë mandatit të kaluar, unë iu kam thënë publikisht edhe zyrtarëve të Nismës se kam përshtypjen sikur i njohin të gjithë votuesit të cilët i kanë për shkak se iu kanë gjetur punë, edhe ai premtimi i Nismës për të punësuar një njeri nga çdo familje po duket se është përkthyer për të punësuar një njeri nga çdo familje e Nismës, por jo më gjerë. Kështu që me këtë logjikë, pavarësisht se Nisma e ka një bazë të vogël elektorale në kuptimin prej nga rrjedhë e ka Malishevën ose rrethinën e Malishevës, megjithatë ka më shumë gjasa të kalojë pragun sesa PSD-ja, por prapë se prapë shumë më e sigurtë për ta është që të krijojnë një koalicion parazgjedhor në mënyrë që pastaj të ofrohen si subjekt politik, si koalicion i përbashkët për t’u bërë pjesë e qeverisjes”, tha ai.
E AKR-në e Behgjet Pacollit, Mushkolaj e quan parti të vogël me përfitime të mëdha. Sipas tij, kjo parti gjithnjë ka funksionuar në këtë mënyrë. Ai deklaroi se AKR ka një numër të caktuar votash të cilat i merr dhe më pas iu imponohet një koalicioni qeveritar siç bëri herën e fundit.
Sa i përket koalicioneve parazgjedhore, Mushkolaj nuk pret që partitë e mëdha të krijojnë të tilla mes vete. Një koalicion i tillë parazgjedhor mes VV-së dhe LDK-së Mushkolaj nuk pret që të ndodhë. Sipas tij, kushti që VV të ketë kryeministrin nuk do të pranohet nga LDK-ja.
Analisti shprehet se gjerat mund të ndryshojnë pas zgjedhjeve dhe se beson se VV e LDK mund të krijojnë një qeveri, por opozita do të ishte shumë e fortë pasi do të ishte PDK dhe të tjerët.
Ai pret që partitë e vogla si PSD, Nisma, Alternativa apo partia e Milaim Zekës që të bëjnë koalicione me të mëdhatë në mënyrë që të kalohet pragu.