Arbëri

Produktet nga plastika ndër ndotësit me të mëdhenj në Kosovë

Produktet nga plastika, siç janë shishet dhe qeset e plastikës janë ndotësit me të mëdhenj të ambientit në Kosovë.

Mungesa e një sistemi të klasifikimit të mbeturinave dhe riciklimit të tyre në vendin tonë, ka bërë që mbetjet e plastikës të shndërrohen në një problem serioz për ambientin. Sipas të dhënave statistikore vetëm brenda dy viteve të fundit në Kosovë janë importuar mbi 12 mijë tonë produkte të plastikës.

Niveli alarmant i ndotjes së mjedisit në Kosovë kërkon reagim të menjëhershëm institucional në formë të hartimit të një legjislacioni të ri i cili do të rregullonte përdorimin e qeseve dhe shisheve të plastikës, me qëllim të reduktimit maksimal të tyre, kështu tha për Radio Kosovën, deputeti i PSD-së, Driton Çaushi, i cili edhe ka dorëzuar kërkesën në Kuvendin e Kosovës për të kryer një hulumtim parlamentar në lidhje me përdorimin e qeseve dhe shisheve të plastikës.

Aktualisht kemi një bazë ligjore, e cila nuk siguron reduktimin, ose është dëshmua e paqëlluar, për të trajtuar këtë problem serioz mjedisor më të cilin po përballemi. Shpresoj shumë që do të hasë në mirëkuptim dhe shumë shpejt të kemi një bazë ligjore, në përputhje me praktikat e mira botërore për të reduktuar këtë ndotje enorme e po i shkaktohet mjedisit tonë, ka thënë ai.

Leutrim Sahiti, këshilltar i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në një përgjigje me shkrim i ka thënë Radio Kosovës se nuk janë të informuar për iniciativën e deputetit në lidhje me qeset dhe shishet e plastikës, por se Ministria e Mjedisit këtë çështje është duke e rregulluar me anë të udhëzimit administrativ dhe se tani janë ne fazën e plotësim-ndryshimit të udhëzimit, përmes së cilit do të përcaktohet edhe mënyra e përdorimit të tyre në treg.

Luan Hasanaj nga organizata Let’s do it Kosova tha se kanë kërkuar nga marketet që të mos i japin falas qeset e plastikës për konsumatorë, me qëllim të ruajtjes së ambientit.

Në çfarëdo mënyre, reduktimi i qeseve do të ndikonte edhe në pastërti dhe në gjithçka që ka të bëjë më mirëmbajte e mjedisit, madje edhe ne si organizatë kemi kërkuar nga bizneset qe të mos japin qese të plastikës pa pare, është shprehur ai.

Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon, i cili nuk e ka ndaluar përdorimin e qeseve të plastikës, ka treguar një hulumtim i Institutit Demokratik të Kosovës. Adelina Hasani nga ky institut thotë së në lumenjtë e Kosovës gjendën mbi 10 mijë ton produkte nga plastika.