Arbëri

Ramush Haradinaj sot niset për në Hagë

Për pak minuta kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, pritet të mbërrijë në Aeroportin e Prishtinës nga ku do të niset për në Hagë.

Ai pritet të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit në Gjykatën Speciale, transmeton Koha.net.

Haradinaj, me të marrë ftesën nga Specialja dha dorëheqje nga posti i të parit të Qeverisë së Kosovës.

Ditën kur dha dorëheqje të parevokueshme, Haradinaj tha se nuk mund të shkojë për intervistim para Dhomave të Specializuara, por ai në një letër dorëzuar krerëve institucionalë ka konfirmuar se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

“Ju ftoj që në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, të shpallen zgjedhjet e përgjithshme dhe e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit”, ka shkruar Haradinaj në letrën dorëzuar presidentit të Kosovës.

Ndërkohë ai vazhdon të jetë kryetar i AAK-së.

Pavarësisht vendimit të tij që të dorëhiqet, sepse nuk dëshiron të shkojë në Hagë si kryeministër, Haradinaj ka paralajmëruar se sërish do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.

Image