Arbëri

Qorrolli: Dorëheqja e Haradinajt duhet të sjellë zgjedhje të reja

Analisti politik, Vigan Qorrolli, ka thënë se dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit ishte e papritur dhe si e tillë duhet të lexohet si situatë për zgjedhje të reja.

Ai në Interaktiv thotë se topi është në anën e Kuvendit për tejkalimin e situatës së krijuar.

Sipas tij, dorëheqja e parevokueshme ka prodhuar një situatë e cila kërkon që pavarësisht që topi ndodhet në anën e Kuvendit, ka mundësi që t'i jepet një shans mandatarit të dytë.

“Është në dorën e kryetarit të PDK-së që ta formojë një shumicë e cila kalon me 61 vota, kjo është mundësi kushtetuese por me pak mundësi që të ndodhë, sepse Haradinaj ka kërkuar zgjedhje të reja dhe nuk ofron vota për krijim të një qeverie të re”, tha ai.

Ai thotë se, mundësia e dytë kushtetuese është që deputetet të mblidhen më një seancë të jashtëzakonshme dhe me 80 vota të votojnë për shpërbërje të Kuvendit, dhe kjo sipas tij, është mundësia më e mirë e cila mund të ndodhë.

Qorrolli thotë se ka humbur legjitimiteti i kësaj mazhorance duke shtuar se edhe gjatë kohës kur ishin në Qeveri ata kishin mungesë të kuorumit për votime të ligjeve.

Ai tutje potencon se në këtë situatë, Kosova është para një qeverie të dorëhequr e cila në rrethana kushtetuese që i ka Kosova nuk ka një qartësi se çfarë duhet të bëjë.

“Deputetet ose Kryesia e Kuvendit mund të thërrasin seancë të jashtëzakonshme. Haradinaj sipas ligjit nuk i përgjigjet shefit të shtetit, prandaj është gabim juridik që i ka dorëzuar dorëheqjen atij. Kuvendi është në këmbët e tij edhe pse Qeveria ka rënë. Agjenda e tij legjislative ka rënë”, thotë ai.

Ai thotë se kryetari ose Kryesia e Kuvendit duhet të caktojë seancën e radhës ose deputetet me 40 nënshkrime të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme.

Duke folur për dorëheqjen e Haradinajt ai tha se këto dy vjet të qeverisjes ai ishte një kryeministër jokonvencional, duke shtuar se, nuk ka arritur të shkëlqej në pozitën e tij si kryeministër dhe ishte shumë kryeneç.

Ai thotë se së fundi Haradinaj ashpërsoi qëndrimet e tij ndaj presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli.

Sipas tij, taksa ishte fillimi i fundit të Haradinajt sepse humbi orientimin ndaj aleatëve perëndimorë.

“Haradinaj nuk arriti t’i dëgjojë partnerët ndërkombëtarë për taksën, pastaj deklaratat e tij për servilizëm të Veselit, e deri tek dita e premte kur erdhi dorëheqje. Haradinaj në fushatë kishte thënë se do të përdorin fuqi për ç’kapjen e shtetit, por ai vazhdoi të shkëlqej në kapjen e shtetit”, tha ai.

Sipas tij konfliktet e vazhdueshme, Haradinaj i kapitalizoi me dorëheqjen e tij.

“Taksa e mori Haradinajn sepse ai nuk i dëgjoi partnerët ndërkombëtarë. Haradinaj u dorëhoq nga mosbesimi i thellë ndaj partnerëve të vet politik. Ai gjithashtu u kërcënua edhe nga një mocion mosbesimi. Unë besoj që nuk është Specialja arsye për dorëheqjen e tij por kriza institucionale që ishte krijuar”, thotë ai.

Ai thotë se Haradinaj ka eufori që përmes taksës dhe ushtrisë do të kryesojë në zgjedhjet e ardhshme.

Duke folur për zgjedhjet e reja, ai tha se është bërë i ditur binomi Kurti-Mustafa, derisa shton se nëse hyjnë në koalicion ata do të jenë fitues të zgjedhjeve.

Qorrolli thotë se Lëvizja Vetëvendosje do të mund ta përdorte levën për fuqizimin e shtetit të së drejtës.

Sipas tij në këtë situatë VV-LDK duhet të flasin përderisa shton se LDK mund ta përdorë qasjen e ekonomisë dhe shtet-ndërtimit.

“Unë besoj që Kosova duhet ta ruaj shtratin e tij, në kufijtë e saj ekzistues”, thotë ai.