Arbëri

Veseli pas dorëheqjes së Haradinajt: Do të ndërmarrim hapa në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe ftesës për të nga Gjykata Speciale.

Veseli i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në SHBA, ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe kjo do të dëshmohet sërish

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se, lajmin për dorëheqjen e Haradinajt e ka mësuar nga mediat.

“Me keqardhje mësova nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të mi, si dhe për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj”, ka shkruar ai.

Veseli thotë se, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë, dhe se është i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish.

Ndërkaq duke folur për bashkëqeverisjen në koalicionin PAN, Veseli ka thënë se, koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t'i mbrojtur vlerat e UÇK-së.

“Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”,tha ai.