Salihaj akuzon Isufin se i priu presioneve për keqpërdorime në komunën e Prishtinës

Salihaj akuzon Isufin se i priu presioneve për keqpërdorime në komunën e Prishtinës

17 July 2019 00:06

Jonuz Salihaj, ish-drejtor i Arsimit në Prishtinë, që kishte dhënë dorëheqje duke akuzuar partinë e tij AAK se po i bën presione për të bërë keqpërdorime në drejtorinë që ai udhëhiqte, ka fajësuar shefin e Grupit Parlamentar të kësaj partie si udhëheqës të grupit që bënte presione.

Ai ka thënë në Interaktiv të KTV-së se Ahmet Isufi i kishte prirë grupit të AAK-së që donte keqpërdorime në komunën e Prishtinës.

Teksa ka thënë se ka pasur presion nga shumica e zyrtarëve të lartë të AAK-së, përfshirë ministra e deputetë, Salihaj ka thënë se presionet ishin rritur aq shumë sa që ishte detyruar të dorëhiqej.

“Kam pritur që të japin ndonjë sqarim. U kam shkruar Haradinajt dhe kryesisë për një sqarim. Sidomos një partie që thirret në kod etik. Nuk i jep kurrfarë sqarimi drejtorit që ka kryer më së shumti punë apo një njeriu që është ndër themelues. Kam pritur dhe më pas jam detyruar të jap dorëheqje. Le të mbesin me këtë turp. Kam dashur të di se ku është puna. Pse kjo ndërhyrje. Është bërë në një formë mirëkuptimi me kryetarin e komunës”, ka thënë ai teksa ka përsëritur se është i zhgënjyer me mosreagimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ka thënë se kryetari i AAK-së në Prishtinë, Brahim Mehmetaj i kishte kërkuar të punësonte njerëz.

“Ai ka kërkuar të punësoj njerëz. Bashkë me disa njerëz të tjerë. Bashkë me ministra që kanë bërë presion. S’i kam pranuar kurrë dhe nuk i pranoj presionet. Jam krenar për këtë. Ka pas biseda se ky njeri s’është i përshtatshëm dhe duhet ta heqim qafe. E kanë arritur me thashetheme e të tjera. Më kanë bë të tërhiqem e të mos marrë pjesë në vendimet e fëlliqura që janë prapa këtyre. E ka pas të qartë çfarë jam unë. Më ka dërguar njerëz të degës, të kryesisë, deputetë. Ka pas presione. Kam pas aq shumë presione sa që ka qenë e pamundur të rri në zyrë. Ishte e pamundur për shkak të presioneve”, ka deklaruar Salihaj më tej.

Sipas tij, ka pas presione për regjistrime të fëmijëve nëpër çerdhe e në shkolla të mesme, madje duke thënë se është kërkuar që i 120-i në listën e pritjes të regjistrohej në një shkollë.

“Sjellja ime u ka penguar. Po më vjen keq që kanë ardhur në këtë gjendje. Por i kanë bërë dëm vetes shumë. Të përfshirë kanë qenë partia dhe kryetari i komunës. Ne nuk kemi aq shumë ministra. Edhe kemi pak deputetë. Gati secili ka pas ndonjë kërkesë. Ahmet Isufi, ishte më i fshehti që ka bërë këtë punë. Dua ta falënderoj që e ka çuar deri në fund këtë punë. Duket i urtë, por ka një prapavijë interesante. Më vonë kam marrë vesh që ishte ai prapa kësaj. Ka pasur keqpërdorime edhe të zyrës së kryeministrit. Janë thirrur në zyrën e tij. Një zonjë e kam njohur që s’është e zyrës së tij, por e ka keqpërdorur. Presion pas presione dhe sipas tyre është bërë mjaft e kanë thënë po e shkëpusim”, ka shtuar Salihaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme