Arbëri

Brestovci thotë se Kosova po ofron kushte të volitshme për investime

Ndonëse në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit mbi të bërit biznes, u tha se në Kosovë korrupsioni është pengesë, drejtori i zyrës së Unionit të Bizneseve shqiptaro-gjermane në Kosovë, Bekim Brestovci thotë se vendi po ofron kushte të volitshme që investitorët nga diaspora të investojnë.

Ai thotë se Kosova e ka edhe një trend të mirë drejtë krijimit të një ure lidhëse me diasporën.

Sipas tij, Shoqatat e kanë për detyrë që të mbështesin bizneset vendore, por që synim e kanë që bizneset kosovare që veprojnë në Gjermani të investojnë në Kosovë.

“Kosova ofron përditë e më tepër kushte të volitshme për të investuar. Kemi edhe shumë nga afaristët tanë të Gjermanisë anëtarë të Unionit të Bizneseve të cilët deri më tani edhe kanë investuar dhe ne tani kemi sjell një format të ri në Kosovë. Njëkohësisht jemi duke e krijuar një shoqëri aksionare ku pretendojmë dhe kemi filluar listimin e kompanive të cilat duan të jenë anëtare të kësaj shoqërie aksionare dhe mendojmë që t’i kemi së paku 1 mijë aksionar shqiptar afaristë nga diaspora”, deklaron ai.

Sa i përket klimës së të bërit biznes në vend, Brestovci potencon se Kosova është në rrugë të mirë për t’i kaluar të gjitha pengesat që mërgimtarët kanë hasur me vite për të investuar në Kosovë.

Ai përmend pengesat kryesore që kanë hasur mërgimtarët deri tani për të investuar në vendlindje.

“Po pengesa më e madhe është gjithherë burokracia, do të thotë nëse një procedurë stërzgjatet shumë derisa të merret një licencë atëherë me siguri që njerëzit edhe për shkak të kohës së limituar, po edhe e humbin disi durimin për t’u marrë me ato punë”, potencon ai.

Ndërkaq, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit mbi klimën e biznesit në botë për vitin 2019, thuhet se me gjithë përparimet, rritja ekonomike e Kosovës dhe tërheqja e investimeve, sfidohen nga shumë faktorë përfshirë shkallën e lartë të korrupsionit.

Në raport thuhet se megjithëse është vendi më i ri dhe më i varfër në Evropë, Kosova ka shënuar rritje pozitive ekonomike prej 4 për qind mesatarisht gjatë dekadës së fundit.

Patundshmëritë janë tërheqësit më të mëdhenj të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, të ndjekura nga shërbimet financiare dhe ndërtimet. Sektorët e ushqimeve, teknologjisë informative, infrastrukturës dhe energjisë janë në rritje dhe paraqesin mundësitë më të mëdha për tërheqjen e investimeve të huaja.

Megjithëse zbatimi i ligjit mbetet i dobët, thuhet në raport, ligjet dhe rregulloret e Kosovës janë në përputhje me synimet për mbështetjen dhe mbrojtjen e investimeve.