Zyrtarë të PDK-së e kryqëzojnë Buxhovin për deklaratat rreth UÇK-së, Mustafa për LDK-në

12 July 2019 19:17

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”. Kjo deklaratë e Jusuf Buxhovit, njërit prej themeluesve të LDK-së, e dhënë në Rubikon të KTV-së, ka shkaktuar reagime të shumta.

Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe anëtari i PDK-së, Gani Koci, ka thënë se lufta e UÇK-së është dashur të spastrojë, siç ka thënë ai, mbeturina të sojit të buxhovëve.

“Para se të gjykonte për pastërtinë e luftës së UÇK-së, Jusuf Buxhovi duhet të përgjigjet për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, si dhe arrestimin e grupit të Hysen Gegës me dëshmitë e të cilit ky grup ishte dënuar me dhjetëra vjet! Vërtet, lufta e UÇK-së është dashur të spastrojë të gjitha mbeturinat e sojit të buxhovëve!”, ka shkruar Koci.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar duke kërkuar që të ndalet linçimi publik i historianit Buxhovi.

Në një komunikatë për media, KMDLNJ thotë se Buxhovi do të ishte një dëshmitar i shkëlqyeshëm për Prokurorinë Speciale të Kosovës. Sipas tyre, Buxhovi duket se ka informata se kush qëndron prapa vrasjeve të anëtarëve të LDK-së dhe se deklaratat e tij do të mund të ndihmonin në zgjidhjen e vrasjeve të aktivistëve politikë.

“Realisht, z. Buxhovi del të jetë i informuar përtej dyshimeve se kush qëndron prapa vrasjes së 102 anëtarëve të LDK-së, sepse e ndërlidh me “luftën e papastër të UÇK-së”, e kjo mund të jetë një mundësi e shkëlqyeshme për Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila duhet ta intervistojë z. Buxhovin në mënyrë që, më në fund, të fillojë të zgjidhet lëmshi i vrasjeve të pasqaruara të aktivistëve politikë të LDK-së, sikur që familjarët e të vrarëve të lirohen nga ankthi i pritjes për ndriçimin e këtyre rasteve”, thotë KMDLNJ.

Megjithatë, KMDLNJ thotë se nëse Buxhovi nuk ofron argumente për deklaratat e tij se lufta e UÇK-së ishte e papastër, ai duhet të ftohet nga organet e drejtësisë që të përgjigjet për shtrembërim dhe paraqitje të pavërtetë të fakteve.

“LDK-ja është marionetë e PDK-së që nga viti 2006”, kishte deklaruar Buxhovi.

E, për këtë deklaratë ka reaguar vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa tha se ata që tash po e sulmojnë LDK-së janë “disa kurrkushë që kanë dështuar”.

“Janë askush. Individë që edhe në kohën e Ibrahim Rugovës e kanë braktisur LDK-në, janë shëtitur përreth globit të partive tjera, nuk kanë zënë vend askund dhe tani rikthehen për të qenë gardianë të “rugovizmit” për interesa të tyre dhe të porositësve. Janë shokë, e ish-shokë, zyrtarë, anëtarë publikë e jopublikë të PDK-së që i kanë ngritur përmendore shefit të tyre derisa kanë përfituar bashkë, e kur janë hidhëruar mes vete, e sulmojnë LDK-në se paska qeverisur me PDK-në. Janë disa kurrkushë të LDK-së që kanë dështuar, që s’ia kanë sjellë asnjë votë LDK-së, veçse ia kanë zvogëluar, dhe gjejnë të shfryhen në partinë e tyre se nuk është dashur të qeverisë me vendin”, ka shkruar Mustafa.

Ai tha se sulmet ndaj LDK-së po bëhen nga ata që kanë frikë nga ardhja në pushtet e kësaj partie dhe nga ata që nuk guxojnë të luftojnë krimin e korrupsionin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme