Arbëri

Krasniqi mohon krizën brenda koalicionit qeverisës

Pretendimet për jo stabilitet mes partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë i ka hedhur poshtë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Sipas tij, nuk ka asnjë krizë brenda partive në pushtet, sepse siç thotë përderisa po respektohet programi qeverisës nuk kanë asnjë problem mes veti. Për këtë arsye deputeti Krasniqi theksoi se zgjedhje të reja këtë vit nuk do të ketë.

Krasniqi në një intervistë për KosovaPress u shpreh se përderisa puna në Qeveri është duke vazhduar dhe se ata nuk kanë asnjë shkarje nga respektimi i marrëveshjes së koalicionit.

Ndërkaq akuzoi partitë opozitare se nuk kanë guxim dhe harmonizim mes tyre për hapat që duhet të ndërrmirren për të pretenduar me rrëzuar qeverinë Haradinaj.

“Në Kuvend kemi dakordim të plotë bashkë me shefat e grupeve parlamentare që janë pjesë e koalicionit. Ne kemi takime të rregullta dhe komunikim të vazhdueshëm dhe në këtë kuadër nuk ka asnjë lëvizje, apo as një ndryshim. Besoj e njëjta është duke ndodhur në qeverisje sepse iu po e shihni se puna është duke vazhduar. Ne kemi thënë dhe po e përsërisim dhe sot se për aq kohë sa respektohet programi i Qeverisë që është kontrata jonë e përbashkët që e ka mundësuar themelimin e kësaj qeverie dhe mbarëvajtjen e punës së saj, nuk duhet të ketë probleme. Deri tash nuk ka një shkarje nga respektimi i kësaj marrëveshje”, thotë Krasniqi.

Duke përmendur iniciativën e opozitës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë Haradinaj, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se një refren të tillë ka mbi 11 muaj që janë duke e dëgjuar, po pa asgjë konkrete.

“Asnjë ndryshim nuk e shoh sot për dallim prej 1 muaj ose 3 muajsh, nuk ka ndodhur asgjë të jashtëzakonshme as në skenën politike e as më pak brenda koalicionit qeverisës. Çështjet e deklarimeve të opozitës janë deklarime të tyre legjitime. Dhe këto deklarime shihet se ata nuk kanë asnjë dakordësi mes veti për hapat që duan me i ndërmarrë. Refreni për mocion tashmë është përafërsisht 11 mujor, po guxim për me ndërmarrë hapa të tilla ata nuk kanë sepse nuk dëshirojnë zgjedhje. Në fakt askush nuk dëshiron zgjedhje në Kosovë dhe kjo është një dëshmi që zgjedhje nuk do të ketë”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, për qëndrimet e kolegëve të partive të tjera në pushtet, veçmas atyre të NISMA-s, Krasniqi u shpreh se ato nuk i shohin si ndonjë arsye për trajtim serioz të funksionimit të koalicionit të Qeverisë Haradinaj.

Ndryshe, ditëve të fundit është raportuar për krizë brenda koalicionit qeveritar, sidomos pas polemikave të zyrtarëve të AAK-së dhe atyre nga Nisma.