Arbëri

Kolona në kufirin Sukobinë-Muriqan, Policia malazeze po i gjobit turistët që s’e kanë paguar taksën ditore

Të gjithë turistët që vendosin të qëndrojnë në Mali të Zi për pushime, apo edhe thjesht ta vizitojnë vendin, duhet të paguajnë një taksë të qëndrimit ditor prej 0.70 centë në ditë, siç ka bërë me dije Zyra e Turizmit e Komunës së Ulqinit.

Zyra e Turizmit në Komunën e Ulqinit ditë më parë kishte sqaruar procedurën e regjistrimit e cila, sipas tyre, po behët për shkak të sigurisë së mysafirëve dhe saktësisë, e aspak në dëm të vizitorëve sidomos atyre nga Kosova që i qëndrojnë besnik plazhit të Ulqinit.

Kjo zyrë ka kërkuar nga gjithë vizitorët se me të hyrë në Ulqin duhet të raportojnë tek qiradhënësi vendqëndrimin e tyre dhe të pajisën me kartonin identifikues i cili behët për sigurinë e vizitorëve me një taksë prej 0.70 centë në ditë për të rritur ndërsa për fëmijë nuk është e obliguar taksa e banimit, raporton Koha.net.

Më tej, është thënë se në rast se Policia Kufitare u kërkon turistëve kartonin e lejë së qëndrimit, atëherë, në mungesë të tij, do të pasojë gjoba deri në 40 euro për ditë qëndrimi, kurse për qiraxhinjtë ulqinakë, dënimi do jetë 1000 euro, andaj turistët janë të obliguar që kartonin ta mbajnë me vete.

E pikërisht kjo me sa duket po ndodh pasi që në pikëkalimin kufitar Sukobinë-Muriqan janë krijuar kolona të gjata të mjeteve të transportit, kryesisht të turistëve kosovarë që kanë qëndruar për pushime në bregdetin malazez.

Një dëshmitar ka treguar për Koha.net se kolonat, rreth 20 autobusë dhe shumë vetura, janë shkaktuar pasi autoritetet malazeze janë duke i gjobitur të gjithë turistët që nuk kanë paguar taksën për qëndrime ditore në Malin e Zi.

Gjobat, sipas tij, janë nga 42.5 euro për ata që kanë qëndruar në bregdetin malazez për më shumë se 24 orë.

Ndërkaq, Zyra e Turizmit e Komunës së Ulqinit kishte bërë të ditur se çmimi për taksën e banimit do jetë 70 centë në ditë për të rritur, 35 centë për moshat 12 deri në 18 vjeç ndërsa fëmijët deri në moshën 12 vjeçare janë të liruar nga pagesa e taksës për ditët e qëndrimin në Ulqin.