Deputeti i Lëvizje Vetëvendosje Rexhep Selimi, në një konferencë për media ka thënë se presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, kanë plane të fshehta për ta ndarë Kosovën.
“Në këto biseda të bëra në vjeshtën e vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019, Zaev shpreh shqetësimin e drejtpërdrejtë se presidenti i Kosovës, përmes planit për copëtim të Kosovës e ndryshim të kufijve, po vepron sipas skenarit të Moskës”, tha Selimi.
Kjo sipas tij dëshmohet edhe në përgjimet e publikuara nga mediet në Maqedoninë e Veriut, të kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, raporton Koha Ditore.
Sipas Selimit në ato përgjime Zaev dëgjohet duke thënë se është i shqetësuar me planet për ndarje të Kosovës. Ai ka thënë se kjo është shqetësuese dhe se Thaçi duhet të ndalet. Sipas tij presidenti është i shantazhuar nga Serbia dhe se ai është duke vepruar në favor të saj.
Selimi u ka bërë thirrje partive politike që të shkojnë në zgjedhje dhe të krijojnë kushte që ta largojnë nga pozita Thaçin. Në këtë mënyrë sipas tij do të ndaleshin planet serbo-ruse të Thaçit.