Juridiku mbetet synim i të rinjve për të filluar studimet

Dritë Slivova Polisi Dritë Slivova Polisi 08 July 2019 21:21

Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, mbetet synim kryesor i të rinjve për të filluar studimet.

Është vetëm dita e tretë prej kur është hapur konkursi për pranimin e studentëve, por këtu janë dorëzuar qindra aplikacione.

Disa prej kandidatëve thonë se si të vegjël e kanë pasur ëndërr që të studiojnë në këtë drejtim.

Por, sipas zyrtarëve të Fakultetit Juridik, do të pranohen vetëm 550 studentë të rregullt, përfshirë kuotën për komunitete dhe për studentë nga Presheva, Shqipëria e Maqedonia, ndërsa 250 studentë të tjerë do të regjistrohen me korrespodencë, raporton KTV.

Dekani i Fakultetit tregon se për të dytin vit radhazi, testimi do të jetë me lexim optik çka sipas tij, e ka reduktuar kopjimin, por edhe ka përshpejtuar shpalljen e rezultateve.

17 mijë e 504 maturantë kanë fituar të drejtën që këtë vit t’i vazhdojnë studimet universitare dhe shumica prej tyre zgjedhin Universitetin e Prishtinës për këtë.

Ky Universitet do t’i pranojë 7 mijë e 156 studentë të rinj prej tyre, prej tyre 910 me korrespodencë.

Prorektori për mësim Hysen Bytyqi, tha se ky numër nuk do ta rëndojë UP-në, meqë po aq studentë do të diplomojnë nga universiteti.

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi e ka miratuar këtë numër të paraparë nga UP-ja për pranimin e studentëve të rinj.

2 përqind e numrit të përgjithshëm është rezervuar për kandidatët nga Presheva, po aq edhe nga Maqedonia e Shqipëria, ndërsa 1 % për kandidatët nga Mali i Zi.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 12 korrik, ndërsa provimi pranues do të mbahet me datat 15, 16 e 17.

Numri maksimal i pikëve është 100. Secili fakultet mbledh 30 pikë nga suksesi i shkollës së mesme, 30 nga testi i maturës si dhe 40 pikë nga provimi pranues.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme